Nga sot deri më 30 qershor, Belgjika merr për të trembëdhjetën herë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian. Kryesimi përfshin një sërë detyrash. Belgjika deklaron se do të koordinojë operacionet e saj dhe do të promovojë bashkëpunimin mes shteteve anëtare.
Kryeministri, Alexander De Croo dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Hadja Lahbib, prezantuan programin dhe prioritetet e presidencës belge të Këshillit të Bashkimit Evropian në Bruksel më 8 dhjetor 2023. Ata deklaruan se programi u përgjigjet sfidave aktuale dhe nevojës për siguri dhe perspektivë për mbi 440 milionë qytetarët e BE-së.
Për Belgjikën, marrja e rolit të presidencës së Këshillit të BE-së është “një nder i vërtetë” u shpreh kryeministri, por edhe ‘përgjegjësi’ në këto kohë të vështira.
Krizat e sotme janë sfida të cilat shpesh kanë çuar në përparime të mëdha në të kaluarën.
“Evolucioni i Bashkimit Evropian nuk ka qenë kurrë një vijë e drejtë. Dhe shpesh, në momentet më të vështira, janë bërë hapat të mëdhenj përpara,” vuri në dukje Alexander De Croo, shkruhet në belgian-presidency
Presidenca belge merre rëndësi për shkak edhe të kohës, pasi në qershor 2024 zhvillohen edhe zgjedhjet evropiane. Nën presidencën belge, do të zhvillohen më shumë se 530 takime jozyrtare dhe rreth 2 000 takime formale.
Këto përfshijnë takime përgatitore dhe takime jozyrtare të përfaqësuesve kombëtarë në grupet e punës të Këshillit, duke sjellë së bashku ambasadorët e shteteve anëtare me BE-në, dhe takime dhe samite ministrore, deri në nivelin e krerëve të shteteve dhe liderëve qeveritarë.
Vetëm në nivel ministror do të organizohen rreth 150 takime formale dhe joformale.
Çdo gjashtë muaj, një nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian merr rolin e presidentit të Këshillit të BE-së.
Për këtë periudhë, shteti anëtar kryeson mbledhjet e Këshillit dhe kontribuon në vazhdimin e aktiviteteve të Këshillit, rrjedhën e proceseve legjislative dhe bashkëpunimin mes shteteve anëtare dhe institucioneve të tjera të BE-së.