Tre të rinj shqiptarë që ishin nisur për në Gjermani janë dhunuar brutalisht sapo kanë zbritur nga trageti në Kotorr, të Malit të Zi.
Lajmi u denoncua përmes rrjeteve sociale nga familjarët e tyre, të cilët pretendojnë se ata u dhunuan nga 8 persona të veshur me veshje ushtarake. Në një interesim mbi këtë çështje, Policia e Shtetit thekson se të dhunuarit janë Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaci.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 më 6 Janar, në vendin e quajtur Zelenika në afërsi të qytetit të Hercegnovit.
“Bazuar informacionin per nje incident i tre shtetasve shqiptare ne Hercegnovi te Malit te Zi,u mor kontakt me koleget malazez dhe konkretisht me Drejtorin e Policise Herceg Novi Zotin Slobodan Djokic nga i cili morem informacionin si me poshte vijon.
Sot me date 06.01.2023 rreth ores 14.00 ne vendin e quajtur Zelenika ne afersi te qytetit te Hercegnovit tre shtetas shqiptare me nje mjet me targa gjermane jane sulmuar nga nje grup prej 6 ose 7 personash pa asnje shkak, duke i goditur fillimisht makinen dhe pas daljes se dy shtetasve shqiptare nga makina jane sulmuar fizikisht edhe keta shtetas duke ju krijuar plage ne pjese te ndryshme te trupit. Keta shtetas jane paraqitur ne policine lokale me Hercegnovi per ndihme dhe jane trajtuar fillimisht na ana e mjekut ligjore ku jane konstatuar demtime te kategorizuar RRAHJE. Nga ana e policise malazeze ju eshte kerkuar te benin denoncim por keta shtetas te friksuar nuk kane pranuar te bejne nje gje te tille deri ne ardhjen e nje avokati shqiptar dhe per kete po shkon ne drejtimin tuaj po shkon nje avokat nga Ulqini. Shtetasit e demtuar jane:
1- Klodjan Meaj
2- Azem Dervishi
3-Doris Kopaci.
Ne bashkepunim me koleget malazeze kemi arritur qe te kontaktojme me shtetasit shqiptare te demtuar duke ju ofruar te gjithe asistencen qe ata kane nevoje. Nga koleget malazeze dhe konkretisht nga Drejtori Djokic jemi informuar se jane ne hetime intensive per zbardhjen e kesaj ngjarje te rende dhe per kete arsye jane shoqeruar disa persona. Me ardhjen e avokatit do tu vihen per njohje disa foto per personat qe mund te jene autore te mundeshem te kesaj vepre penale te rende”– thuhet në njoftimin e Policisë.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur sot në Mal të Zi ku tre shtetas shqiptarë janë dhunuar nga disa persona tē panjohur.
Ministri Balla ka falenderuar Kryeministrin e Malit të Zi, Milojoko Spajic, i cili reagoi për rastin e dhunës ndaj tre shqiptarëve sot në Mal të Zi.
Më herët, ministri zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin e Brendshëm të Malit të Zi, Danilo Šaranović pas ngjarjes së ndodhur në zonën e Herceg Novit, ku tre shtetas shqiptarë janë dhunuar nga tetë persona të veshur me uniforma ushtarake.
Balla i ka kërkuar homologut të tij malazez informacion lidhur me ngjarjen, ndërsa ka falenderuar Policinë e Malit të Zi për reagimin e menjëhershëm.
“Jam falenderues për reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe Policisë së Malit të Zi në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj tre të rinjve shqiptarë në zonën e Herceg Novit. Një hetim i plotë është duke u kryer dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi”, ka theksuar Balla në një postim në rrjetin social X.
Ministri shqiptar i Administratës Publike në Malin e Zi, Marash Dukaj ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj tre shtetasve shqiptarë në Mal të Zi, ndërsa u ka bërë thirrje organeve kompetente që të marrin masa në zbardhjen e ngjarjes sa më shpejt. Ai ka kujtur dhe rastin e ngjashëm që ka ndodhur në shkurt të 2023 me ish-ministrin Petraq Milo që po ashtu u dhunua në kufi.
“U bëj thirrje organeve kompetente që të hetojnë urgjentisht të gjitha rrethanat e ngjarjes në të cilën sipas raportimeve në rrjetet sociale “tetë persona me uniformë” në Herceg Novi sulmuan tre shtetas të Shqipërisë, të marrin masa në kompetencën e tyre dhe të informojnë publike sa më shpejt të jetë e mundur për të gjitha detajet përkatëse. Fatkeqësisht, Mali i Zi ka përvojën e keqe të një incidenti të ngjashëm që ndodhi në fillim të vitit të shkuar, por për fat të mirë, ai ka gjithashtu një traditë shumë më të gjatë shekullore të fqinjësisë së mirë, çiltërsisë, përzemërsisë dhe solidaritetit.
Veprat kriminale nuk kryhen nga kombe apo institucione, por nga individë që kanë emër dhe mbiemër. Prandaj është e nevojshme të identifikohen urgjentisht fajtorët që të mos aludohet për ndonjë faj kolektiv, e aq më pak për politikë. Ky mesazh dhe kjo filozofi veprimi dhe mendimi është thelbi i asaj që u përcolla pasditen e sotme zyrtarëve shqiptarë që më telefonuan me interes për këtë ngjarje fatkeqe që nuk është kurrësesi tradita mes dy shteteve tona”, shkruan ai.
Kryeministri i Malit të Zi: Keqardhje për ngjarjen! Një autor është identifikuar, po punohet për kapjen e tij
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic, thotë se ngjarja ku tre të rinj nga Shqipëria u dhunuan barbarisht po hetohet me intensitet. Një autor siç njofton ai është identifikuar.
“Më vjen shumë keq për ngjarjet e sotme që ndodhën të ftuarit tanë të dashur nga Shqipëria. Theksoj se Mali i Zi duhet dhe do të jetë një oaz paqeje dhe sigurie për të gjithë. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit dhe ne po punojmë për t’i ofruar të gjithëve sigurinë dhe mikpritjen që meritojnë. Një autor është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij. Së shpejti të gjitha informacionet do të bëhen të ditura për të tjerët.”
Ambasada shqiptare në Mal të Zi: I kemi marrë në mbrojtje, presim zbardhjen e ngjarjes
Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur sot ku tre shtetas shqiptarë janë dhunuar nga tetë persona të veshur me uniforma ushtarake.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasada shqiptare deklaron se po ndjek nga afër ngjarjen e pasdites së sotme, ku tre shtetas shqiptarë janë dhunuar në zonën e Zelenika-s, pranë qytetit Herceg Novi.
“Që prej momentit të parë kur jemi njoftuar, jemi vënë në kontakt me shtetasit, i kemi marrë në mbrojtje dhe po i ofrojmë çdo shërbim të nevojshëm, përfshirë edhe atë ligjor. Një përfaqësues i ambasadës ka udhëtuar drejt zonës, ndërsa kemi kërkuar nga policia dhe autoritetet ligjzbatuese zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimim e autorëve”, deklaron ambasada.
Shtetasit shqiptarë të asistuar nga ambasada kanë bërë denoncimin pranë autoriteteve policore malazeze.
/Argumentum.al