Në prag të festës së madhe të flamurit kombëtar, një ditë para 28 Nëntorit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Forumin e Zhvillimit Rajonal Kosovë-Shqipëri me temë “Mundësitë e bashkëpunimit rajonal Kosovë-Shqipëri”, një organizim i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, që u mbajt në ambientet e Pallatit të Kulturës, në komunën e Gjakovës.
Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti, cilësoi se është shumë domethënës fakti që kjo konferencë po mbahet në Gjakovë, dhe pikërisht një ditë para 28 Nëntorit, datës së kurorëzimit të rrugëtimit kah shtetimi i shqiptarëve.
“I gjithë bashkëpunimi i dy shteteve tona duhet të udhëhiqet nga ideja e lehtësimit të jetës së qytetarëve, deri të ndjesia e të jetuarit në të njëjtin vend, në të njëjtat vlera, nën të njëjtat ligje dhe rregulla, pa pengesa dhe pa ndryshime të cilat vështirësojnë ose ngadalësojnë komunikimin dhe veprimtaritë e përditshme të tyre”, tha kryeministri.
Kryeministri Kurti, gjatë pjesëmarrjes së tij në këtë Forum, prezantoi të arriturat gjatë këtyre dy viteve e gjysmë midis dy qeverive, të dy republikave asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, duke treguar se janë arritur dhe vënë në zbatim 58 marrëveshje të reja, ose gati 1/3 e të gjitha marrëveshjeve, me ritëm gati 4 herë më të shpejtë se gjatë gjithë viteve të mëparshme, nga 184 marrëveshje sa ishin gjithsej. Po ashtu ai shtoi se marrëveshjet e arritura dhe në realizim e sipër e korrigjojnë të kaluarën izoluese dhe hapin mundësi e shanse të reja për ndërmarrësit, për studentët, për qytetarët si prodhues e si konsumatorë.
Në mesin e marrëveshjeve theksoi atë të për lidhjen hekurudhore Prishtinë-Durrës, të cilën e konsideroi si marrëveshje dhe projekt madhor.
Ai bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës është infrastrukturë për t’ju ndihmuar e nuk ka datë më të mirë sesa festat e nëntorit, sesa 28 Nëntori i nesërm, që të bëjnë bilancet e të arriturave dhe teksa kujtojnë ata që sakrifikuan për vendin e tyre.
Gjatë kësaj ngjarje, ai u shpreh se lehtësimi i tregtisë, heqja e barrierave tregtare dhe promovimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve, janë hapa të rëndësishëm drejt integrimit të përbashkët ekonomik. Këtu ai veçoi hapjen e dy zyrave doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe në Porto – Romano, përmes së cilave Kosova ka arritur të ketë qasje në det.
“Aty bëhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën duke u ardhur në ndihmë drejtpërdrejt bizneseve që tashmë i kanë kursyer 9 milionë euro. Dhe në bazë të shënimeve të fundit 30 për qind e mallrave të cilat vijnë në Durrës e kanë për destinim Kosovën”, u shpreh kryeministri, para se të shtoj se investimet nga Shqipëria në Kosovë në vitin 2022 kanë arritur vlerën prej gati 80 milionë nga mbi 15 milionë sa ishin në vitin 2019, deri sa fliste për rezultatet e bashkëpunimit ndërmjet dy republikave.
Në fund të fjalës së tij, ai i urojë të gjithëve Urime 28 Nëntorin.
Të pranishëm përkrah kryeministrit në këtë Forum, ishin ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, këshilltarja nga ambasada e Shqipërisë, Pranvera Teli, si dhe zëvendësministrat Ali Tafarshiku, nga ministria e Zhvillimit Rajonal, dhe Agron Dobruna nga ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.