Kreu i qeverisë Edi Rama ka nisur një vizitë zyrtare në Ankara, ku është pritur me ceremoni shtetërore nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Turqisë, kryeministri Rama falënderoi qeverinë turke për kontributin dhe ndihëm e dhënë për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës në momentet e tyre më të vështira.
Kryeministri Edi Rama nga Ankaraja, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se janë tre momente që Turqia e ka bërë të paharrueshme praninë në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Rama kujtoi dhe njëherë ndihmën e dhënë nga Turqia dhe Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, për të kaluar tërmetin, koronavirusin, si dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës, fill pasi ajo u shpall në Prishtinë.
“Dua të them dhe ndoshta duke e përsëritur, por besoj që sa herë që flitet në këtë nivel për marrëdhënien me Turqinë, shqiptarët, Shqipëria, Kosova, nuk mund të harrojnë dot tre gjëra që mbeten besoj unë në kujtesën kombëtare për sot dhe për nesër. E para falë jush dhe qeverisë tuaj, Kosova u njoh si Republikë e Pavarur, pak minuta pasi parlamenti i saj shpalli pavarësinë”, tha Rama.
“E dyta, kur Shqipëria u godit nga një tërmet me pasoja jashtëzakonisht të rënda, ju ishit i pari që komunikuat me mua, më thatë që sa të jetë Turqia, Shqipëria nuk do të jetë kurrë vetëm dhe ndërmorët iniciativën publike për fillimin e menjëhershëm për ndërtimin e 500 apartamenteve të reja”, tha Rama.
“E treta, kur Shqipëria, populli shqiptar, bashkë me popujt e tjerë të rajonit tonë, të Ballkanit Perëndimor u ndjenë si peshku pa ujë, në momentin kur bota u godit nga koronavirusi dhe teksa shikonim nëpër ekranet e televizorëve evropiane fillimin e vaksinimit në Europë, nëse nuk do të ishte Turqia dhe ju personalisht, kush e di se sa njerëz do kishin humbur jetën. Këto janë tre momente në njëfarë mënyre mes jetës dhe vdekjes që nuk harrohen dot kurrë. Pastaj ka shumë për të thënë”, tha Rama.
Erdoğan: Turqia dhe Shqipëria, kontribut për paqen dhe stabilitetin në Ballkan
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, e komplimentoi Shqipërinë që e përfundoi me sukses detyrën e saj si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022 -2023.
“Shqipëria do të japë një kontribut të rëndësishëm gjatë kryesisë së radhës që mori nga Turqia në Organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik të Deti të Zi. Kam besim se Shqipëria do të kryej me sukses edhe kryesinë e radhës në Procesin e Bashkëpunimit të Europës Juglindore që do ta marrë këtë kryesi në muajin korrik të këtij viti”, u shpreh ai.
Erdogan tha se, “Turqia dhe Shqipëria janë dy vende që kanë kontribuar në vendosjen e paqes dhe stabilitetin në Ballkan dhe si dy aleate të NATO-s. Në periudhat në vijim do të vazhdojmë dialogun dhe bashkëpunimin tonë në lidhje me Ballkanin. Jemi të vendosur që të thellojmë edhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe ushtarake. Këtë e tregon edhe marrëveshja ushtarake kuadër që u nënshkrua pak më parë”.
Në takimin tonë, vijoi Erdogan, trajtuam edhe shtypjen izraelite në territoret e pushtuara palestineze dhe në Gazë duke na hapur përgjegjësitë e komunitetit ndërkombëtar për ndalimin e shtypjes së tiranisë së Izraelit që vazhdon prej 4 muajsh dhe garantimin e një të ardhmeje të sigurt dhe të begatë për vëllezërit tanë palestineze.
“Proceset që vazhdojnë si në kuadër të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ashtu edhe në OKB kanë treguar qartë qëndrimin tonë të drejtë në këtë çështje. Edhe Shqipëria me qëndrimin e saj në votimin që u mbajt në këshillin e sigurimit të OKB-së që u mbajt në muajin dhjetor të vitit të kaluar ka zënë vend në anën e drejtë të historisë. Kjo është shumë e rëndësishme, shumë e çmuar ky sovranitet që është shfaqur nga ana e Shqipërisë”, u shpreh Erdogan.
Presidenti turk tha se, me mikun e tij Rama, do t’i vazhdojnë kontaktet edhe në kuadër të iniciativave që do të ndërmerren në proceset e ardhshme, teksa shprehu bindjen se, ashtu si deri më sot, edhe këtej e tutje Turqia do të vazhdoj t’i qëndroj pranë popullit shqiptar.
“Pjesë e agjendës sonë ishte dhe pastrimi i mbetjeve në Shqipëri e cila vazhdon aktivitetet e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona. Ne nuk do të lejojmë që kjo t’ia arrijë objektivat e saj dhe po ashtu ne shikojmë që edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Në kuadër të mirëkuptimit, lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë dhe falënderoj për kontributin që ka dhënë fondacioni turk Maarif që vazhdon aktivitetin e arsimit në Shqipëri. Ne kemi bindjen se kjo mbështetje, ky kontribut do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Erdogan.
Gjatë qëndrimit të tij, Rama ka firmosur disa marrëveshje me presidentin turk, Erdogan.
Marrëveshje dhe Memorandume të firmosura sot në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë:
- Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës sëShqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve -Klimatike të Republikës së Turqisë për bashkëpunim ne fushën e mjedisit.
- Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve të Republikës së Turqisë për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe zonave të mbrojtura.
- Marrëveshje ndërmjet KM të RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë mbi statusin e zyrës së koordinimit të programit TIKA Tirana.
- Marrëveshje kuadër ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.
- Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë në Fushat e Medias dhe Komunikimit për komunikimin dhe informimin publik.
- Protokoll Bashkëpunimi midis Korporatës Turke të Radio Televizionit dhe Radio Televizionit Shqiptar.