Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u bëri thirrje të premten institucioneve që të trajtojnë me kujdes marrëdhëniet me aleatët perëndimorë, mes shqetësimeve në rritje për dëmtimin e këtyre marrëdhënieve për shkak të mospajtimeve për çështje siç është dinari serb.
“Unë inkurajoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, secilin që merret me politikë që të bëjë çmos që këto relacione dhe në veçanti me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e Bashkimit Evropian që gjithnjë na kanë qëndruar pranë t’i konsiderojmë jo vetëm si të rëndësishme por si ekzistenciale për suksesin e shtetit tonë sepse historia jonë e ka dëshmuar këtë”, tha ajo.
Osmani ka folur edhe për kritikat nga bashkësia ndërkombëtare lidhur me Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës. Ajo ka thënë se çështja e dinarit nuk është dashur të krijojë përplasje me aleatët.
“Askush nuk ka kërkuar që të mos zbatohet rregullorja e BQK apo të shfuqizohet ajo, e tëra që po kërkohet që të ndërtohet një plan tranzicioni që i merr parasysh nevojat e qytetareve të rëndom, të rinj e të moshuar, që marrin edhe ndihmë financiare nga Serbia nëpërmjet pensioneve. Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë, në fakt nuk është dashur të bëhet çështje fare se nuk është dashur të krijohet si përplasje me aleatet tanë fare”, u shpreh Osmani.
Presidentja Osmani përsëriti sot thirrjen për heqjen e këtyre masave, duke nënvizuar se kjo është e domosdoshme për të ecur përpara me mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe.
Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, ka hyrë në fuqi me një shkurt, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërsa kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.
Bashkimi Evropian tha të premten se dëshiron t’u ndihmojë Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje për çështjen e përdorimit të dinarit dhe për këtë arsye ka ftuar palët për një takim javën që vjen. Nuk është e qartë se në çfarë niveli do të zhvillohet takimi, meqë kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se nuk do të marrë pjesë dhe se kjo çështje nuk ka qenë asnjëherë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve. Zoti Bislimi dhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano shkëmbyen kritika në distancë për këtë çështje.
/Argumentum.al