Në kuadër të vizitës që po zhvillon sot në Malin e Zi, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani pati një takim me homologun Filip Ivanović.
Në konferencën e përbashkët për median, Hasani u shpreh se, Shqipëria e konsideron Malin e Zi një aleat të pazëvendësueshëm.
“Kjo vizitë është në fakt pjesë e një turi rajonal që ka për qëllim ndarjen e ideve e mendimeve mbi punën që duhet të bëjmë të gjithë së bashku për të mirën e rajonit e për të mirën e qytetarëve tanë, për të avancuar bashkëpunimin dhe projektet e shumta mes nesh, por edhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në hapësirën euroatlantike”, u shpreh Hasani në deklaratën për mediet.
Sipas tij, Mali i Zi është për Shqipërinë një partner me një rëndësi të veçantë.
“Një vend, marrëdhëniet me të cilin janë një model i fqinjësisë së mirë dhe i bashkëpunimit. Shqipëria e konsideron Malin e Zi një aleat të pazëvendësueshëm në NATO dhe në të gjithë procesin e anëtarësimit në BE”, shtoi Hasani.
“Bashkëpunimi mes dy vendeve tona, sidomos gjatë viteve të fundit ka shënuar një progres të dukshëm. Dialogu politik është intensifikuar dhe kontributi ynë për paqen, sigurinë dhe orientimin euroatlantik të rajonit ka ardhur duke u shtuar. Jam besimplotë që ky bashkëpunim do të vijojë dhe me qeverinë tuaj”, iu drejtua Hasani homologut malazez.
“Ne patëm mundësinë të bisedojmë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, ku pjesë thelbësore e diskutimit tonë ishte zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara së fundmi, në mbledhjen e dytë të përbashkët të dy qeverive. E kam fjalën këtu për marrëveshjet për hapjen e pikave të reja kufitare, rritjen e investimeve dhe projekteve në zonat ndërkufitare, me një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies së këtyre zonave, të transportit rrugor, ujor e hekurudhor, me fokus përfshirjen në korridoret evropiane”, theksoi Hasani.