Banka e Shqipërisë organizoi workshop-in XVII të kërkimeve ekonomike për Evropën Juglindore.
Punimet e workshop-i i hapi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko i cili përshëndeti pjesëmarrësit e shumtë ndërkombëtarë nga bota akademike dhe komuniteti i bankave qendrore, që i janë bashkuar Workshop-it shkencor.
Sejko tha se, “programi i këtij Workshop-i është në sinkron me sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballet komuniteti i bankingut qendror në mbarë botën. Temat e këtij viti mbulojnë fusha të interesit të bankës qendrore, si inflacioni, politika monetare dhe stabiliteti financiar, njëkohësisht edhe çështje të sfidave aktuale si: ndryshimet klimatike, digjitalizimi, financat e familjeve apo përfshirja financiare”.
Në kushtet e zhvillimeve, Guvernatori vuri në dukje se, BSH-ja ka nisur zbatimin e dy strategjive të rëndësishme, të cilat mbështesin arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, strategjinë e klimës dhe atë të edukimit dhe përfshirjes financiare dhe njëkohësisht po zhvillojmë një përqasje të re me fokus mbi digjitalizimin.
“Këto iniciativa janë mbështetur dhe kanë përfituar nga kërkimet shkencore të Bankës së Shqipërisë në fushat e ndryshimeve klimatike, edukimin dhe përfshirjen financiare të individëve dhe të sektorit privat. Digjitalizimi i financës dhe parasë po transformon rrënjësisht panoramën ekonomike dhe atë financiare, duke ndryshuar perceptimet dhe sjelljet e publikut ndaj vendimeve monetare dhe atyre financiare. Ky ndryshim radikal kërkon qasje të reja në analizë, vendimmarrje dhe komunikim me publikun, veçanërisht përballë të panjohurave që vijnë nga teknologjitë gjithnjë në zhvillim e sipër. Rrjedhimisht, ju inkurajoj që të thelloni studimet në këto çështje kritike”, deklaroi Sejko.
Ai nxiti kërkuesit t’u përmbahen parimeve të analizës së paanshme, seriozitetit shkencor dhe rekomandimeve të qarta.
“Kjo është një detyrë sfiduese, por unë kam besim në aftësinë tonë kolektive për të qenë në lartësinë e duhur. Kërkimi në Bankën e Shqipërisë tashmë ka fituar besueshmërinë e politikëbërësve dhe respektin e botës akademike, siç dëshmohet edhe nga pjesëmarrja ndërkombëtare në këtë aktivitet. Megjithatë, ne duhet të bëjmë të mundur që ai të komunikojë në mënyrë efektive me të gjithë ekonominë, duke udhëhequr vendimmarrjen e përgjegjshme, si në sektorin privat dhe në atë të familjeve”, u shpreh Guvernatori.