Më shumë se 400 njerëz janë arrestuar në ngjarje në 32 qytete ruse që nga vdekja e Alexei Navalny, kundërshtari më i frikshëm i Presidentit Vladimir Putin, sipas grupit të të drejtave OVD-Info, ndërsa rusët vazhduan të mblidheshin dhe të vendosnin lule.
Kjo ka qenë vala më e madhe e arrestimeve në ngjarjet politike në Rusi që nga shtatori 2022, kur më shumë se 1300 u arrestuan në demonstratat kundër një “mobilizimi të pjesshëm” të rezervistëve për fushatën ushtarake të Putinit në Ukrainë.
Navalny, një ish-avokat 47-vjeçar, ra pa ndjenja dhe vdiq të premten (16 shkurt) pas një shëtitjeje në koloninë penale të Arktikut “Ujku Polar”, ku po vuante një dënim prej tre dekadash, tha shërbimi i burgut.
OVD-Info, e cila raporton për lirinë e tubimit në Rusi, tha se numri më i madh i arrestimeve kanë ndodhur në Shën Petersburg dhe Moskë, ku mbështetja e Navalny-t ka qenë tradicionalisht e fortë. Që nga ora 2000 GMT të shtunën, më shumë se 200 persona u arrestuan në Shën Petersburg.
Lajmi për vdekjen e Navalnyt erdhi një muaj para se Rusia të mbajë zgjedhjet presidenciale, të cilat gjerësisht besohet se do t’i japin Putinit edhe një mandat tjetër gjashtëvjeçar. Pyetjet rreth shkakut të vdekjes janë ngritur edhe të dielën, teksa mbetet e paqartë se kur autoritetet do t’ia dorëzojnë familjes trupin e tij.
Një ditë më herët, ekipi i Navalnyt tha se politikani “u vra” dhe akuzuan autoritetet se me qëllim po zvarrisin procesin e dorëzimit të trupit të tij. Nëna e Navalnyt dhe avokatët kanë pranuar informacione kundërthënëse nga disa institucione ku ata shkuan të kërkonin që t’iu dorëzohej trupi i pajetë i kritikut të Kremlinit.
“Ata po na shëtisin në një rreth dhe po fshehin gjurmët e tyre”, tha zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh.
“Në burg, gjithçka mbulohet nga kamerat. Çdo hap që ai ka hedhur është incizuar nga të gjitha këndet në gjithë këto vjet. Çdo punonjës ka kamerë që incizon. Në dy ditë, nuk ka pasur asnjë video që është publikuar apo që ka rrjedhur në publik. Këtu nuk ka vend për paqartësi”, tha më 18 shkurt aleati i ngushtë i Navalnyt, Leondi Volkov.
Nënës së Navalynt nga autoritetet i është dorëzuar një njoftim, ku thuhej se ai vdiq të premten në orën 14:17, sipas kohës lokale, tha Yarmysh. Kur nëna e Navalnyt arriti në burg të shtunën, zyrtarët e burgut i thanë se djali i vdiq nga “sindroma e vdekjes së papritur”, tha Ivan Zhdanov, drejtori i Fondacionit të Navalnyt Kundër Korrupsionit.
Përmes një deklarate, më 16 shkurt një departament lokal i Shërbimit Federal të Burgjeve të Rusisë deklaroi se e Navalny u ndje keq, pas ecjes dhe më pas humbi vetëdijen.
Një autoambulancë shkoi në tentim për t’i ofruar ndihmë mjekësore, por ai vdiq, u tha në deklaratë.
“Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, u tha në deklaratën e Shërbimit rus.
Navalny, një kritik i zëshëm i Putinit, ishte mbajtur në burgun rus prej vitit 2021 nën akuza që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht.
Në gusht, Navalny ishte shpallur fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste, gjë të cilën e kishte mohuar gjithmonë, dhe autoritetet e dënuan me 19 vjet burgim shtesë.