Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Republika e Kosovës nuk ka aleate dhe mike më të rëndësishme se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke komentuar deklaratën e ndihmës-sekretarit të Shtetit, James O’Brien, i cili është shprehur dje se nuk do ta trajtojnë Qeverinë e Kosovës si partnere nëse s’trajtohen njëjtë, duke i bërë thirrje ta tërheqin vendimin për dinarin.
Për kërkesën e O’Brienit për tërheqje të vendimit, Kurti ka thënë se Kosova është republikë demokratike dhe nuk mund t’i mbivendoset institucioneve të pavarura si Banka Qendrore e Kosovës.
“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm se SHBA-në. Kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e Rregullores së saj. Ne jemi një Republikë demokratike. Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja”, ka thënë Kurti nga Prizreni të mërkurën.
Shefi i Qeverisë u shpreh se nuk ka masa ndëshkuese për zbatimin e Rregullores së re të BQK-së, pasi duan të ecin përpara pa incidente.
“Në mesin e këtyre 10 pikave si plan pune për zbatimin e Rregullores, BQK-ja nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese, pra pa ndëshkim dhe pa incidente duam të ecim përpara. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i yni, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe për paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë”, ka shtuar ai.
Kurti ka theksuar se me Rregulloren e BQK-së duan të legalizojnë dhe formalizojnë çdo transaksion financiar.
“Unë jam kryeministër që nuk dëshiron që qytetarët të kenë më pak para, por të kenë më shumë para. BQK-ja ia ka dërguar një letër Bakës Popullore të Serbisë, shpresojmë që ata të përgjigjen. Nuk është ndaluar dinari në Kosovë, bëhet fjalë vetëm për dinarin si mjet pagese, jo për dinarin që mund ta kenë qytetarët. Nuk dëshirojmë që të ndëshkojmë askënd, me kurrfarë masash mirëpo ta bëjmë këtë tranzicion ashtu që të legalizohet e formalizohet çdo transaksion financiar. Në katër komunat ekzistojnë katër dega të bankave komerciale, 15 institucione financiare jobankare. Shkëmbimi është kollaj i mundshëm”, ka shtuar Kurti.
Sipas tij, këtë Rregullore nuk e shohin si problem qytetarët serbë, por Beogradi zyrtar.