Dr. Marsela Musabelliu
Si mund të lidhen afro 100 milionë njerëz nga Evropa, me 1.4 miliardë njerëz në Azi? – Këtë ka dashur të bëjë mekanizmi i krijuar nga Republika Popullore e Kinës (RPK) në vitin 2012 me synim bashkëpunimin me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL). Platforma përbëhet nga Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Hungaria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia dhe Greqia. Për vite me radhë, liderët e vendeve janë takuar çdo vit dhe kanë diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe.
Që prej ditës së krijimit, “ndërlidhja” ka qenë fjala kryesore, jo vetëm për Kinën drejt EQL, por edhe për vendet anëtare në lidhje me njëra-tjetrën. Tregtia e papenguar, komunikimi i zgjeruar, krijimi i korridoreve të transportit, qendrave tregtare, shkëmbime intensive ekonomik, prania e ndërmarrjeve kineze në territoret e EQL-së, shkëmbimi i njohurive teknike, menaxhimit etj. duke punuar nga afër së bashku qarqet e ndryshme, dhe jo vetëm, janë njohur reciprokisht dhe bashkëpunimi i tyre është lehtësuar.
Ҫfarë ka rënë më shumë në sy këtë dekadë është zbatimi i projekteve ndërkufitare që ka lehtësuar logjistikën, tregtinë dhe shkëmbimet e shumanshme. Ky mekanizëm po promovon rrugën e gjetjes së ngjashmërive midis anëtarëve dhe si pasojë përdorimin e atyre ngjashmërive për zbatimin më të mirë të projekteve.
Duke u bërë kanale të shkëlqyera për përmirësimin e aktivitetit ekonomik dhe ngushtimin e hendekut të zhvillimit midis vendeve të rajonit, asgjë nuk është më e rëndësishme se infrastruktura. Në atë sferë, Kina ka një sërë histori suksesi, si Linja Express (Tokësore dhe Detare) Kinë-Evropë , e cila fillon nga Porti i Pireut në Greqi dhe shtrihet në brendësi të Evropës Qendrore dhe Lindore, duke mbuluar Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Hungarinë, Austrinë, Republikën Çeke dhe Sllovakinë. Ajo mbulon një territor prej mbi 32 milion njerëzish duke lehtësuar komunikimin tregtar dhe njerëzor midis tyre. Lidhja hekurudhore Hungari-Serbi 350 kilometra; autostrada jug-veri në Malin e Zi; autostrada Miladinovci-Stip në Maqedoninë e Veriut; seksioni Capljina i korridorit Pan-Evropian 5C në Bosnjë dhe Hercegovinë; Ura e Peljesaçit në ndërtim në Kroaci, dhe shumë më tepër. Të lartpërmendurat janë mbështetur të gjitha me financim kinez dhe janë një histori suksesi në Ballkan dhe shumë më tepër pritet të vijnë.
Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm është tregtia, që në vetvete përbën një element unik në afrimin e kombeve së bashku. Përmes ekspozitave të ndryshme, simpoziumeve ekonomike e tregtare dhe forumeve financiare, bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar midis Kinës dhe EQL është zgjeruar me strukturë më të ekuilibruar dhe rritje të vazhdueshme të vëllimit të tregtisë. Në dekadën e fundit volumi tregtar midis Kinës dhe vendeve të EQL-së është rritur me 142.6%, dhe Kina është bërë partner tregtar kryesor me këto vende.
Mekanizmi i bashkëpunimit Kinë-EQL ka afro 40 platforma të koordinimit profesional të ngritura nga Kina dhe vendet e EQL, të cilat janë duke luajtur një rol të rëndësishëm. Kjo tregon se Kina dhe anëtarët e platformës janë të gatshëm të hyjnë më thellë në bashkëpunimin pragmatik.
