Gjatë vitit 2023 Malin e Zi e përshkoi kriza institucionale, mungesa e progresit në reformën e drejtësisë, ngadalësimi i reformave të integrimit në BE, por edhe tensionet dhe përplasjet politike që u bënë shkak për krizën politike në vend.
Zgjedhja në fund të tetorit të qeverisë së re e zotit Milojko Spajiq ishte e treta që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur pas tre dekadash u zëvendësua Partia Demokratike e Socialistëve e ish presidentit Gjukanoviq.
Megjithatë qeveria e re u prit me rezerva të dukshme nga fakti se në shumicën qeverisëse u përfshi edhe një ish drejtues i koalicionit politik pro-serb dhe pro-rus në Mal të Zi, Andrija Mandiq, të cilit iu dha posti i kryetarit të parlamentit të Malit të Zi.
Opozita tha se kjo ishte një “ditë e zezë” për Malin e Zi dhe se është një goditje tjetër për themelet e shtetit të pavarur.
Ndërkaq, premtimet e kryeministrit Milojko Spajiq për të realizuar një agjendë reformash dhe për të shpejtuar integrimet evropiane, sipas qeverisë malazeze gjithnjë e më shumë po realizohen. Ata vlerësojnë zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Marrëveshjen me opozitën për regjistrimin e popullsisë e sidomos puna në integrimet evropiane ku zoti Spajiq paralajmëron mbylljen e kapitujve.
“Për herë të parë përmenden mbylljet e kapitujve me Malin e Zi, pas një kohe të gjatë, si rezultat i një përparimi të dukshëm në përmbylljen e kapitujve 23 dhe 24 mbi sundimin e Ligjit”, tha zoti Spajiq.
Edhe miratimin e buxhetit kryeministri Spajiq e cilësoi si “një punë të mirë për mirëqenien e qytetarëve dhe se gjithçka e premtuar po realizohet”.
Në anën tjetër partitë pro-serbe dhe pro-ruse, sipas opozitës malazeze, po e minojnë shtetësinë e Malit të Zi.
Nisma për dialog për shtetësinë e dyfishtë dhe ndryshimin e Ligjit për Malin e Zi, të cilën e kërkoi kryetari i parlamentit malazez Andrija Mandiq, sipas opozitës “është çështje politike dhe më së paku juridike”.
“Kërkesa për shtetësi të dyfishtë që e mbështesin partitë pro-serbe dhe pro-ruse ka për qëllim ndryshimin e identitetit kombëtar në Mal të Zi”, thotë opozita. Kjo, sipas tyre” do të përdorej kryesisht për të sjellë votues nga rajoni ,nga republika Srbska dhe nga Serbia për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve në vend”.
Opozita dhe analistët e pavarur shprehin shqetësimin, se në bazë të marrëveshjes, përfaqësuesit e partive pro-serbe dhe pro-ruse, përveç postit të kryetarit të parlamentit, do të përfshihen edhe në qeverinë e kryeministrit Spajiq deri në fund të vitit të ardhshëm, duke marrë disa dikastere të rëndësishme në qeveri.
Për këtë arsye analistët shprehin shqetësimin se viti i ardhshëm do të ketë një krizë edhe më të thellë politike mes grupimeve pro-malazeze dhe atyre pro-serbe dhe pro-ruse duke e thelluar edhe më tej ndarjen në skenën politike të vendit.
Mali i Zi u bashkua me NATO-n në vitin 2017, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për grusht shteti një vit më herët, për të cilën Podgorica akuzoi agjentët rusë dhe ultranacionalistët serbë.