Presidenti i Repubikës, Sh. T. Z Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar për 25- vjetorin e Kushtetutës së Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e miratimit me referendum të ligjit të parë themeltar të shtetit pas rënies së diktaturës.
“Shpallja e Kushtetutës më 28 nëntor, – u shpreh Presidenti Begaj, është jehonë e përpjekjeve ndër shekuj për të ndërtuar një shtet modern, të së drejtës, në bazë të të cilit qëndrojnë parimet europiane të demokracisë dhe të të drejtave themelore të njeriut”.
Sipas Presidentit Begaj, Kushtetuta arriti t’i paraprijë dhe të parashikojë procesin e integrimit Euroatlantik të Shqipërisë. Ai theksoi faktin së në dokument u sanksionuan dispozita të rëndësishme, të cilat vendosin parimet bazë për përgatitjen dhe legjitimimin e integrimit të Shqipërisë në aleancat ndërkombëtare.
“Kushtetuta jonë arriti t’i paraprijë dhe të parashikojë procesin e integrimit Euroatlantik të Shqipërisë, që lidhet ngushtësisht me parimet e shtetit të së drejtës dhe sovranitetit shtetëror.”
Për sa u përket ndryshimeve që i janë bërë Kushtetutës që nga miratimi i saj në vitin 1998, Kreu i Shtetit u shpreh për nevojën e një dokumenti të qëndrueshëm në kohë. Përshtatja e Kushtetutës me realitetet e reja, sipas Kreut te shtetit, duhet vlerësuar me kujdes, maturi dhe ekspertizë, duke mbajtur në vëmendje shtyllat kryesore. Presidenti i përshëndeti ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 me argumentin e reformit të sistemit të drejtësisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe rritjes së llogaridhënies.
Kreu i Shtetit bëri thirrje për një drejtësi funksionale, transparente, të njëjtë për të gjithë qytetarët dhe garante në respektimin e të drejtave të tyre themelore. Presidenti Begaj vlerësoi progresin e arritur dhe rezultatet e prekshme, duke mos harruar edhe sfidat me të cilat po përballet drejtësia sot.
“Synimi kryesor mbetet që drejtësia të afrohet pranë qytetarëve me eficiencë, barazi përpara ligjit, transparencë dhe garanci në respektimin e të drejtave të tyre themelore”.
Presidenti i Republikës kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha institucionet për integrimin europian, që mbetet objektivi parësor. “Progresi është i vazhdueshëm, por dhe me plot sfida të reja, për të cilat kërkohet një angazhim maksimal nga të gjitha institucionet për të finalizuar sa më të shpejt anëtarësimin tonë në Bashkimin Europian.”
/Argumentum.al