Kryeministri Edi Rama dhe ambasadori i BE, Luigi Soreca kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp, për të komentuar rekomandimin pozitiv të KE.
“Rekomandimi pozitiv pa kushte i Komisionit Europian për çeljen zyrtare të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian, konfirmon se Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtëpisë në këtë proces” – shkruan Rama.
Ambasadori i delegacionit të BE-së Luigi Soreca i dorëzoi sot kryeministrit Edi Rama progres raportin për Shqipërinë. Komisioni Europian i rekomandon Këshillit të Europës hapjen e bisedimeve pa kushte për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në prani të gazetarëve, në Sallën e Hartave në kryeministri, ambasadori Soreca i dorëzoi progres raportin kryeministrit dhe i bëri thirrje klasës politike shqiptare të lënë mënjanë ndasitë dhe të japin kontributin e tyre në mënyrë që Këshilli i Ministrave të BE të japë një përgjigje pozitive për rekomandimin.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama, kreu i diplomacisë shqiptare tha se duhet një konsensus i fortë kombëtar duke tejkaluar polarizimin dhe duke treguar vullnet politik të fortë.
Luigi Soreca: Nevoja për një konsesus të fortë kombëtar për prioritetin madhor të integrimit evropian, duke tejkaluar polarizimin dhe duke treguar vullnet politik të fortë për të kaluar përtej ndasive partiake.
Të gjitha partitë duhet të jenë të bashkuar dhe të lënë mënjanë ndasitë e tyre. Ne ritheksojmë thirrjet që i kemi bërë të gjitha partive politike që angazhohen në dialog në interes të interesit publik që është mbi të gjitha. Sot Shqipëria ka arritur një gur kilometrik të rëndësishëm.”
Tre javet vendimtare- Tre javët në vijim janë vendimtare dhe Soreca inkurajoi sistemin politik shqiptar, qeverinë dhe opozitën të kontribuojnë drejt këtij objektivi
Luigi Soreca: “Mbështetje e madhe popullore dhe besimi në BE e kanë ndihmuar Shqipërinë për të shtyrë përpara dhe për të konsoliduar procesin e reformave të paprecedentë që ju po bëni. Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të tregojnë se janë një nga vendet e Evropës me besimin më të lartë në BE. Çelja e negociatave dhe fillimi i procesit të shpjegimit të legjislacionit të BE do të linçojë një proces të gjatë intensiv për të gjithë vendet që kanë të bëjnë me sektorë të ndryshëm, për të arritur standardet e BE. Ka shumë reforma që duhen bërë, por duke patur parasysh progresin e arritur do të thotë që KE ka marrë vendimin që Shqipëria është gati për hapat e tjerë.
Hapat e tjerë do të thotë që shtetet anëtare në këshill do të vlerësojnë progresin e bërë në bazë të këtij raporti. Tre javët në vijim do të jenë kyçe. Çdo shtet anëtar duhet të jetë i bindur dhe çdo shtet anëtar ka procesin e vet të vendimmarrjes për këtë çështje. Prandaj ne inkurajojmë sistemin politik shqiptar, qeverinë dhe opozitën të kontribuojnë drejt këtij objektivi duke komunikuar me të gjitha shtetet anëtare për ti shpjeguar se çfarë ka arritur Shqipëria.”
Edhe Kryeministri Edi Rama kishte një apel për opozitën për këto tre javët vendimtare për Shqipërinë të lërë mënjanë protestat partiake dhe jo popullore të cilat po përcjellin imazhin e gabuar në botë.
Edi Rama: Kam një apel për Lulzim Bashën dhe atë pjesë të opozitës që është rrugëve. Deri në momentin e vendimmarrjes së KE është mirë të mendojmë për Shqipërinë dhe jo për partinë, të mendojmë për gjeneratën tjetër dhe jo zgjedhjet e radhës. Është mirë të mos furnizojmë ata që mund të jenë të lëkundur apo në kërkim të arsyeve për të thënë jo me pamje të gënjeshtërta që nuk pasqyrojnë realitetin nga Tirana, protestash që janë partiake, nuk janë popullore.
Nëse opozita rrugore do të ndalonte dhe do ti jepte një shans Shqipërisë, jo qeverisë, 100% Shqipëria do të hapte negociatat. I vetmi element i panjohur në këtë ekuacion është opozita rrugore e Shqipërisë.”
Nuk ka 6 pa 7
Kryeministri la të nënkuptojë se nuk heq dorë nga ftesa për dialog me Lulzim Bashën
Edi Rama: “Letrat thonë nuk ka 6 pa 7. Nuk e di, por mbase do të ketë edhe një të 7. Por në 6 letrat që kanë qenë 6 ftesa të përditëshme unë jam përpjekur të bëjë me të mirën. Sa ja kam arritur nuk e di. Pak, por e sigurtë është që në 1 qershor PS do të fillojë fushatën për zgjedhjet e ardhshmë vendore të datës 30. Nuk bëhet fjalë se kush do të jetë kryetari i ri i Bashkisë, por për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.”
Rama: Rekomandimi pa kushte, konfirmim që Shqipëria bëri detyrat
Më parë kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Twitter tha se rekomandimi i KE-se kjo konfirmon se Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtëpisë në këtë proces.
Edi Rama: Rekomandimi pozitiv pa kushte i Komisionit Europian për çeljen zyrtare të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian, konfirmon se Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtëpisë në këtë proces.