Presidenti Pendarovski sot ia dorëzoi mandatin Talat Xhaferit për përbërjen e Qeverisë teknike e cila do të funksionojë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re që do të formohet pas zgjedhjeve parlamentare.
Pas marrjes së mandatit, Xhaferi premtoi se në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës, negociatat për përbërjen e Qeverisë kalimtare do të zhvillohen sipas nevojës politike dhe gjendjes në shtet.
Me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë pranoj mandatin nga presidenti i shtetit, me një premtim se me ndërgjegje dhe në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës, përbërja e Qeverisë dhe negociatat për përbërjen e Qeverisë do të zhvillohen në pajtim me nevojën politike dhe situatën në vend”, tha Xhaferi.
Ai shtoi se shpreson të krijojë një përbërje të përshtatshme të Qeverisë me obligime, kompetenca dhe përgjegjësi të duhura ndaj qytetarëve.
Kuvendi, në kuadër të seancës së 139-të, sot konfirmoi dorëheqjet e kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, ndërsa në kuadër të seancës deputeti Jovan Mitreski nga LSDM u zgjodh kryetar i Kuvendit.
Seanca për zgjedhjen e Qeverisë teknike, përbërja e së cilës tashmë dihet, duhet të caktohet për të dielën, 28 janar.
Kush është kryeministri shqiptar që do të drejtoje qeverinë teknike në Maqedoninë e veriut?
Talat Xhaferi ka lindur më 15 prill 1962 në Gostivar, Republika e Maqedonisë së Veriut. Në vitin 1981, regjistrohet në Akademinë Ushtarake e Forcave Tokësore – drejtimi i këmbësorisë, dhe mësimin e ndjek në Beograd dhe në Sarajevë. Prej vitit 1996 deri në vitin 1998 u përkushtohet studimeve pas universitare me specializim në detyrat komanduese dhe të shtabit në Akademinë Ushtarake Shkup, ndërsa në vitin 2013, fiton titullin magjistër, pas mbrojtjes së suksesshme të tezës në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit në Shkup.
Karrierën në forcat e armatosura e fillon në vitin 1985, fillimisht në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ),Me pavarësimin e Maqedonisë, ai kthehet në vendlindje dhe inkuadrohet në Armatën e Maqedonisë, duke qenë oficer i lart dhe pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.
Më 28 prill të 2001, në konfliktin e armatosur në Maqedoni mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferri braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së.
Ai në këtë periudhë u njoh me nofkën komandant Forina. Gjatë viteve të përfshirjes në politikë në radhët e BDI-së, duke u zgjedhur deputet, zëvendësministër i mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i mbrojtjes në shkurt të 2013.
Në një deklaratë për mediat , gjatë pranim dorëzimit të funksionit të ministrit të Mbrojtjes, Xhaferi deklaroi se qëllimi i tij do të jetë “forcat e armatosura të bëhen simboli i bashkëjetesës, i tolerancës dhe respektimit të dallimeve”.
Në vitin 2016, për herën e pestë zgjidhet deputet në Kuvend, ndërsa në vitin 2017, zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Më 21 gusht 2020, pas mandatit të tij të gjashtë si deputet, përsëri e fiton besimin e shumicës të deputetëve të Kuvendit dhe zgjidhet Kryetar i dhomës ligjvënëse.
Talat Xhaferi flet gjuhën shqipe, maqedonase, serbe, kroate dhe angleze.
Në nëntor 2016 – Medalja Presidenciale e Meritave e ndarë nga Presidenti i Republikës së Kosovës për kontribut dhe veprimtari kombëtare.
/Argumentum.al