Të dashur vëllezër dhe motra, Gëzuar Krishtlindjen!
Sytë dhe zemrat e të krishterëve anembanë botës drejtohen sot nga Betlehemi; atje ku këto ditë mbretëron dhimbja dhe heshtja, kumboi lajmi i pritur ndër shekuj: “Për ty lindi Shëlbuesi, që është Krishti Zot” (Lk 2,11). Janë fjalët e engjëllit në qiellin e Betlehemit e na drejtohen edhe neve. Mbushem me besim dhe shpresë kur mësojmë se Zoti lindi për ne; se Fjala e përjetshme e Atit, e Hyjit të pafundëm, e bëri shtëpinë e tij mes nesh. Ai u mishërua, erdhi “të jetojë mes nesh” (Gjn 1,14): ja lajmi që ndryshon rrjedhën e historisë!
Me këto fjalë të Papës fillon mesazhi Urbi et Orbi, që Ati i Shenjtë, siç është traditë, ia drejton për Krishtlindje Romës dhe botës. E me këto fjalë, redaksia e gjuhës shqipe në Radio Vatikan / Vatican News, iu uron të gjithë juve, për shumë mot Krishtlindjen. Foshnja hyjnore sjelltë bekime e gëzime në të gjitha familjet e në jetën tuaj.
Në Betlehem – shpjegoi sot Papa në mesazhin Urbi et Orbi – shpallet një “gëzim i madh” (Lk 2:10). Çfarë gëzimi? Jo lumturia kalimtare e botës, jo gëzimi i argëtimit, por një gëzim “i madh” sepse na bën “të mëdhenj”. Sot ne, qeniet njerëzore, me kufizimet tona, rrokim sigurinë e një shprese të paparë, atë që na kujton se lindëm për Parajsë. Po, vëllai ynë Jezusi erdhi për ta bërë Atin e tij, Atin tonë: Fëmijë i brishtë, ai na zbulon butësinë e Perëndisë; e edhe shumë më tepër: Ai, Biri i vetëm i Atit, na jep “fuqinë për t’u bërë bij të Zotit” (Gjoni 1:12).
Ja pra gëzimi që ngushëllon zemrën, përtërin shpresën e dhuron paqen: është gëzimi i Shpirtit Shenjt, gëzimi se jemi fëmijë të dashur.
Vëllezër dhe motra, – nënvizoi Ati i Shenjtë – sot në Betlehem mes errësirës së tokës u ndez kjo flakë e pashuar, sot mbi errësirën e botës, sundon drita e Zotit “që ndriçon çdo njeri” (Gjoni 1,9). Le të gëzohemi për këtë hir. Gëzoju ti, që e ke humbur besimin dhe sigurinë, sepse nuk je më vetëm: Krishti lindi për ty! Gëzohu ti, që hoqe dorë nga shpresa, sepse Zoti po ta jep dorën: nuk të jep gishtin, por të shtrin dorën e tij të vogël prej ferishteje, për të të çliruar nga frika e nga mundimi dhe për të të treguar se në syte e tij ti vlen ma shumë se çdo gjë tjeter . Gëzohu, ti që nuk mund të gjesh paqe në zemrën tënde, sepse për ty është përmbushur profecia e lashtë e Isaisë: “Na lindi një fëmijë, na u dha një djalë […] emri i tij do të jetë: […] Princi i Paqes” (9.5)”. Me Të “paqja nuk do të ketë mbarim” (9.6).
Në Shkrimin Shenjt, Princit të Paqes i kundërvihet “princi i kësaj bote” (Gjn 12,31), i cili, duke mbjellë vdekjen, vepron kundër Zotit, “dashuronjësit të jetës” (Dija, 11,26). E shohim në veprim në Betlehem kur, pas lindjes së Shëlbuesit, ndodh masakra e të pafajshmëve. Sa masakra të të pafajshmëve në botë: në barkun e nënës, në rrugët e të dëshpëruarve në kërkim të shpresës, në jetën e shumë fëmijëve, fëmijëria e të cilëve është shkatërruar nga lufta. Janë Jezusët e vegjël të sotëm.
Pra, t’i thuash “po” Princit të Paqes, do të thotë t’i thuash “jo” luftës, çdo lufte, vetë logjikës së luftës, udhëtim pa cak, humbje pa fitues, çmenduri pa justifikime – vuri në dukje Papa gjendjen aktuale, në të cilën ndodhet bota. – Por për t’i thënë “jo” luftës, duhet t’i thuash “jo” armëve. Mbasi, nëse njeriu, zemra e të cilit është e paqëndrueshme dhe e plagosur, mban mjete vdekjeje në duar, herët a vonë do t’i përdorë. E si mund të flasim për paqe, nëse rritet prodhimi, shitja dhe tregtia e armëve? Sot, si në kohën e Herodit, komplotet e së keqes, që i kundërvihen dritës hyjnore, lëvizin nën hijen e hipokrizisë dhe të fshehjes: sa masakra të armatosura ndodhin në heshtje shurdhuese, pa dijeninë e shumëkujt! Populli, që nuk do armë, por bukë, që lufton për të ecur përpara dhe për të kërkuar paqen, nuk e di sa para publike përdoren për armatim. E pra, ai duhet ta dijë! Duhet folur, duhet shkruar për të, që t’i dimë interesat dhe fitimet të cilët i lëvizin fijet e luftërave.