Në samitin e fundit të bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të EQL, presidenti Xi shprehu mbështetjen e tij shumë pozitive për platformën. Në fjalët e tij: “pavarësisht nga madhësia e tyre, ata janë partnerë të barabartë në një mekanizëm bashkëpunimi që përfshin konsultime të gjera, kontribut të përbashkët dhe përfitimet e përbashkëta.” Në këtë pikë, parimet që pasqyrojnë tiparet e saj dalluese janë 4: ‘Marrja e vendimeve përmes konsultimit’ – e cila mishëron vetë frymën e multilateralizmit, për të cilën Kina është një mbrojtëse e përhershme në çdo përpjekje të saj në politikën e jashtme. ‘Përfitime për të gjithë partnerët e bashkëpunimit’ – është baza për bashkëpunimin me fitim të ndërsjellë, një nga shtyllat e marrëdhënieve ndërkombëtare që Kina ka promovuar vazhdimisht. ‘Ndjekja e zhvillimit të përbashkët përmes hapjes dhe gjithëpërfshirjes ‘- nënkupton pranimin e realiteteve të njëri-tjetrit dhe vullnetin për të punuar ngushtë së bashku duke pranuar ndryshimet që secili komb sjell në bashkëpunim. ‘Arritje zhvillimore më të madhe përmes inovacionit’ – ndërsa e ardhmja do të shënojë përparimin teknologjik dhe shkencor, sa më shumë anëtarët të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin aq më të mira janë rezultatet.
Çfarë vërehet nga Shqipëria?
Që në fillimet e kësaj platforme, pritshmëritë ishin të larta dhe në rastin e Shqipërisë kishte një qasje disi pragmatike. Një dekadë më vonë, nën ombrellën e kësaj platforme, në Shqipëri është vënë re një intensifikim i organizimeve të tryezave të rrumbullakëta, takimeve tregtare, trajnimeve, informacione mbi shtetet përkatëse, etj.
Kina mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë dhe në kuadër të marrëveshjes Kinë-EQL ka pasur shumë progres në nivelin e komunikimit. Në vitin 2023, pas një ndaljeje të kushtëzuar nga pandemia për 3 vjet, Kina u bë zyrtarisht partneri i dytë tregtar i Shqipërisë. Mallrat ‘Made in China’ kanë një rritje të mprehtë në tregun e Shqipërisë. Bazuar në të dhënat e INSTAT (Tetor 2023), vendet me rritjen më të lartë të importeve gjatë tetë muajve të parë të 2023 janë Kina (31.5%) dhe Gjermania (9.5%). Me Italinë që ka pothuajse 30% të totalit, Kina bëhet partneri i dytë tregtar i Shqipërisë me 8%, duke u rikthyer në nivelet para pandemisë. Në përgjithësi, në tre tremujorët e vitit 2023 (nga janari në shtator), importet nga Kina u rritën me 27,6%. Vetëm këto shifra tregojnë rëndësinë madhore të shkëmbimeve dypalëshe.
Në ekspozitën Ningbo të vendeve Kinë-EQL, kompanitë shqiptare shpalosën produkte si verë, birrë, vaj ulliri, ujë mineral, mjaltë etj, me cilësi të lartë, duke dashur të hyjnë më intensivisht në tregun kinez.
Por, është vënë re se edhe angazhimi i nivelit të lartë qeveritar ka qenë në fokus. Kryeministri shqiptar ka marrë pjesë në 7 nga 9 takime me homologun kinez [Bukuresht 2013, Beograd 2014, Suzhou 2015, Riga 2016, Sofje 2018, Dubrovnik 2019, Pekin virtual 2021]. Vetëm në dy raste ka marrë pjesë zëvendëskryeministri [Varshavë 2012, Budapest 2017]. Kjo ka krijuar mundësi shtesë për liderët përkatës për të shkëmbyer ide dhe për të koordinuar politikat.
