Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ditën e sotme në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme u zhvillua aktiviteti me temë “Shqiptarët zgjedhin për me shpëtue”.
Ministri Igli Hasan vlerësoi rolin e diplomatëve dhe përpjekjet e popullit shqiptar në shpëtimin e hebrenjve, teksa u shpreh se evente të tilla shërbejnë për të na kujtuar që duhet të punojmë shumë, për të edukuar shoqëritë tona kundër çdo lloj urrejtje e diskriminimi racor, fetar, etnik, etj.
“Teksa shfletoja disa dokumente nga arkivat, ajo që del në pah është që këtu bëhet fjalë për veprimet e një shoqërie të tërë. Gjen aty dëshmi diplomatësh të angazhuar për të gjetur mënyra kreative për t’ju dhënë viza udhëtimi për në Shqipëri qytetarëve hebrenj nga e gjithë Evropa. Asgjë nuk mund të justifikojë antisemitizmin. Teksa me të drejtë ndihemi krenarë për këtë traditë mikpritje e për atë çka bënë paraardhësit tanë për të shpëtuar hebrenjtë, koha ku jetojmë e bën të domosdoshme që ne të punojmë për të ardhmen e veçanërisht për edukimin e brezave të rinj”, tha ai.
Hasani tha se “sot, në epokën e rrjeteve sociale e qarkullimit të pakufizuar të informacionit e dezinformacionit, është vërtet e rëndësishme që të mos e marrim si të mirëqenë këtë traditë të bukur, por të punojmë për ta konsoliduar e forcuar atë”.
Në vitin 2020, Kuvendi i Shqipërisë miratoi përkufizimin e antisemitizmit të përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA) si një instrument orientues për fushën e arsimit. Hapi tjetër në këtë drejtim është përfshirja e trajtimit të antisemitizmit në sistemin arsimor e Shkollën e Magjistraturës. Ndërkohë që kemi marrë dhe angazhimin për t’u bërë anëtarë të Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, vijoi ai.
Këto hapa e të tjera masa si këto, nënvizoi kryediplomati shqiptar, janë jo thjesht mënyra më e mirë për të edukuar shoqërinë tonë mbi nevojën për të luftuar antisemitizmin e çdo lloj tjetër urrejtje e diskriminimi.
“Ato janë po ashtu mënyra më e bukur për të respektuar të gjithë ato familje, të gjithë ata individë që rrezikuan aq shumë për të shpëtuar hebrenjtë në territorin e Shqipërisë nga tragjedia e Holokaustit, me veprën e të cilëve ne krenohemi sot”, deklaroi ministri Hasani.
Ambasadorja izraelite në Tiranë, Galit Peleg, u shpreh se populli izraelit do t’i jetë gjithmonë mirënjohës Shqipërisë për kontributin e tyre, teksa theksoi se e gjithë bota duhet të mësojë për këtë akt simbolik të shqiptarëve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, theksoi se duhet bërë çmos që historia mos të përsëritet.
Gjatë aktivitetit, u ekspozuan dokumente origjinale të Arkivit Qendror të Shtetit dhe arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për përpjekjet e bëra nga diplomatë shqiptarë të asaj kohe për shpëtimin e hebrenjve.
Në mesin e materialeve të përzgjedhura u ekspozuan informacion mbi regjistrimin e përgjithshëm të popullatës në vitin 1923, ku hebrenjtë evidentohen të jenë 90 banorë; korrespondencë ndërmjet legatave shqiptare në Paris dhe në Londër me Mbretërinë Shqiptare dhe me Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare mbi mundësinë e instalimit të kapitalistëve hebrenj (polakë dhe zvicerian) në vendin tonë si dhe informacion i ardhur nga Legata Italiane më dt. 06.12.1938 prej nga ku citohet se: “Mbreti Zog është në tratativa për lejimin e 500 familjeve hebrenje të vendosen në Myzeqe”. Komiteti hebraik i Nju Jorkut merr përsipër ndihmesën financiare për këtë veprim kundrejt Mbretërisë Shqiptare.
Gjithashtu, u publikua vendim i Këshillit të Ministrave i datës 28.1.1939, i cili u lejon shtetasve me etni hebraike qëndrimin apo edhe shtyrjen e vizës turistike shqiptare, listë e pjesshme e rezidentëve hebrenj të ndodhur në Tiranë si dhe lista e hebrenjve të ardhur nga Prishtina në lokalitetet e Krujës, të Shijakut dhe të Kavajës.