Isaia, i cili profetizoi Princin e Paqes, shkroi për një ditë kur “një komb nuk do ta ngrejë më shpatën kundër një kombi tjetër”; për një ditë, në të cilën njerëzit “nuk do të mësojnë më artin e luftës”, por “do t’i shkrijnë shpatat e tyre dhe do t’i bëjnë parmenda e shtizat e tyre do t’i shndërrojnë në drapinj” (2.4). Me ndihmën e Zotit le të bëjmë çmos që ajo ditë të afrohet! – kërkoi Françesku, duke përmendur më pas vendet e planetit, më të përflakura nga konfliktet.
U afroftë në Izrael dhe Palestinë, ku lufta trondit jetën e atyre popullsive. I përqafoj të gjithë, në veçanti bashkësitë e krishtera të Gazës dhe të gjithë Tokës Shenjte. Kam në zemër dhimbjen për viktimat e sulmit të dhunshëm të 7 tetorit dhe përsëris thirrjen e ngutshme për lirimin e atyre që janë ende peng. Lutem të marrin fund operacionet ushtarake, me pasojat e tyre të frikshme të viktimave të pafajshme civile dhe të korrigjohet situata e dëshpëruar humanitare duke lejuar mbërritjen e ndihmave. Mos vazhdoftë ushqimi i dhunës dhe i urrejtjes, por të zgjidhet çështja palestineze, përmes dialogut të sinqertë dhe këmbëngulës ndërmjet palëve, të mbështetur nga një vullnet i fortë politik dhe nga ndihma e bashkësisë ndërkombëtare.
Mendimi im shkon më pas te popullsia e Sirisë së martirizuar, si dhe tek ajo e Jemenit, që vijon të vuajë. Mendoj për popullin e dashur libanez dhe lutem që së shpejti të gjejnë stabilitet politik dhe social.
Me sytë e ngulur te Krishti Fëmijë, kërkoj paqe për Ukrainën. Ta përtërijmë afërsinë tonë shpirtërore dhe njerëzore me popullin e saj të munduar, që me mbështetjen e secilit prej nesh ta ndjejnë konkretësinë e dashurisë së Zotit.
U afroftë dita e paqes përfundimtare ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit. U inkurajoftë nga vazhdimi i nismave humanitare, kthimi i të shpërngulurve në shtëpitë e tyre lirisht dhe në siguri si dhe respekti i ndërsjellë për traditat fetare dhe vendet e kultit të çdo bashkësie.
Të mos harrojmë tensionet dhe konfliktet që tronditin rajonin e Sahelit, Bririn e Afrikës, Sudanin, si dhe Kamerunin, Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut.
Ardhtë dita kur lidhjet vëllazërore në gadishullin Korean do të forcohen, duke hapur shtigje dialogu dhe pajtimi që mund të krijojnë kushtet për paqe të qëndrueshme.
Biri i Zotit, që u bë Fëmijë i përvujtë, frymëzoftë autoritetet politike dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë në kontinentin amerikan, që të gjenden zgjidhje të përshtatshme për të kapërcyer mosmarrëveshjet sociale dhe politike, për të luftuar kundër formave të varfërisë që fyejnë dinjitetin e njerëzve, për t’i rrafshuar pabarazitë dhe për të përballuar fenomenin e dhimbshëm të migrimit – vijoi Ati i Shenjtë.
Nga Shpella e Betlehemit, Foshnja na kërkon të jemi zëri i atyre që nuk kanë zë: zëri i të pafajshmëve, që vdiqën për mungesë uji dhe buke; zëri i atyre që nuk gjejnë punë ose e kanë humbur; zëri i atyre që detyrohen të largohen nga atdheu në kërkim të një ardhmërie më të mirë, duke rrezikuar jetën e tyre në udhëtime sfilitëse dhe në mëshirën e trafikantëve të paskrupullt.
Vëllezër dhe motra, – iu drejtua Papa besimtarëve, që e kishin mbushur plot Sheshin e Shën Pjetrit – po afron koha e hirit dhe e shpresës së Jubileut, e cila do të fillojë pas një viti. Kjo periudhë e përgatitjes është mundësi për kthimin e zemrës; për t’i thënë “jo” luftës dhe “po” paqes; për t’iu përgjigjur me gëzim ftesës së Zotit që na thërret, ashtu siç profetizoi Isaia, “për t’u sjellë lajme të mira të varfërve, / për të lidhur plagët e zemrave të thyera, / për të shpallur lirinë e skllevërve, / për lirimin e të burgosurve (Is. 61,1).
Këto fjalë u përmbushën në Jezusin (shih Luka 4:18), që lindi sot në Betlehem. Ta mirëpresim, t’ia hapim zemrat Atij, Shëlbuesit, Princit të paqes! – me këto fjalë e përfundoi Papa Françesku mesazhin Urbi et Orbi.
Në përfundim, të gjithë atyre, që morën bekimin e tij apostolik, edhe përmes mjeteve të komunikimit, Ati i Shenjtë u dha ndjesën e plotë sipas normave të zakonshme të Kishës Katolike, që parashikojnë pendesën e rrëfimin e mëkateve./Vaticannews-Argumentum.al