Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar sot lidhur me operacionin e zhvilluar një dite më parë nga Policia e Shtetit.
Në një postim në rrjetet sociale, Balla thekson se “dje pasdite dhe gjatë natës Policia Shtetit ka finalizuar një operacion kompleks të goditjes së krimit të organizuar të përshirë në krime kundër personit dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, rezultat konkret i hetimeve profesionale nën drejtimin e Prokurorisë Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.
Balla ka përgëzuar drejtuesit dhe pjesëmarrësit e Policisë së Shtetit në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit që çoi në arrestimin e të gjithë personave që ndodhen në Shqipëri.
Ai bën me dije se vijon puna për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.
“Gjej rastin t’i falenderoj dhe përgëzoj prokurorët për besimin dhe bashkëpunimin. Në rrjetën e këtij bashkëpunimi kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit si dhe persona të tjerë bashkëpunëtorë me ta”, thekson më tej ministri.
Balla nënvizon se ky operacion domethënës është konsolidimi i ngritjes në një nivel tjetër të vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij, në funksion të rendit ligjor në të gjithë territorin.
“Rikonfirmoj besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët në vetë-pastrimin e Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit”, përfundon reagimin ministri i Brendshëm.
Mediet raportuan se SPAK ka lëshuar 11 urdhër-arreste për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal.
Në kuadër të këtij operacioni është shoqëruar në polici edhe ish-drejtori i Policisë, Erzen Breçani dhe është shpallur në kërkim djali i tij Eralbi Breçani.
Erzen Breçani akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash, ndërsa djali i tij për trafik droge dhe pastrim parash.
Po ashtu, është lëshuar urdhër-arresti edhe për Shefin e Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni.