Dronët “Bayraktar”, (aeroplanë ushtarakë pa pilotë) të prodhuara në Türkiye, tashmë janë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, njoftoi se dronët Bayraktar, të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, tashmë janë në Shqipëri!
“Prej dy ditësh, ka filluar montimi dhe paralelisht po kryhet instalimi i infrastrukturës mbështetëse për operimin dhe kontrollin e tyre. Ky zhvillim jo vetëm që rrit aftësitë e mbrojtjes së Shqipërisë, por shërben edhe si dëshmi e angazhimit të vendit për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të përmbushur standardet më të larta të mbrojtjes”, shkruan ministri Peleshi në rrjetet sociale.
Ndërkohë, ushtarakët shqiptarë janë trajnuar në Türkiye disa muaj më parë mbi përdorimin e dronëve turq “Bayraktar”.
Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2022 në Tiranë u nënshkrua kontrata për blerjen nga Shqipëria të flotës së mjeteve ajrore pa pilot “Bayraktar”, sipas autoriteteve shqiptare, produkt i Partneritetit Strategjik Shqipëri-Türkiye dhe në kuadër të modernizimit të Forcave të Armatosura shqiptare si anëtare të NATO-s.
Ende nuk dihet se sa ka kushtuar blerja e njërit prej tyre.
Dronët Bayraktar janë vendosur në bazën e NATO-s në Kuçovë, e cila do të përurohet më 4 mars.
Dronët Bayraktar janë aeroplanë ushtarakë pa pilotë.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pati thënë se marrëveshja për dronët është arritur falë partneritetit strategjik me Turqinë.
Rama e ka bërë të qartë se dronët do të përdoren edhe për misione ushtarake, por edhe policore dhe civile.
“Tre dronët që do të vijnë të parët do të jenë plotësisht të armatosur dhe të gatshëm për çdo rast dhe shpresoj që të mos ndodhë kurrë, por nuk jetojmë në kohë të sigurta. Kur siguria jonë kombëtare të jetë në kërcënim, do të jemi gati për luftë”, ka thënë Rama.
Marrëveshja përfshin, gjithashtu, trajnimin e më shumë se 30 personave, që do përzgjidhen me ndihmën e kompanisë “Bayraktar” për t’u përgatitur për të marrë funksionin e qendrës së kontrollit, që do jetë objekt i teknologjisë më të lartë në bazën ajrore të Kuçovës.
Kjo arritje, sipas tij, është simbol i dedikimit të Shqipërisë drejt modernizimit dhe inovacionit në Forcat e Armatosura.
Pas Kosovës, e cila vitin e kaluar u furnizua me dronë Bayraktar, Shqipëria bëhet shteti i dytë në rajon që është furnizuar me këtë lloj të dronëve.
Droni TB2 është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayrakar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit.
Droni Bayraktar mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij.
Dronët TB2 janë përdorur nga Turqia në ato që ajo i quan operacione “kundër terrorizmit” kundër militantëve kurdë, por edhe në luftën civile që ende po vazhdon në Libi.
/Argumentum.al