REALPOLITIK FLASH NR. 83
2 – 19 JANAR 2024
Mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur,
Dr. Jorgji KOTE
1.Presidenca belge e BE-së në kriza dhe konflikte në gjysmën e parë të vitit 2024. Vetë Belgjika do të ketë zgjedhjet bashkiake, rajonale dhe federale më 6 Qershor 2024, kur zhvillohen dhe zgjedhjet europiane, fushata e të cilave sapo ka filluar. Sfida më e madhe është neutralizimi i tentativave të së djathtës ekstreme për më shumë përfaqësim në forumin më të lartë të BE-së. Ajo është në pushtet në Itali, Slovaki, Finlandë, Holandë, dhe me trysni në rritje në Francë, Gjermani, Spanjë, etj.
Një nga kërkesat kryesore për shmangien e fuqizimit të ekstremit të djathtë është që brenda muajit Mars, në Samitin e BE-së të realizohet konsensusi i nevojshëm mbi Paktin e Migrimit. Kjo mbasi azili i paligjshëm po i qëndron te koka si ” Shpata e Demokleut” në 8 vitet e fundit BE-së. Madje, 2023 theu rekordin e vitit 2015 me mbi 1 milion azilantë të paligjshëm!
Paralelisht me zgjedhjet europiane do jetë dhe fushata paraprake e zgjedhjeve presidenciale amerikane, vendimtare për Europën dhe transatlantizmin në përgjithësi.
Dy kryesfidat e tjera më të mëdha janë vazhdimi i luftës midis Rusisë dhe Ukrainës që më 24 shkurt hyn në vitin e saj të tretë për të cilat ARGUMENTUM ka shkruar shumë, ndaj nuk po ndalemi më tej këtu.
Sfida tjetër madhore është në Lindjen e Mesme, në vijim të përshkallëzimit të gjendjes pas sulmit terrorist të Hamasit kundër Izraelit më 7 Tetor 2023. Çështja këtu shtrohet që të forcohet roli gjeopolitik i BE-së, mbasi deri tani, ka qenë më tepër spektatore në atë rajon dhe donatore ndihmash. Mirëpo gjendja dhe rebusi politik atje është tejet i ngatërruar dhe shpërthyes; ai nuk lejon qoftë dhe një armpushim të vogël, le më pastaj paqe të qëndrueshme sipas projektit me dy shtete.
Dy kryesfidat e tjera i takojnë Ballkanit Perendimor si rajon dhe secilit vend në të. Këtu spikat problemi i mbetur i dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, sidomos i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit e deri te asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe aspektet e tjera ta debatueshme. Mirëpo, praktikisht, duke qenë se dhe ndërmjetësuesit perendimorë “kanë dalë jashtë loje sepse realisht u ka dalë boja” pavarësisht nga eufemizmat diplomatike nuk pritet ndonjë arritje. Presidencës belge, megjithë predispozicionin e përhershëm dhe traditën e saj pozitive të mbështetjes pa rezerva të rajonit i mbetet vetëm të zbatojë parimin ” tërhiq e mos e këput” derisa të zgjidhen lidershipet e reja në BE dhe në SHBA në fund të vitit.
As lidhur me zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perendimor nuk pritet gjë; për rastin tonë kërkohet detyrimisht zgjidhja e Çështjes Beleri, ndryshe në kalendat greke.
Megjithatë, ka vend për optimizëm të moderuar, kur mendon se Belgjika i ka mundësitë, traditat, përvojën dhe kapacitetet për t’i përballuar këto sfida madhore.
Kështu, në 4 dekadat e fundit, kryeministrat e saj të mirënjohur, i ndjeri Wilfried Martens dhe Luc de Haene, deri te ai më i riu, Guy Verhofstadt kanë qenë përkatësisht president i Partive Popullore Europiane, Nënkryetar i Komisionit Kushtetues të BE-së dhe Kryetar i Grupit Liberal në Parlamentin Europian, ky i fundit deri në ditët e sotme; Ish Kryeministri Herman van Rompuy ishte President i Këshillit Europian gjatë periudhës 2009 – 2014, ndërsa Charles Michel gjatë periudhës 2019 e në vazhdim.
