Sot shënohen 13 vite nga protesta e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorë e Kombit” në Tiranë, ku katër qytetarë mbetën të vrarë.
Viktimat e protestës së 21 janarit të vitit 2011 ishin Hekuran Deda, Faik Myrtaj, Ziver Veizi dhe Aleks Nika.
Hetimi i Prokurorisë çoi si të pandehur për vrasjet e protestuesve para kryeministrisë, ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendin dhe përgjegjësin e njësisë speciale, Agim Llupo.
Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt ndodhën nga pakujdesia dhe dënoi në vitin 2013 Ndrea Prendin me 1 vit burg, si dhe gardistin Llupo me 3 vite, tashmë prej kohësh, të dy njerëz të lirë.
E vetmja vrasje që është ende çështje e hapur për drejtësinë shqiptare, është ajo e Aleks Nikës, e cila prej rreth 4 vitesh ‘fle’ në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës.
Vrasja e protestuesit nga Lezha mbetet ende pa autor pasi drejtësia shqiptare s’ka mundur të faktojë se nga cila armë u qëllua. Predha që iu hoq viktimës nga trupi në Turqi, ishte shtypur e dëmtuar në atë masë sa ishte bërë e pa ekspertueshme. E njëjta predhë që e la të vdekur Aleks Nikën është dërguar për ekzaminim në Itali. Edhe vrasja e Hekuran Dedës është ende pa autor.
Dosja “21 janari” ka mbërritur në Gjykatën e Lartë. Të bindur se gardës iu dha urdhër për të qëlluar dhe përgjegjës për këtë krim janë Sali Berisha, kryeministër e Lulzim Basha si ministër i Brendshëm i kohës, familjarët e Aleks Nikës nuk e kanë ndalur betejën për hetimin e dosjes së “21 janarit” nga SPAK.
Dy shkallë të drejtësisë, Gjykata e Apeli i Posaçëm ia rrëzuan njëra pas tjetrës kërkesën, por familjarët s’u ndalën dhe bënë rekurs në Gjykatën e Lartë duke kërkuar që të urdhërojë SPAK-un të nisë hetimet.
Për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm në lidhje me dosjen 21 janari, kreu i SPAK, Dumani ka deklaruar se është një pritje se çfarë do të dalë nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës, për të cilën nga ana tjetër, familjarët e Aleks Nikës thonë se nuk ka bërë asnjë veprim për të zbardhur ngjarjen.
Në pritje që Gjykata e Lartë të shprehet mes stokut të dosjeve të pluhurosura, një thirrje ulëritëse ndaj SPAK-ut vjen nga Gjykata e Strasburgut, e cila me vendimin e nëntorit 2023, e bën këtë përvjetor të 13-të të 21 janarit, ndryshe nga të mëparshmit. Me vlerësimin se 21 janari është krim shtetëror që duhet hetuar si i tillë, për të nxjerrë përgjegjësit e vërtetë, ata që urdhëruan gardën të shtijë me armë ndaj turmës së protestuesve, SPAK është përballë sfidës për t’i dhënë fund pritjes së pafundme për drejtësi për vrasjet e katër të pafajshmëve.
Sot në qeveri, figurat më të larta të Partisë Socialiste, protagonistë të protestës opozitare të 13 viteve më parë, me ngritjen e institucioneve të reja të pavarura pas reformës në drejtësi, në bllok kanë bërë thirrje që SPAK të marrë çështjen në dorë si vrasje shtetërore.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se, sot ka pakëz dritë në tunelin e kërkimit të drejtësisë për 21 janarin.
Në fjalën e tij të mbajtur në Kryeministri në përvjetorin e 21 Janarit, ku ishin të pranishëm edhe familjarët e 4 viktimave të 21 Janarit 2011, Rama u shpreh se, “shumë të dashur familjarë të Dëshmorëve të Atdheut që humbën jetën padrejtësisht në 21 janar, pas plot 13 vitesh nga 21 janari tragjik, sot ky përkujtim që na mbledh përsëri si çdo vit në këtë familje të ngushtë ka pakëz më shumë sesa thjesht shpresë në errësirën e plotë të tunelit të kërkimit të drejtësisë, gjatë gjithë këtyre viteve”.
Prandaj, theksoi kryeministri, “sot, ndryshe nga herët e tjera, ne jemi së bashku, jo vetëm për të përkujtuar, por edhe për t’i thënë këto fjalë sepse ka më në fund, përveç sesa thjesht shpresë, pakëz dritë në rrugën e gjatë të këtij tuneli”.
“Fjalët e shpresës tonë sot nuk dalin vetëm nga dëshira e paepur për të mos iu dorëzuar errësirës mbytëse të sistemit të vjetër të drejtësisë, por edhe nga shenjat reale të zgjimit të drejtësisë, edhe për 21 janarin”, tha Rama.
“Njëra shenjë e këtij zgjimi të shumëpritur është e drejtpërdrejtë. Vendimi kuptimplotë i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, i cili e cilëson 21 janarin, e zeza mbi të bardhë, si krim shtetëror të pa hetuar, duke u bërë kështu i pamundur të lexohet me dy kuptime, sipas dëshirës së kërkuesve të drejtësisë për 21 janarin, këtu në këtë rreth të pandashëm kujtese dhe në shoqërinë shqiptare, apo dëshirës së mbytësve të drejtësisë për 21 janarin në politikën shqiptare dhe në Prokurorinë e rrethit gjyqësor të Tiranës”, tha Rama.
“Shenja tjetër e zgjimit të drejtësisë është veprimtaria e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila së fundmi ka hyrë në një fazë të re, kuptimplotë, duke e thyer më në fund akullin e shtresëzuar prej 100 e kusur vitesh mes shtetit shqiptar dhe drejtësisë”, theksoi Rama.
“Mes të dyjave qëndron sot një datë, e shpallur nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë 27 shkurt 2024. Pak më shumë sesa një muaj prej sot, do të marrim vesh nëse dosja e gjakut të 21 Janarit do t’i kalojë për shqyrtim SPAK-ut, për të hapur për sëmbari hetimin e krimit shtetëror në bazë të vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, apo do të vazhdojë të mbetet e mbyllur, Zoti e di përsa kohë akoma, në barkun e madh të Prokurorisë pa shtyllë kurrizore të rrethit gjyqësor të Tiranës”.