REALPOLITIK FLASH NR. 82
2 – 27 DHJETOR 2023
Mbi 5 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur,
Dr. JORGJI KOTE
1.Tërhiq e mos e këput! Ky ishte mesazhi kryesor i Samit BE- Kinë i zhvilluar më 10 Dhjetor në Pekin. Fjalë të mira, takime kortezie të më të mëdhenjve të tyre, pohime, premtime, ndonjë vërejtje sa për të lagur gojën. Është e natyrshme një klimë e tillë çtensonimi. BE-ja ndodhet në prag të fushatës së zgjedhjeve te reja europiane në qershor; kur ekstremi i djathtë është në revansh. Fitoi së fundi në Sllovaki dhe në Hollandë dhe po bëhet gati në vende të tjera të mëdha. Lufta në Ukrainë po e sforcon shumë polikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Kështuqë nuk i intereson përshkallëzimi i konfliktit me Kinën, ka nevojë për pak qetësi dhe reflektim, pa hapur fusha të reja betejash, se boll ka dhe kështu.
Po ashtu, Kina ka sfidat dhe problemet e veta politike, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike. Kësisoj, dhe asaj i intereson një lloj detante e përkohshme me BE-në dhe me SHBA-të. Ja pse Samiti këtë rradhë shkoi qetë dhe “ fjollë”
2. Paqtim mbas furtunës ishte ai që u bë me vizitën e Presidentit turk Erdogan në Athinë më 9 Dhjetor. Me mesazhe pozitive, afruese, pajtuese nga të dyja palët. Kur mendon fërkimet dhe tendosjet e mëdha gati për shpërthim para disa kohësh, kur Erdogan dhe Mitsotakis nuk e shihnin njeri tjetrin në sy. Ndërsa një ditë përpara nisjes për në Athinë ku u prit me pompë ai tha “ miku im Kyriakos, çdo problem do ta zgjidhim bashkë me vullnet politik”.
Ky ndryshim në sjelljen e tyre politike ishte i natyrshëm, mbasi të dyja vendet e kaluan fazën delikate zgjedhore, Erdogan dhe Mitsotakis fituan lehtë dhe një mandat tjetër në krye të vendit dhe hë për hë nuk rrezikohen nga opozitat e përçara. Kësisoj, të dy vendet lipset të kenë pak paqe mbas furtunave, për të marrë frymë dhe për t’u përqëndruar në fushat e tjera të njohura plot tensione brenda dhe jashtë NATO-s dhe BE-së.
3. Punë gjysmake! Kështu mund të thuhet për Vendimin e Këshillit Europian lidhur me mbështetjen ndaj Ukrainës më 14 Dhjetor. Me shumë vështirësi, mbas largimit nga salla të Kryeministrit hungarez, Orban, u ra dakord për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Ukrainës, Moldavisë dhe dhënien e statusit kandidat për në BE për Gjeorgjinë. Padyshim arritje e shënuar e këtij Samiti, veçanërisht në gjendjen e tanishme kur për Ukrainën vijnë lajme jo të mira, si nga fronti i luftimeve dhe ai brenda aleatëve të saj, në SHBA dhe gjetkë me një tkurje të vëmendjes dhe mbështetjes. Kësisoj, ky është mesazh madhor inkurajues për Ukrainën. Mirëpo kjo nuk u shoqërua dot me miratimin e paketës së ndihmave në shumën prej 50 miliard Euro, e cila është aq e nevojshmë për Ukrainën.
Nga ana tjetër, dhe në Samitin me vendet e Ballkanit Perendimor nuk u arrit asnjë përparim, veç “fjalëve të mira por gurë në trastë”; kjo kryesisht për faj të gjendjes në vendet tona, tensionit Serbi – Kosovë, bllokimit të Shkupit nga Sofja dhe Tiranës nga Athina. Ndaj, ky Samit megjithë shpresat e shumta mbeti gjysmak. Dhe kjo pritet të vijojë gjatë, mbasi qershorin e ardhshëm do të jenë zgjedhjet europiane, në nëntor presidencialet në SHBA, pastaj zgjedhja e organeve më të larta drejtuese dhe kështu me radhë.