Kemi parë edhe intensifikim të shkëmbimeve në nivel lokal, si p.sh. në Tirane më 25 tetor 2019, Kryebashkiaku i Tiranës dhe nënkryetari i Bashkisë së Pekinit bashkë-organizuan një aktivitet, ku morën pjesë kryetarët e bashkive të Sarajevës, Podgoricës, Shkupit dhe Beogradit, zyrtarë të kryeqyteteve të EQL-së – si dhe Përfaqësuesja Speciale e Bashkëpunimit Kinë-EQL në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kinës. Në fund të forumit, palët pjesëmarrëse nënshkruan një deklaratë të përbashkët, sipas së cilës ranë dakord të promovojnë menaxhimin e rafinuar në qytetet e tyre përkatëse dhe të marrin Forumin e Kryebashkiakëve të Kryeqyteteve Kinë-EQL si një platformë për të shkëmbyer përvoja në drejtim të qeverisjes urbane, përmirësimit të kapacitetit qeverisës dhe efektivitetit.
Një tjetër arritje është ajo e heqjes së vizave, që prej Marsit të viti 2023, Shqiptarët tashmë mund të udhëtojnë në Kinë pa viza, dhe e anasjellta, dhe e gjitha kjo u nis vite më parë, në një takim të platformës Kinë-EQL. Ky është një shembull tjetër nga Shqipëria i arritur me memorandumet e nënshkruara në kuadër të platformës Kinë-EQL. Kjo marrëveshje do të kontribuojë në shumë fusha, por veçanërisht në turizëm, tregti dhe shkëmbime njerëzore. Në vazhdim të forcimit të angazhimeve, në shkurt të këtij viti, një tjetër arritje në marrëdhëniet dypalëshe thellon atë që mund të realizojë marrëveshja për heqjen e vizave. Ambasadori i Kinës në Shqipëri dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit nënshkruan “Memorandumin e Mirëkuptimit (MoU) për bashkëpunimin turistik midis Kinës dhe Shqipërisë.
Por, edhe më herët, në 29 tetor 2021, Këshilltari i Shtetit dhe Ministri i Jashtëm Wang Yi mbërriti në Shqipëri për një vizitë zyrtare shtetërore. Në agjendën e ministrit ishin tre takime të nivelit të lartë dhe një nga fjalët kyçe që ai përdori në këto takime me autoritetet shqiptare ishte “motor i dyfishtë”. Kina do të mbështesë gjerësisht efektet shtytëse të nismës “Një brez, një rrugë” dhe platformës Kinë-EQL për t’u shërbyer vendeve të rajonit për të arritur atë që dëshirojnë më shumë, zhvillimin. Ministri kinez u shpreh në Tiranë se këto dy nisma do të shërbejnë për të përkthyer potencialin për bashkëpunim dypalësh në rezultate të prekshme.
Së fundmi, mekanizmi i bashkëpunimit Kinë-EQL po krijon bazat për intensifikimin e marrëdhënieve në të ardhmen mbi bazën e njohjes reciproke. Kontaktet e intensifikuara na bëjnë më të prirur për të kuptuar dhe pranuar realitetet e njëri-tjetrit. Rëndësia e dialogut dypalësh qëndron përtej elementit politik. Dialogu ndërqeveritar, kulturor, tregtar, etj, dhe veçanërisht nënshkrimi i marrëveshjeve hapin një dritare komunikimi dhe krijojnë një lloj historie të përbashkët për shkëmbime më të frytshme mes palëve.
Kjo platformë është një përpjekje pioniere dhe nga pala kineze ka pasur dhe ka mbështetje të plotë për të arritur sa më shumë në kuadër të saj. Një dekadë më pas, mund të pohojmë se platforma Kinë-EQL po promovon rrugën e sinergjisë dhe po përpiqet të intensifikojë bashkëpunimin midis anëtarëve të saj, ndërsa përpiqet të gjejë baza të përbashkëta për të kuptuar më mirë realitetet e njëri-tjetrit.
© 2023 Argumentum