Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, ka prezantuar Bujar Osmanin si kandidat i kësaj partie në zgjedhjet presidenciale në Maqedonisë së Veriut që do të mbahen më 24 prill.
Bujar Osman aktualisht është ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe nënkryetar i BDI-së.
“Bujari [Osmanin] e ka dëshmuar veten në skenën vendore dhe ndërkombëtare dhe ka ngadhënjyer në betejën kundër Rusisë si dhe ka qenë pjesë e ekipit tonë për ndryshimin e Kushtetutës, anëtarësimin në NATO dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë Ahmeti duke e cilësuar Rusinë si kërcënimin serioz për gjithë botën.
Kreu i BDI-së, gjithashtu, ka paraqitur kërkesën për instalimin edhe të postit të zëvendëspresidentit të Maqedonisë së Veriut, që, sipas tij, së bashku me presidentin, në të ardhmen të zgjidhen nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, dhe jo në zgjedhje të drejtpërdrejta.
Ahmeti ka thënë se vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet që Maqedonia e Veriut të ketë president konsensual.
Nëpërmjet një video-mesazhi teksa ka bërë thirrje për “unitet” për t’i thënë sipas tij, “JO Rusisë, PO Evropës”.
“Me Bujarin [Osmanin] po e nisim referendumin më të rëndësishëm të kohës dhe betejën e radhës për ta fituar besimin tuaj që ta zgjedhim presidentin në Kuvend me shumicë të dy të tretave të votave dhe me Badinter, për të realizuar vizionin tonë për president konsensual. Ky besim i juaji do të na mundësojë që me hapjen e Kushtetutës ta realizojmë edhe Marrëveshjen me Bullgarinë dhe ta zhbllokojmë integrimin evropian dhe kështu i themi Rusisë IK!”, ka thënë Ahmeti.
Ndryshimi i Kushtetutës, sipas Ahmetit, duhet të bëhet për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj dhe zhbllokimin e procesit të integrimit në BE.
Ahmeti ka thënë se BDI-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie të ardhshme, e cila nuk do të pranonte ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë s Veriut.
Kërkesa e BDI-së për zgjedhjen e presidentit në Kuvend është e njëjtë me atë të kandidatit të opozitës shqiptare, Arben Taravari, që u prezantua mbrëmjen e së mërkurës.
Bujar Osmani në garën për kryetar të shtetit si kundër kandidat do të ketë Arben Taravarin, i cili është propozuar nga partitë e bashkuara opozitare. Gjithashtu mbrëmë u konfirmuar se nga radhët e VMRO-DPMNE-së kandidate do të jetë Gordana Siljanovska, ndërsa këto ditë pritet që LSDM ta propozojë edhe për një mandat Stevo Pendarovskin.
Zgjedhjet për president të Maqedonisë së Veriut do të mbahen në dy runde, i pari më 24 prill, ndërsa rundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.
/Argumentum.al