Në Tiranë po zhvillohet protesta e thirrur nga grupi i “Rithemelimit” në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Një pjesë e mbështetësve të “Rithemelimit” u mblodhën në selinë e këtij grupimi, duke marshuar më tej drejt Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit”, ku ishin mbledhur pjesa tjetër e protestuesve.
Në krye të protestës janë Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD dhe Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i “Rithemelimit”, ndërsa nuk është i pranishëm ish- Kryeministri Sali Berisha, që është nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” pasi ndodhet nën hetim nga SPAK për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Në krye të turmës ishin Flamur Noka, Luçiano Boçi, Gazment Bardhi, Belind Këlliçi dhe Tomorr Alizoti.
Me pankarta si: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, protestuesit marshuan drejt godinës së qeverisë.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe deputetja e kësaj force politike Monika Kryemadhi nuk ishin të pranishëm në protestën e thirrur nga opozita, për shkak të angazhimeve jashtë shtetit.
Ndërkohë që nga Partia e Lirisë në shesh ishin nënkryetari Petrit Vasili dhe Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi.
Edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e shoqëruar nga ish-deputeti Alfred Rushaj, iu bashkua qytetarëve në shesh.
Nga organizatorët e kësaj proteste është bërë e ditur se Sali Berisha do t’i përshëndesë qytetarët me një fjalim nga banesa e tij.
Protesta e opozitës mbahet në një datë simbolike, pasi 20 shkurti shënon dhe rënien e bustit të ish-dikatatorit Enver Hoxha 33 vjet më parë.
Janë mbi 1 100 trupa policore të angazhuara për mbarëvajtjen e rendit e sigurisë para, gjatë dhe pas proteste. Policia e Shtetit i ka dhënë drejtuesve të “Rithemelimit” 4 orë kohë për të këtë protestë, ndërsa janë marrë në mbrotje institucionet qendrore, siç është dhe godina e Këshillit të Ministrave, ku dhe do të realizohet kjo protestë. Po ashtu janë bllokuar dhe akset rrugore në afërsi të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
vijon…