Ekskluzivisht për ARGUMENTUM
Nga Dr. Jorgji KOTE
Siç po nënvizohet në shumë analiza prestigjioze të kohëve të fundit, bashkë me ekstremizmin e djathtë, në shumicën dërmuese të vendeve të mëdha dhe ato demokratike, populizmi po bëhet një rrezik dhe kërcënim serioz për shtetin e të drejtës. Natyrisht këtu ai po përfiton nga gabimet dhe deficitet e mëdha demokratike në shumë vende perendimore, duke filluar nga SHBA-të, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe të tjera, duke gërryer shkalë shkallë forcat politike tradicionale, të majta dhe të djathta. Tashmë forcat dhe liderët populistë i gjen në SHBA, ku spikat Trump, i cili po synon riardhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë vitin e ardhshëm, në Britani Boris Xhonson, në Itali Meloni, në Francë Le Pen, e cila duket si kandidatja më e mundshme për të ardhur në krye të shtetit, në Finlandë, Suedi, Turqi dhe gjetkë.
Në Gjermani po përshkallëzon veprimtarinë e saj subversive “Alternativa për Gjermaninë“ ( AfD) e cila mbasi ka rritur ndeshëm praninë e saj në Bundestag dhe në parlamentet e landeve, po synon të fitojë në një nga tri shttet gjermane ku do të ketë zgjedhje të reja.
Mirëpo problemi është se populizmi nuk premton diçka të mirë dhe pozitive në jetën e përditshme e ca më pak në përparimimin demokratik. Kjo duke filluar nga ekonomia, bashkëpunmi tregtar, investimet e huaja, lufta kundër varfërisë, etj.
Këtë dukuri e ka vërtetuar qartë një studim serioz i përfunduar javët e fundit nga Instituti i Ekonomisë Botërore i Kielit në Gjermani. Autorët e tij i janë referuar 120 viteve të fundit, duke analizuar 51 shembuj të ndikimit populist mbi produktin e brendshëm kombëtar, nga Hitleri, Musolini, e deri te Trumpi dhe Xhonson i Britanisë së Madhe.
Sipas këtij studimi, 2 – 3 vjet mbas ardhjes në pushtet të populistëve, produkti i brendshëm bruto ( GDP) bie në 2 – 3 për qind dhe më shumë. Ndërsa për një periudhë më të gjatë prej 10 -15 vitesh, ekonomia bie mbi 10 për qind. Sipas njerit prej autorëve të këij studimi, Dr. Christopf Trebesch, kjo ndodh për shkak të dekurajimit të madh që shkaktojnë partitë dhe liderët populistë në rënimin ekonomik të një vendi.
Shenjat e kësaj dukurie shqetësuese fillojnë nga rënia e treguesve në bursa, sepse çdo dobësim i demokracisë pasqyrohet menjëherë në to. Ndërkohë, tkurren investimet e huaja, mbasi populistët nuk janë tërheqës dhe joshës, madje i trembin ata dhe me ndryshimet e shpeshta ligjore në dëm të tyre.
Kjo u duk qartë gjatë 4 viteve të presidencës Trump dhe sidomos gjatë dhe pas fushatës britanike për largimin nga BE-ja ( Brexit) Llogaritet se disa vite mbas tij, ekonomia britanike jo vetëm nuk shënoi rritjen e premtuar, por ajo ka rënë mbi 3 për qind, dhe nuk shihet ndonjë perspektivë përmirësimi as në të ardhmen. Po ashtu, tre vite më parë, populisti Salvini pësoi disfatë pîkërisht me ekonominë por jo vetëm, duke çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Ndryshe nga populistët, vendet ish lindore, mbas anëtarësimit në BE i kanë dyfishuar ritmet e rritjes së tyre ekonomike.
Të dhënat e këtij studimi janë të kuptueshme dhe të pritshme. Po të shohësh ideologjinë, sloganet dhe veprimet praktike të populistëve, aty bië në sy mungesa totale e analizave ekonomike, mospërpunimi i alternativave më të mira qeverisëse; populistët shquhen për gjuhën e rrugës, açik, troç, “mbarë e mprapsht“, pa e vrarë mendjen për shtetin dhe për zgjidhje; ata ngrejnë probleme, por zgjidhjet ua lenë të tjerëve; nga ana tjetër, populistët duan vetëm suksese dhe aspekte pozitive, duke i përvetësuar vetë meritat për to; ndërsa të metat, problemet, skandalet ua atribuojnë të tjerëve, medias, shoqërisë civile, “armiqve të brendshëm dhe atyre të jashtëm“; te këta të fundit tabela më e shpeshtë e goditjeve është padyshim Brukseli. Populistët dinë mirë vetëm të kritikojnë, të denoncojnë, të demonizojnë dhe të nxijnë gjithçka, me qëllim që të marrin votat e nevojshme për të ardhur në pushtet. Mirëpo kur vijnë në pushtet, në vend të ofrojnë zgjidhje dhe alternativa, ata sajojnë dhe shpikin lloj lloj justifikimesh, duke përdorur si “gjethe fiku“ luftrat, fatkeqësitë natyrore, veprimtarinë armiqësore, etj, etj.
Gjithsesi, rënia dhe rënimi ekonomik është vetëm një nga pasojat dhe të këqiat me të mëdha, por jo e vetmja. Probleme serioze ata krijojnë dhe në fusha të tjera, sidomos në atë të migrimit dhe gjeopolitike. Ja pse javët e fundit në Gjermani kanë shpërthyer protesta masive të papara kundër populistëve të AfD-së. Si rrjedhojë e kësaj trysnie masive nga poshtë, ka patur një gërryerje të madhe të AfD-së dhe rënie të saj në sondazhet e tanishme. Gjithsesi, rreziku populist, ashtu si dhe ai ekstremist i djathtë, pa përjashtuar atë të majtë mbetet një sfidë e madhe për demokracinë në secilin shtet të botës, përfshirë Ballkanin dhe vendin tonë. Zgjedhjet e reja për Parlamentin Europian në qershor, presidencialet amerikane në nëntor, si dhe në Rusi, Indi, Britaninë e Madhe, Austri, Maqedoninë e Veriut, etj janë një shans i madh për t’i treguar vendin populistëve kudo. Nëse forcat e vërteta të moderuara demokratike do të dështojnë, kjo do të ketë pâsojë në shtilin e populistëve në Parlamentin Europiann, duke u bërë nxitje për rezutate më të larta dhe në zgjedhjet e ardhëshme në të gjitha vendet e tjera.
Le të shpresojmë se forcat e moderuara do të nxjerrin mësime nga pësimet, duke bërë korrigjimet e nevojshme në politikat e tyre, me qëllim që të mos i lenë asnjë shteg forcave populiste dhe ekstremiste. Mundësitë janë, le të punojmë fort!
/Argumentum.al