Java Kulturore Kombëtare është java përmbyllëse e programit të Javëve Kulturore Ndërkombëtare të cilat edhe në këtë edicion të dytë, sollën në Shqipëri, përgjatë gjithë vitit, qindra aktivitete e artistë nga e gjithë bota.
“Java Kulturore Kombëtare vjen me një program që mbart shpirtin shqiptar që këndon, vallëzon e krijon. Ju presin ditë plot emocione dhe ngjarje të paharrueshme”, thuhet në faqen online të Javëve Kulturore.
Duke shfletuar programin e kësaj jave mund të veçojmë aktivitetin artistik “Udhëtimi i Flamurit” i cili do të përcjellë gëzimin e krenarinë e festave përmes një shfaqje të Orkestrës Frymore “Fanfara Tirana” dhe grupeve të ndryshme artistike. Aktiviteti do të zhvillohet pranë Universitetit të Arteve, në amfiteatrin veror, më 22 nëntor.
Ndërkohë sonte, në Teatrin “Petro Marko”, në Vlorë, do të japë një shfaqje Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Deçani”.
Më 24 nëntor është programuar dhënia e një çmimi për shkrimtarin Ismail Kadare nga Komuna e Gjilanit. Në të njëjtën ditë, këngëtari Shpat Deda do të ketë një koncert në Katedralen Orthodhokse.
Në programin e këtyre ditëve festive janë vendosur edhe ekspozita, shfaqje filmash, koncert në TKOB, ligjërata e hapur rreth gjuhës shqipe, në Qendrën “Sotir Kolea, promovimi i librit “Enciklopedia Imagjinare-Postroman” i ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi e shumë aktivitete të tjera që do të shtrihen deri më 30 nëntor.