Kryeministri Edi Rama në një konferencë me gazetarët tha sot se në Samitin e Brukselit është shprehur një vlerësim maksimal për ekipin negociator të Shqipërisë.
Ai shtoi se sot vendi gëzon një respekt që s’e ka patur kurrë më parë dhe kjo duket tek vizitat e shpeshta të Ursula Von Der Leyen dhe Charles Michel në Tiranë.
Rama shtoi se në samit u diskutua perspektiva e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.
“Kam prekur marrëdhënien strategjike mes Shqipërisë dhe BE që bazohet tek një religjion i përbashkët dhe një amanet i vjetër që është Europa” – tha Rama.
Gjatë një konference për shtyp, Kryeministri bëri të ditur se ka informuar Samitin BE-Ballkani Perëndimor për modelin e ri revolucionar, inovativ të Inteligjencës Artificiale, me të cilin Shqipëria do të bëjë ndërvendosjen e 3484 masave të organizmit ligjor të BE-së në legjislacionin tonë.
“Kjo do të jetë edhe pjesë e strategjisë sonë të procesit, por duke qenë gati me të gjithë malin e dokumentacionit, 5 vjet më shpejt sesa Kroacia, e cila mbahet mend nga të gjithë për një performancë shumë serioze dhe eficiente në këtë proces. Ky proces teknik Kroacisë i mori 7 vjet. Njëlloj siç do të na merrte dhe ne, mbase edhe më shumë sesa 7 vjet. Kjo në rast se do të ndiqnim rrugën tradicionale, manuale me ngritjen e një armate përkthyesish, juristësh, asistentësh ligjorë thjesht dhe vetëm për të siguruar përkthimin dhe redaktimin, korrektimin jo thjesht gjuhësor por edhe në gjuhën ligjore të dhjetëra e mijëra faqeve masa ligjore që duhet të adoptojë një vend për t’u bërë gati nga pikëpamja teknike për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se modeli i ndërvendosjes së trupit ligjor të BE-së në trupin ligjor të Republikës së Shqipërisë e ka kaluar me sukses testin dhe tani jemi në procesin e kolaudimit dhe do të fillojmë zbatimin me një shpejtësi që falë Inteligjencës Artificiale dhe teknologjisë digjitale është eksponencialisht më e lartë sesa rruga tradicionale.
Po ashtu, Rama tha se informoi Samitin edhe për modelin tjetër i cili synohet të jetë gati brenda këtij mandati për një minimizim të paprecedentë të pjesëmarrjes së njeriut në proceset e Prokurimeve Publike, duke përdorur Inteligjencën Artificiale.
“Beleri”, Rama: Çështjet bilaterale të ndahen nga procesi i negociatave
Kryeministri Rama shprehu bindjen se “Shqipëria duhet dhe mund që me punën tonë të përbashkët të bëhet Europa e Ballkanit”.
“I ka të gjitha që i duhen për t’u bërë Europa e Ballkanit dhe transformimi i brendshëm i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne. Ndryshimi i Shqipërisë nga një vend i prapambetur, një vend i një rrumpalle ballkanike, në një vend që funksionon si shtet anëtar i BE-së është po aq i rëndësishëm, mbase më i rëndësishëm se sa vetë anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Janë të lidhura pazgjidhshmërisht bashkë, për këtë arsye pozicioni ynë është ky”, theksoi Rama.
Kryeministri nënvizoi se ka pasur një keqkuptim që është i mirëkuptueshëm se lidhet me natyrën teknike të funksionimit të procesit.
“Këshilli Europian nuk merr vendim lidhur me këtë. Ngarkon konferencën apo mbledhjen e ambasadorëve të vendeve anëtare që në ditët e ardhshme të procedojë nga pikëpamja formale teknike lidhur me të gjitha vendet, bazuar në raportet e progresit dhe indikacionet e KE-së”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se mbetet optimist që ngërçi me Greqinë do të kapërcehet.
“Por mbetem i të njëjtës bindje që ndodh apo jo, Shqipëria praktikisht nuk vonohet asnjë ditë, jo muaj e vite. Se ndërkohë do të vazhdojmë dhe bëjmë detyrat tona. Kemi në dorë një instrument të jashtëzakonshëm, modelin tonë inovativ të inteligjencës artificiale që ja kam shpërndarë gjithë miqve bashkë me një urim nga Shqipëria dhe shqiptarët. Ne do të jemi gati për BE-në, shumë më shpejt se BE të jetë gati për ne”, tha Rama.
