Bujar Spahiu me 82 vota pro është rizgjedhur për një tjetër mandat 5-vjeçar në krye të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Zgjedhjet e sotme për kreun e KMSH-së mbahen pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të kryetarit aktual Bujar Spahiu, i zgjedhur më 02 mars të vitit 2019. Tre kandidatët në garë për kreun e KMSH-së ishin kreu aktual Bujar Spahiu, administratori i myftinisë së Durrësit Aduard Shefki, si dhe myftiu i Breatit Emirjon Vathaj.
Bujar Spahiu ka arritur të marrë 82 vota nga 92 anëtarë të Kryesisë që kanë votuar në total. Ndërkohë, dy kandidatët e tjerë në garë kanë marrë nga 3 vota secili, ndërsa 4 vota janë shpallur të pavlefshme.
“Të nderuar vëllezër dhe motra kam qenë dhe do të jem i hapur ndaj çdo kritike konstruktive. Ftoj cilindo të shpreh lirisht mendimet e tyre. Cilido prej jush do të vijojë gjet një atmosferë të mirë të lirisë së shkëmbimeve idesh dhe këshillimi të ndërsjelltë sa i shërben qëllimit dhe misionit. Institucioni nuk do ngurojë të ndjek rrugë ligjore ndaj kujtdo që akuzon pa fakte dhe nxit përçarje mes vëllezërve. KMSH do të vijoi të jetë vazhdues i traditës. Në 100 vite kemi qenë faktor stabiliteti paqeje dhe mirëkuptimi në shoqërinë shqiptare. Do vijojë të jetë kontribuues ky institucion në harmoninë dhe dialogun ndërfetar. Do japim kontributin që Shqipëria të jetë më e begatë . Do vijojmë të japim kontributin tonë që të përparojë drejt Evropës. Do bëjmë çmos që familja të jetë e shëndetshme. I lutemi Zotit të jetë krah nesh për ta çuar përpara këtë punë. Le të kthejmë sytë nga Zoti dhe t’i lutemi atij të bëjmë të mirën dhe të refuzojmë të keqen. Amin.”, tha Bujar Spahiu gjatë një fjalimi të mbajtur pas rizgjedhjes në krye të KMSH-së.
Brenda vetë Komunitetit kanë ndodhur lëvizje, ku Myftiu i Tiranës, Lauren Luli, ka lenë postin e tij dhe është bërë nën/kryetar i KMSH. Ndërsa vendin e tij e ka zëne Gazment Teqja.
Nga KMSH-ja ndërkaq deklarohet se zgjedhjet janë bërë duke filluar që në qershor.
“Në muajin qershor janë bërë zgjedhjet nëpër xhami. Pastaj zgjedhjet në Myftini ku çdo xhami ka pasur një përfaqësues. Është krijuar Këshilli i Myftinisë i cili ka zgjedhur anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm, qe është këtu sot për të votuar. Zgjedhjet janë bere konform çdo rregulli statutor”, shkruhet në një reagim të tyre.
Njoftimi i plotë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë:
Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, zhvilloi sot në ambientet e Medresesë së Tiranës, mbledhjen e tij të zakonshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të institucionit.
Pas votimit të anëtareve të Këshillit të Përgjithshëm, H. Bujar Spahiu, u rizgjodh Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për një mandat të dytë 5-vjeçar.
Kandidaturat për kryetar të institucionit ishin: z. Eduard Shefki, Administrator i Myftinisë së Durrësit, z. Emirjon Vathaj, Myfti i Beratit dhe z. Bujar Spahiu, kryetar aktual i KMSH-së.
Fillimisht kandidatët prezantuan platformat dhe vizionin e tyre për të ardhmen e institucionit. Gjatë prezantimit pati diskutime dhe pyetje të ndryshme në lidhje me programin por edhe mbi çështje që preokupojnë institucionin dhe besimtarët.
