Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kërkon autorizimin nga Kuvendi për të ekzekutuar ndryshimin e masës së sigurisë nga “Detyrim Paraqitje” në “Arrest Shtëpie” ose “Arrest me Burg” për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili po hetohet nga struktura e posaçme antikorrupsion mbi procedurat e ndjekura për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Sipas burimeve zyrtare nga SPAK, bëhet me dije se ndryshimi i masës së sigurisë nga “Detyrim Paraqitje” në “Arrest Shtëpie” apo “Arrest me burg”, ka ardhur pasi ish-kryeministri Berisha nuk ka zbatuar masën shtrënguese të caktuar fillimisht nga organi posaçëm i akuzës, atë të detyrimit të paraqitjes. Kësisoj, në bazë dhe të parashikimeve ligjore të kodit të procedurës penale për këto raste, SPAK ka të drejtë të kërkojë dhe ashpërsimin e masës së sigurisë “Arrest shtëpie” apo “Arrest me burg”.
“Kemi bërë kërkesë për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, bën me dije SPAK për ATSH.
Berisha akuzohet nga SPAK se ka konsumuar veprat penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Sipas SPAK, Sali Berisha i cili në atë kohë mbante postin e kryeministrit, ka ushtruar presion ndaj administratës për përfundimin sa më parë të procedurave të privatizimit të ish-klubit “Partizani” nga i cili dhëndri i tij ka përfituar rreth 5.4 milionë euro.