Mete: Shpërblim për fundvit për shtresat në nevojë, 1 pagë plus për administratën që punuan për integrimin
Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete deklaroi sot se “në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kemi miratuar Aktin Normativ për disa ndryshime të Buxhetit të vitit 2023, me synim kryesor plotësimin e paketës së solidaritetit, pas dy bonuseve të akorduara për pensionistët, plotësimin e kësaj pakete dhe për një sërë shtresash në nevojë”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, ministri Mete tha se “paketa përfshin bonuse sociale në të njëjtën masë të shpërblimit që sapo iu akordua pensionistëve për: 64 mijë përfitues të ndihmës ekonomike; 73 mijë përfitues të pagesave mbështetëse të aftësisë së kufizuar; 36 mijë familje me fëmijë në ndihmë ekonomike; 68 mijë invalidë të punës; 44 mijë përfitues të pensioneve familjare”.
“Gjithashtu, parashikohet një shpërblim për 1144 punonjës të administratës shtetërore, përfaqësues në takimet bilaterale të zhvilluara në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim në BE, edhe për shkak të rezultateve të lavdërueshme dhe të vlerësimeve të larta që kanë marrë edhe nga Komisioni Evropian”, nënvizoi Mete.
Ministri Mete theksoi se “gjithashtu, ka një mbështetje për çdo punonjës policie për kompensimin e tyre ushqimor në një vlerë totale prej rreth 800 milionë lekë. Ka një mbështetje për të gjitha bashkitë, si një shtesë granti të pakushtëzuar për të adresuar detyrimet e prapambetura. Shtesa totale për të gjitha bashkitë sipas listës së paracaktuar shkon në 2 miliardë lekë”.
“Gjithashtu, ka rialokime sa i përket shpenzimeve kapitale për financimin e projekteve infrastrukturore, në rrugë e ujësjellësa, duke i dhënë një tjetër shtysë investimeve publike. Në total rialokimet që shpërndahen me këtë akt normativ janë rreth 20 miliardë lekë, ndërkohë që mbetet i pandryshuar niveli i planifikuar i të ardhurave, si edhe projeksionet për borxhin publik”, tha Mete.
I pyetur se sa do të jetë konkretisht bonusi për shtresat në nevojë por edhe për punonjësit e administratës që janë marrë me integrimin, Mete tha se “shpërblimi apo bonusi është në të njëjtën masë që iu dha pensionistëve, ndërsa për disa kategori të posaçme të cilat kanë përfituar aktualisht, siç kanë qenë invalidët e punës apo përfitues të pensioneve familjare, praktikisht tani dyfishohet masa. Por, edhe brenda kategorive që mbështeten me këtë akt normativ, për kategori të posaçme siç janë p.sh., familjet me ndihmë ekonomike, por me fëmijë, edhe ata marrin dyfishin e masës, që do të thotë marrin 10 mijë lekë të reja. Ndërkohë, për punonjësit e administratës të cilët kanë qenë të përfshirë në procesin e screening dhe takimet bilaterale, do të jetë një pagë shpërblim”.
“Si çdo fundviti, në varësi të ecurisë së investimeve apo projekteve, ne optimizojmë apo përpiqemi të optimizojmë shpenzimet dhe praktikisht rialokimet bëhen nga projekte të huaja apo të brendshëm që për shkak të ecurisë vlerësohet që është më efektive të riaolokohen në projekte me ecuri më pozitive”, shtoi ai.
Ministri Mete theksoi se “ecuria e të ardhurave gjatë këtij viti ka qenë pozitive dhe ne në rishikimin e kaluar, në tetor, patëm një projeksion në rritje të të ardhurave dhe përgjithësisht drejt realizimit të atij projeksioni të të ardhurave duke synuar që, dhe besoj që kjo është e rëndësishme pavarësisht aktit normativ, që të mos ketë në tatime asnjë rimbursim TVSH-je të mbetur për vitin vjetër. Pra, të mos ketë asnjë, madje të përshpejtohen rimbursimet e TVSH-së, të realizohen të ardhurat dhe të mund edhe të rialokohen shpenzimet për t’u optimizuar”.
/Argumentum.al