Policia e Durrësit njofton se në vijim të hetimit për vetëvrasjen e 41-vjeçares Bedrie Loka nga Sukthi, ka arrestuar bashkëshortin e saj, Xhemal Loka.
Sipas Policisë, shkak për arrestimin e bashkëshortit është fakti se dyshohet se ai ka ushtruar dhunë psikologjike në mënyrë të vazhdueshme karshi 41-vjeçares.
“Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për zbardhjen e shkakut të konsumimit të lëndës helmuese nga 41-vjeçarja Bedrie Loka, e cila më pas humbi jetën, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan shtetasin Xhemal Loka, 45 vjeç, i cili përkohësisht jetonte në Greqi, për shkak të punës. Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi Xhemal Loka 45 vjeç, kishte dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij, shtetasen Bedrie Loka”, njofton Policia e Durrësit
“Gjithashtu, nga hetimet e thelluara rezultoi se më datë 27.12.2023, shtetasi Xhemal Loka e ka kërcënuar bashkëshorten me mjet prerës (thikë), për të vrarë, në prezencë të njërit prej fëmijëve. Për këtë rast, shtetasja Bedrie Loka nuk ka bërë kallëzim në Polici. Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së 45-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë sekuestruar celularin e shtetasit Xhemal Loka, i cili e kishte fshehur atë, dhe nuk ka bashkëpunuar me Policinë”, bën të ditur Policia.
“Ky celular, bashkë me celularin e shtetases Bedrie Loka, janë dërguar për ekspertimin me qëllim gjetjen e provave për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes. Po në vijim të veprimeve të thelluara janë kryer një sërë veprimesh të tjera procedurale me qëllim dokumentimin e plotë të shkakut që detyroi shtetasen Bedrie Loka, të konsumonte lëndë helmuese. Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet e thelluara me qëllim zbardhjen e plotë të shkakut që detyroi 41-vjeçaren të konsumonte lëndë helmuese, nga e cila për pasojë humbi jetën”, vijon njoftimi i Policisë së Durrësit.
“Gjithashtu, nga strukturat e specializuara për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryehen veprime hetimore intensive për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin/en e keqpërdorimit të të dhënave të shtetases Bedrie Loka, në rrjetin social “Tik Tok”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, përfundon njoftimi i Policisë.