BE do të mbështesë Shqipërinë në përballimin e sfidave mjedisore për mbrojtjen e natyrës me projekte investimesh që kapin vlerën e mbi 70 milionë eurove.
Andrea Ferrero, shefi i Seksionit të Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik dhe Social në Delegacionin e BE-së deklaroi për mediet se, “BE mbështet Shqipërinë me disa projekte dhe programe, disa prej të cilave janë miratuar apo prezantuar dhe të tjera do të prezantohen muajin që vjen”.
Sipas Ferrero-s, projekti në vëmendje është ai për ekonominë qarkulluese që do të merret me trajtimin e mbetjeve të ngurta në bashkitë Gjirokastër dhe Kukës.
Ndërkohë, vijoi përfaqësuesi i lartë i BE-së, kemi një tjetër program që ka të bëjë me mbrojtjen e lumenjve dhe që pritet të nisë këtë muaj dhe do të merret me mbrojtjen e baseneve dhe që do të zhvillohet në bashkëpunim me Agjencinë Austriake për Zhvillim.
“Gjithashtu kemi në program për mbrojtjen e zonave detare. Këtu kemi punë për të bërë për përmirësimin e legjislacionit sipas BE-së dhe po kështu po shikojmë edhe sektorin e pyjeve, zonave të pyllëzuara”, tha Ferrero, teksa informoi se, po zhvillohen diskutime me qeverinë për të fokusuar adresimin e mbështetjes për zonat e pyllëzuara me fokus mbrojtjen e tyre dhe për të pasur një plan të zhvillimit të qëndrueshëm të pyjeve në Shqipëri që është shumë i rëndësishëm për ndikim për ekonominë e vendit dhe jetën sociale.
Në vijim të programeve që BE parashikon të mbështesë Shqipërinë për vitin që vjen, Ferrero tha se, “nga ana tjetër në bashkëpunim me qeverinë Gjermane po projektohet të investohet për menaxhimin e trajtimin e ujërave të ndotur.
“Qëllimi është që ne të trajtomë një përqindje sa më të lartë të ujërave, përpara se ato të derdhin në det duke ndikuar kështu në ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit”, u shpreh Ferrero.
/Argumentum.al