Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, qeveria do të bëjë gjithçka për të rritur mbështetjen për shkollën dhe mësuesin.
Në fjalën e tij në aktivitetin e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, Rama tha se, “ky është një moment i rëndësishëm sepse përcakton nisjen e një faze të re të reformimit të sistemit të arsimit dhe vë në qendër të vëmendjes mësuesin si forcën e pazëvendësueshme të të gjithë sistemit dhe si një autoritet që duhet mbështetur më shumë, duhet motivuar më shumë dhe duhet afirmuar më shumë në komunitetin tonë”.
Rama tha se, arsyeja e domosdoshmërisë së hapjes së kësaj faze të re në radhë të parë është fakti që sot sfida e shpejtësisë së kohës po bëhet e tillë që po merr përmasa realisht sa të frikshme as edhe frymëzuese.
“Sot nevoja për t’u adaptuar është gati e papërballueshme. Sepse prurja e jashtëzakonshme e informacionit dhe zgjerimi i pabesueshëm i kanaleve të informacionit, ku teknologjia po merr gjithmonë e më shumë një rol të jashtëzakonshëm janë të tilla që realisht vënë në pikëpyetje shumë nga gjërat që ne i kemi marrë të palëvizshme dhe nga ana tjetër na vë ne të gjithëve përpara sfidës së madhe që të ruajmë disa themele dhe disa ekuilibra të cilët janë të kërcënuar më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se, “kjo kohë e ka vënë gjithmonë më shumë në pah domosdoshmërinë që të fuqizojmë sa të mundemi mësuesin dhe t’i japim mësuesve sa të mundemi forcë, motivim dhe aftësi për t’u përballur me atë që koha e sjellë përpara sistemit arsimor në pamjen e fëmijëve të vegjël”.
“Ne do të bëjmë gjithçka mundemi, madje do të bëjmë të pamundurën që në këtë fazë të rrisim mbështetjen e gjithëanshme për shkollën dhe për mësuesin”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, pagat brenda pak muajsh për mësuesit do të shkojnë mesatarisht 950 euro.
“Shqipëria është sot në një tjetër nivel. Shqipëria sot ka një portë tjetër të hapur për të ardhmen e saj në aspektin ekonomik dhe reflektim i këtij fakti janë edhe rritjet domethënëse të pagave, të cilat do të vazhdojnë”, u shpreh Rama.
“Por, ndërkohë që ne jemi sot në kushtet kur mund ta vëmë shumë më tepër se dje potencialin tonë, potencialin e vendit tonë në dispozicion të ekonomisë dhe familjeve shqiptare, përballemi me nevojën që çlirimi i këtij potenciali vë përpara të gjithëve ne nevojën për kapital njerëzor. Nevojën për njerëz të kualifikuar. Nevojën për forca pune në të gjitha nivelet. Dhe patjetër që ky nuk është një moment ku ka vetëm një zgjidhje, ky është një moment që kërkon shumë zgjidhje, në të gjitha drejtimet, jo vetëm në arsim. por ama fokusi tek arsimi është jetik, sepse fatmirësisht nuk jemi më në kohën që ishim jo para shumë vitesh kur mësuesit ishin tërësisht të braktisur dhe tërësisht të pambrojtur”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se, “pagat së shpejti brenda pak muajsh për mësuesit do të shkojnë mesatarisht 950 euro, por nuk mjafton. Prandaj ne na duhet të reformojmë sistemin. Për shembull mekanizmin e asaj rritjes çdo pesë vjet të pagës si rezultat i rritjes së vjetërsisë në punë, ne duhet ta reformojmë komplet. Nga ana tjetër duhet të bëjmë të mundur dhe të gjejmë rrugën që përveç pagës uniforme, pra garancisë bazë për të gjithë të ketë nivele të ndryshme pagash sipas meritës, sipas kontributit dhe sipas kualifikimeve.
Për këtë ama, shtoi Rama, na duhet një sistem i besueshëm kualifikimesh, trajnimesh, kreditesh.
/Argumentum.al