Presidenti francez Emmanuel Macron u tha homologëve evropianë të hënën se duhet të garantojnë sigurinë e tyre kolektive duke ofruar mbështetje të palëkundur për Ukrainën, përballë ofensivave më të ashpra ruse në fushëbetejë gjatë muajve të fundit.
“Jemi në procesin e garantimit të sigurisë tonë kolektive, për sot dhe për nesër”, tha zoti Macron ndërsa priti 20 drejtues të qeverive dhe shteteve evropiane, si dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë në Paris, në shenjë uniteti për Ukrainën, ndërsa sulmi frontal i Rusisë hyn në vitin e tretë.
“Rusia nuk mundet dhe nuk duhet ta fitojë atë luftë”, tha zoti Macron në takimin në pallatin presidencial, ku morën pjesë kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti polak Andrzej Duda, si dhe udhëheqës të tjerë nga vendet balltike.
“Sot nuk ka konsensus për dërgimin e forcave tokësore, por asgjë nuk mund të përjashtohet”, tha Macron. “Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të siguruar që Rusia të mos e fitojë këtë luftë.”
Shumë njerëz që sot thanë “kurrë, kurrë” janë të njëjtët ata që dy vjet më parë thanë “kurrë, kurrë tanke, kurrë, kurrë aeroplanë, kurrë, kurrë raketa me rreze më të gjatë”, kujtoi presidenti francez dhe shtoi, se sot të gjithë po dërgojnë tanke e raketa. “Pra, çdo gjë është e mundur nëse duam të arrijmë qëllimin tonë.”
“Konkludimi i përgjithshëm i konferencës është se siguria e të gjithë neve është në rrezik”, tha Macron në fillim të konferencës. Rusia, thotë ai, po bëhet më e ashpër – politikisht dhe në frontin e luftës në Ukrainë, ku kërcënojnë sulmet e reja ruse.
Humbja e Rusisë, beson ai, është e nevojshme për stabilitetin dhe sigurinë në Evropë. Kjo është arsyeja pse ata që mbështesin Ukrainën duhet të bëjnë edhe më shumë përpjekje. “Ne jemi në procesin e vendosjes së sigurisë sonë për sot dhe nesër”, tha Macron dhe shtoi: “Ne nuk duam të hyjmë në luftë me popullin rus”.
“Gjatë muajve të fundit në veçanti, e kemi parë Rusinë të bëhet më e ashpër”, tha zoti Macron. “E dimë gjithashtu se Rusia po përgatit sulme të reja, në veçanti për të shokuar opinionin publik ukrainas”.
Zoti Macron përmendi nevojën për të forcuar sigurinë për të shmangur sulme të mëtejshme ruse ndaj vendeve të tjera në të ardhmen. Estonia, Lituania dhe Letonia, si dhe vendi shumë më i madh Polonia, janë konsideruar ndër objektivat e mundshëm të ekspansionizmit të ardhshëm rus. Të katër këto vende janë mbështetëse të vendosura të Ukrainës.
Ministri i jashtëm i Estonisë tha më herët këtë muaj se NATO ka rreth tre-katër vite kohë për të forcuar mbrojtjen e saj.
Në një fjalim të transmetuar me video, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje udhëheqësve të mbledhur në Paris “të sigurohen që Putini të mos mundet të shkatërrojë arritjet tona dhe të mos zgjerojë agresionin e tij ndaj vendeve të tjera”.
Në takim u vendos që të formohet një koalicion për furnizimin e Ukrainës me raketa dhe bomba me rreze të mesme dhe të gjatë për sulme shumë larg prapa linjave ruse, njoftoi presidenti francez.
Në afat të shkurtër duhet të sigurohen municione shtesë për Ukrainën. Ndër të tjera, është rënë dakord edhe për iniciativat për mbrojtjen kibernetike, për prodhimin e përbashkët të armëve, kapaciteteve ushtarake dhe municionit në Ukrainë, si dhe mbrojtjen e vendeve që janë drejtpërdrejt të kërcënuara nga ofensiva ruse në Ukrainë, veçanërisht Moldavia.
Macron tha gjithashtu se vendet e mbledhura duan të mbështesin Ukrainën me forca “jo-ushtarake” në kufirin e saj me Bjellorusinë. Këztu bëhet fjalë për nxjerrjen dhe çaktivizimin e minave.
Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan në takimin e Parisit nga kryediplomati për Evropën, James O’Brien, dhe Britania nga Sekretari i Jashtëm, David Cameron.
Vendet evropiane janë të shqetësuara se Shtetet e Bashkuara do të ulin mbështetjen, ndërsa ndihma për Kievin është pezull në Kongres. Ata gjithashtu kanë shqetësime se një rikthim i ish presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, mund të ndryshonte kursin e politikës amerikane në Evropë.
Konferenca e Parisit ndodh pasi Franca, Gjermania dhe Britania nënshkruan rishtazi marrëveshje dypalëshe 10-vjeçare me Ukrainën, me qëllim dhënien e një sinjali të fortë mbështetjeje afatgjatë, ndësa Kievi punon për të rritur mbështetjen perëndimore./AP-Argumentum.al