Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari ka vendosur t’i bashkohet opozitës shqiptare në zgjedhjet e pritshme në pranverë. Ai e bëri njoftimin në rrjetet sociale, duke nxitur debate tek një pjesë e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, por dhe mbështetje nga ana tjetër, tek përkrahësit e tij.
Zoti Taravari u bën thirrje organeve më të larta partiake që ta mbështesë atë në “këtë rrugëtim drejt procesit për ndryshimin e madh dhe të shumëpritur”. Duke shpjeguar motivin për t’iu bashkuar koalicionit opozitar, ai shkruan se ka zgjedhur “të dëgjojë zërin e popullit që sot flet më qartë se kurrë”. “Qytetari po kërkon Ndryshim! Populli po kërkon një sistem politik të çliruar nga epidemia e korrupsionit, që është bërë frenuesi më i madh për mirëqenien dhe zhvillimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, sipas zotit Taravari.
Por diten e sotme, në mediat vendase njoftohet për gjetjen e një plumbi mëngjesin e sotëm në oborrin e shtëpisë së kryetarit të saj, Arben Taravari, çka bëri që në vendngjarje të zbarkojnë dhe forcat e policisë për hetimet e rastit.
Por njeriu që e themeloi këtë parti vite më parë, Kryetar i Kuvendit Qendror të partisë, Ziadin Sela, e kundërshton kategorikisht një gjë të tillë. As ai vetë, e as struktura të tjera të partisë nuk janë njoftuar paraprakisht, ndërsa e konsideron të papranueshëm koalicionin me partitë opozitare, që përfshin dhe VMRO-DPMNE. Sela e quajti pabesi lëvizjen e Taravarit.
Sela shtoi se nuk do të lejohet realizimi i paralajmërimeve të Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE, parti politike kjo opozitare e konfirmuar me ideologji antishqiptare, i cili kishte pretenduar disa kohë më ndarjen e ASH-së në prag të zgjedhjeve të 8 majit.
Drejtuesit e partive Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratitke që përbëjnë koalicionin LEN, i kishin ofruar atij të kandidonte për garën presidenciale të 24 prillit dhe 8 majit (raundi i dytë), por kreu i ASH-së i tha medias se nuk ishte i interesuar. Një pjesë e analistëve vlerësojnë se ndasitë brenda Aleancës për Shqiptarët për një çështje të rëndësishme, siç janë zgjedhjet e pritshme, mund ta dëmtojnë seriozisht këtë parti.