4. Dilema beleriane i ngjan asaj hamletiane; veçse e dyta është politike dhe ndodh midis Greqisë dhe Shqipërisë. Ti japim apo mos t‘i japim leje Belerit për t’u betuar? – kjo është çështja! Po të mos i jepet kjo leje, Athina do të na thotë “ hip këtu dhe shih Stambollin por jo Brukselin“ dhe gjithë puna e deritanishme do të shkojë dëm. T’ia japim, do të thotë të shkelësh ligjin dhe drejtësinë tonë. Mirëpo, atëhere, përse e ke diplomacinë, je dhe në KS të OKB-së, etj. Që të të “pjellë“ mendja, të krijosh. Pra, bëj një rregullim ligjor ku të lejohet ky betim, punë javësh, jo muajsh dhe aq. Nuk duam sovranizëm, duam europianizm. Rama thotë se demek ne jemi shtet europian. Po Greqia, nuk është europiane? Ndaj t’i jepet fund sa më parë kësaj dileme artificiale me lëshimet dhe kompromiset e rastit, sipas parimit “ mishi të piqet dhe helli të mos digjet” Më nevojtarët jemi ne!
5.Teknika ok, politika ibret! Më 15 Dhjetor, mbas kthimit nga Samiti në Bruksel, Kryeministri Rama thiri një konferencë shtypi. Ai u mundua ta kthente negativen në pozive, duke ngritur lart punën e 1000 negociatorëve në procesin e skanimit të legjislacionit për afrimin e tij me atë të BE-së. Tani, të them të drejtën dhe aq shumë negociatorë nuk janë; më saktësisht bëhet fjalë për shumë punonjës të dikastereve, Kuvendit, etj të aktivizuar në këto procese. Por nuk mund t’i quash të gjithë kështu, se pastaj u bie vlera negociatorëve të vërtetë. Madje ai premtoi se do të bëjnë dhe një ceremoni festive me ta krahas shpërblimit me një pagë shtesë, diçka e panevojshme. Nejse. Mirëpo, e kemi thënë dhe më parë se problemi dhe pengesa jonë në këtë drejtim nuk është ana teknike dhe negociimi e as teknikalitetet, siç rreket të thotë Rama. E njoh mirë këtë dosje, sepse jam marrë mbi 10 vite si diplomat në Bruksel dhe në Berlin; ndaj e di se negociatorët tanë, qysh nga fillimi në vitin 2000 e në vazhdim kanë qenë në lartësinë e detyrës. Kjo dhe falë trajnimit të tyre në metropolet e BE-së. Edhe pse më vonë shumë prej tyre janë hequr nga puna pas rotacioneve politike.
Problemi dhe e keqja më e madhe në këtë drejtim kanë qenë dhe mbeten politikanët dhe liderët tanë me politikat e tyre të gabuara brenda dhe jashtë vendit. Për shkak të tyre, vazhdimisht ka patur probleme deri te çështja Beleri. Por jo vetëm aq; mungesa, mangësi e vonesa të mëdha ka dhe në luftën kundër krimit, korrupsionit, aferave dhe skandaleve, mungesës së dialogut me opozitën, etj. Të gjitha këto dhe të tjera difekte janë shënuar së fundmi dhe në Përfundimet e Këshillit Europian të datës 15 Dhjetor. Pra, kujdes, negociatorët teknikë vijnë dhe shkojnë, por gjithsesi ata e kanë shumë më të lehtë punën për të negociuar; ashtu sikurse vështirësia nuk ka të bëjë me përkthimin e korpusit ligjor të BE-së, por te zbatimi i termave dhe dispozitave ligjore për të cilat bien dakord, sepse te ne nuk është teknika por politika ajo që vendos. Mirëpo ajo shpesh kthehet në një “dru të shtrembër” anti-integrues, ndonëse me emra tingëllues.
© 2023 Argumentum