Prokurorja amerikane Kimberly West, e cila tani drejton Prokurorinë Speciale të Hagës, ka propozuar rregulla më strikte të paraburgimit për Thaçin, Veselin dhe Selimin, shkruan Telegrafi.
Si rezultat i kësaj, Prokuroria ka kërkuar të ndalohet komunikimi mes të akuzuarve, e po ashtu pezullimin e të gjithë komunikimeve të jashtme, si dhe monitorimin e rreptë të komunikimeve të lejuara brenda Speciales.
Për të adresuar këto shkelje, Prokurorja West po kërkon ndërprerjen e vizitave personale dhe telekomunikimeve që nuk janë thelbësisht të nevojshme, duke përfshirë qartësime për vizita nga familjarë të caktuar dhe zyrtarë konsullorë, të cilat duhet të marrin aprovimin e mëparshëm nga gjyqtarët.
“Këto masa synojnë të mbrojnë integritetin e procedurave dhe dëshmitë e dëshmitarëve nga ndonjë ndërhyrje e mëtejshme e paligjshme. Prokuroria Speciale ka qenë aktive në hetimin e vizitave dhe komunikimeve të të akuzuarve, duke përfshirë regjistrimin fshehtë për të zbuluar shkeljet e tyre të rregullave dhe përpjekjet për të ndikuar në dëshmitarët”, thuhet në dokument.
Po ashtu Prokuroria detajon biseda specifike që tregojnë se si të akuzuarit kanë përdorur vizita të pa privilegjuara për të kaluar udhëzime dhe mesazhe të ndryshme për të ndikuar në rrjedhën e gjykimit.
Ky veprim i Prokurorisë vjen si përgjigje ndaj veprimeve të rrezikshme që kërcënojnë procedurat ligjore dhe që janë të nevojshme për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent.
Dëshmitarë të shumtë të mbrojtur në këtë rast kanë raportuar se janë kontaktuar nga persona që përpiqen të pengojnë ose ndikojnë në dëshminë e tyre. Siç përshkruhet më poshtë, në një numër rastesh, këto qasje u treguan se ishin drejtuar nga një ose më shumë nga tre të akuzuarit dhe/ose personat që i kishin vizituar ata në Hagë.
Në bazë të autorizimit gjyqësor nga gjyqtari i vetëm, Zyra e Prokurorit të Specializuar tregon se ka regjistruar në mënyrë të fshehtë vizita me audio tek tre të akuzuarit në Qendrën e Paraburgimit.
Nga vetëm përzgjedhja e kufizuar e vizitave të regjistruara, dhe pavarësisht disa pengesave për shqyrtim, ZPS thotë se në shumë raste, tre të Akuzuarit përdorën vizitat e tyre për të shpërndarë në mënyrë të paligjshme informacionin e dëshmitarëve të mbrojtur, për të identifikuar dëshmitarët, dhe në rastin e Thaçi, në mënyrë të përsëritur i udhëzoi vizitorët që të kërkonin të manipulonin dëshmitë e dëshmitarëve. Secila prej këtyre çështjeve diskutohet më në detaje më poshtë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është informuar nga gruaja e Rexhep Selimit se ish-krerëve të UÇK-së u është pezulluar kontakti me vizitorët.
Kurti për media tha se bashkë me kryekuvendarin Glauk Konjufca po punojnë në këtë drejtim, por, sipas tij, mundësitë janë të kufizuara sa i përket ndikimit të Gjykata Speciale.
“Sigurisht që bëhet fjalë për zhvillim negativ, meqenëse e pësojnë familjet më të dashurit e atyre që po mbahen mbi 3 vjet në Hagë”.
“Unë këtë dje e kam marrë vesh nga deputetja Shqipe Selimi që është bashkëshortja e gjeneralit të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe njëkohësisht e kemi diskutuar edhe me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufcën, këtë zhvillim negativ. Ju e dini që ne i kemi mundësitë e kufizuara për të pasur çfarëdo ndikimi, mirëpo natyrisht jemi duke menduar se si mund të ndihmojmë”.
Qendra e Paraburgimit e Gjykatës Speciale të Hagës i ka ndaluar të gjitha telefonatat dhe vizitat për ish-krerët e UÇK-së.
Specialja, të enjten, më 23 nëntor, bëri të ditur vendimin e përkohshëm teksa u bë e ditur se ky vendim u mor pas kërkesës së Zyrës së Prokurorit së Specializuar, që tha se të akuzuarit kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues, duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose shpërndarjen e përmbajtjes së dëshmisë konfidenciale.
/Argumentum.al