2. BE-së i mungon Delori! Kjo mungesë ndihet më shumë mbas 5 janarit kur iu dha lamtumira e fundit ish europianistit emblematik, Jacques Delors. Pa dyshim Presidenti më i madh i Komisionit ( 1984 – 1994) Kjo falë personalitetit, integritetit absolut dhe vizionit të tij, çka bënë të mundur që Europa në ato vite vendimtare të realizonte disa arritje vërtet madhështore dhe t’i çelte rrugën sukseseve dhe më të bujshme. Delors ishte në krye kur BE-ja realizoi Shengenin historik më 1985, Tregun Unik më 1986, përgatitja e bazave të Euros, shembja e komunizmit në Europën Qendrore dhe Lindore, fillimin e procesit të zgjerimit nga ish lindja, Traktati i Maastrihtit më 1992 e të tjera. Ky socialist i shquar francez iu imponua me logjikën, autoritetin dhe fuqinë e butë të gjitha instancave të tjera të BE-së. Asnjë tjetër përpara dhe mbas tij nuk ka arritur në ato lartësi; kjo sepse tanimë pâvarësisht fjalëve të bukura dhe premtimeve, emisarët e lartë të BE-së janë më shumë produkte llgaritjesh dhe pazaresh politike, pa ndonjë vizion dhe fuqi të butë.
3. Tur i mirëpritur rajonal! Më 15 – 18 Janar Ministri i Jashtëm shqiptar Igli Hasani ishte në Shkup, Prishtinë dhe Podgoricë ku takoi drejtuesit më të lartë të shtetit, qeverisë dhe diplomacisë së tyre me rezultatet e njohura. Ajo që vlen të theksohet është vlera dhe dobia e këtij turi dhe mesazhet e tij, sidomos lidhur me ”ngrohjen” e marrëdhënieve me Kosovën. Deri tani jemi mësuar të shohim dhe dëgjojmë vetëm ose kryesisht Kryeministrin. Puna ndryshon kur bëhet fjalë për kryediplomatin, sepse kështu dhe hierarkia diplomatike ndiqet më mirë, duke krijuar zona dhe hapësira për ndërhyrje, përshtatje dhe riparimet e rastit. Kësisoj, krijohen dhe kushtet për normalizimin e marrëdhënieve midis kryeministrave, sidomos me Kosovën.
4. Ftohtë jashtë dhe politikisht nxehtë brenda Davosit më 16 – 20 janar kur u zhvillua Forumi Ekonomik Botëror. Ndonëse aty nuk merret asnjë vendim, prania në të është ”Must” për politikën dhe diplomacinë botërore. Vërtet që jashtë Davosit ishte acar dhe akull, por brenda kishte vapë politike.
Ndryshe nga më parë, ku Davosi merrej me një temë të nxehtë politike dhe të tjerat ishin ekonomike, këtë vit aty janë agresioni rus ndaj Ukrainës, lufta e drejtë e kësaj të fundit, nevoja për paqe që hë për hë mbetet vetëm dëshirë e mirë; friksionet SHBA- Kinë, sidomos për Tajvanin; konflikti që rrezikon të përshkallëzohet në Lindjen e Mesme, me shumë sfida dhe të panjohura. Izraelit i kërkohet të jetë i kujdesshëm dhe përpjestimor, të respektojë të drejtën ndërkombëtare, Hamasit të ndalë dhunën dhe dorëzojë pengjet, Autoritetit palestinez të marrë përgjegjesi për Gazën nesër, nevoja për armëpushim dhe paqe të qëndrueshme me dy shtete në paqe dhe siguri. Po kështu kriza midis Serbisë dhe Kosovës, që sidomos mbas aktit terrorist të bandave serbe në Banjskë më 24 shtator është acaruar, ca më tepër mbas paralajmërimit të serbëve të Bosnies për shkëputje. Pa folur pastaj për migrimin e paligjshëm, ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale, inflacionin, inteligjencën artificiale, etj. Një axhendë vërtet shpërthyese në pak ditë për të 60 kryetarët shtetit, qindra qeveritarë të tjerë dhe mijëra ekspertë në Davos.
© 2024 Argumentum