Nis sot zbatimi i tatimit progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira.
Në total, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në regjimin e ri tatimor do të përfshihen deri në 29 mijë biznese të profesioneve të lira. MFE llogarit se deri 90% e totalit të bizneseve (të ndarë sipas 3 kategorive, si: të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë) përfshihen në fashën e të ardhurave vjetore deri në 14 milionë lekë në vit që do të tatohen me normë 15%.
Më 22 dhjetor 2023, në Fletoren Zyrtare u botua VKM me listën për shërbimet e profesioneve të lira që do të përfshihen në taksimin e ri. Në profesionet e lira janë përfshirë 26 lloje aktivitetesh të ndarë në 180 profesione.
Sipas relacionit të projektbuxhetit 2024, efekti i parashikuar në buxhet është 3 miliardë lekë më shumë.
Në listën e profesioneve të lira u përfshinë aktivitetet e shërbimeve të IT, të kontabilitetit, avokatët, arsimin, mjekët, pasuritë e paluajtshme, agjencitë e lajmeve, agjencitë e punësimit, të sportit operatorët turistikë etj.
Kontabilisti Sotiraq Dhamo tha se numri i profesioneve të lira të përfshira është i pakët pasi ato janë të rregulluara me ligj, si: audituesit, avokatët, mjekët, noterët, kontabilistët, infermierët…. Të tjerët janë thjesht shërbime që ofrohen nga individë. Për këtë arsye, sipas tij, lista përmban më shumë shërbime që ofrohen nga individët.
Dhamo theksoi se vendimi me listën analitike të profesioneve të lira duhej të ishte publikuar 3 muaj pas miratimit të ligjit. Ligji u miratua në muajin mars dhe VKM përkatësisht duhej të publikohej në periudhën korrik-gusht 2023.
Sipas listës analitike në taksimin e ri do të përfshihen kategoritë e aktiviteteve si:
Filma, video dhe prodhimi i programeve televizivë, regjistrimi i zërit dhe aktivitete të prodhimit të muzikës;
Shërbime të teknologjisë së informacionit;
Aktivitete të shërbimit të informacionit; Aktivitete të shërbimeve financiare, përveç sigurimeve dhe financimit të pensioneve;
Sigurimi, risigurimi dhe financimi i fondeve të pensioneve, përjashtuar sigurimin shoqëror të detyrueshëm; Aktivitete ndihmëse të ndërmjetësimit financiar përveç sigurimit dhe financimit të pensioneve;
Aktivitete të pasurive të paluajtshme; Aktivitete juridike dhe të kontabilitetit; Aktivitete arkitekture dhe inxhinierie;
Aktivitete të kontrolleve dhe analizave teknike; Publiciteti dhe kërkimet e tregut; Aktivitete të tjera profesionale, shkencore dhe teknike; Aktivitete veterinare;
Aktivitete të marrjes e dhënies me qira; Aktivitete të punësimit; Agjenci udhëtimi, operator turistik dhe të tjera aktivitete të shërbimit të rezervimit;
Administrim zyrash mbështetje administrative dhe të tjera aktivitete mbështetëse; Administrimi publik dhe mbrojtja; Sigurimi social i detyrueshëm;
Arsimi; Aktivitete të shëndetit; Aktivitete të qendrave të kujdesit mjekësor e social;
Aktivitete të kujdesit social pa akomodim; Aktivitete krijuese; Arte dhe aktivitete çlodhëse;
Aktivitete sportive argëtuese dhe çlodhëse; Aktivitete të tjera shërbimi./Monitor
Lista e plotë: https://qbz.gov.al/eli/fz/2023/187/ff511c32-7d11-435f-89ae-80b1fed2e1ce