Votimi për zgjedhjen e kryetarit u zhvillua në mënyrë të fshehtë. Nga 94 anëtarë të këshillit, votuan 92 prej tyre pasi 2 anëtarë mungonin. Fitues me shumicë votash u shpall z. Spahiu me 82 vota.
Proçesi i votimit u zhvillua rregullisht konform normave statutore dhe nuk pati asnjë kontestim.
Z. Islam Hoxha, Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i dorëzoi në shenjë simbolike kryetarit Spahiu çallmën dhe xhyben e tij duke i uruar suksese dhe mbarësi në këtë mandat të dytë pesëvjeçar.
Më pas, z. Spahiu me dorë mbi Kur’anin Famëlartë, bëri betimin konform statutit përpara anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm si vijon:
“Betohem në emër të Allahut, se do të vazhdoj me besnikëri e përkushtim urdhrat e Islamit, do të punoj me ndërgjegje të plotë islame për lartësimin e fesë së Allahut, do të zbatoj me përpikmëri Statutin dhe Rregulloren e Komunitetit Mysliman, dhe do të punoj me ngulm për forcimin e ndjenjës kombëtare e atdhedashurisë ndër myslimanët e Republikës së Shqipërisë. Allahu më ndihmoftë!”
Pas ceremonisë së betimit, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm e uruan z. Spahiu për mandatin e dytë në krye të institucionit.
Protesta para Medresesë
Këto zgjedhje para dhe pas zhvillimit të tyre u mbajtën mes akuzave dhe polemikave se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i kapur nga njerëzit e Fet’hullah Gylenit, ose siç e konsiderojnë ata, organizata FETO. Për këtë një pjesë e besimtarëve mysliman i konsiderojnë zgjedhjet e sotme si “një teatër të orkestruar”.
Ata kanë protestuar ditën e sotme jashtë Medresesë së Tiranës, ku me pankarta në duar i kanë bërë thirrje që gylenistët të largohen nga KMSH-ja. “Të largohen gylenistët nga pushtimi i KMSH-së”, “FETO Leave Albanian Islam Alone”, “Legjitimitet për KMSH-në”, “Gylenistë ne nuk iu duam”, ishin disa prej pankartave që mbanin ata në duar.
Në fakt ndërsa ky grupim i vogël besimtarësh akuzojnë përfaqësinë legjitime të KMSH-së se janë nën influencen e Gulenit, duket se vetë grupim është nën influencen e Erdoganit. Madje dhe pankaratat në gjuhën huaj ishin pikërisht për ti dhënë jehonë këtij pretendimi përtej kufijve të Shqipërisë.
Kjo proteste e ditës se sotme vjen pak ditë pas tensioneve brenda xhamisë Dine Hoxha në Rrugën e Kavajës ku besimtarët ofenduan myftiun e Tiranës Laurent Lulin dhe tentuan ta përzënë. Si mundet që këta besimtare të përzënë dhe të ofendojne një klerik mysliman. Në emrin e cilës fe ndodh ky përçudnim, apo në emër të Erdoganizmit?
Duhet thënë se pikërisht Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, prej vitesh po i kërkon kryeministrit Edi Rama, atë që ai e cilëson si “pastrim i mbetjeve të fundit të organizatës FETO”, të klerikut Fetullah Gylen, të cilin e akuzon për veprimtari terroriste dhe si përgjegjëse të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016. Këtë kërkesa ia përsëriti edhe në vizitën e fundit zyrtare në Ankara më 20 Shkurt të 2024.
Pjesë e agjendës sonë ishte dhe pastrimi i mbetjeve të FETO në Shqipëri, e cila vazhdon aktivitetet e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona. Ne nuk do të lejojmë që kjo t’ia arrijë objektivat e saj dhe po ashtu ne shikojmë që edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë dhe falënderoj për kontributin që ka dhënë në arsim fondacioni turk Maarif në Shqipëri”– theksoi Erdogan.
Peng i kësaj kërkese ka mbetur xhamia e Namazgjasë në Tiranë, e investuar nga Turqia, e cila edhe pse ka mbaruar prej kohësh, ende nuk është inaguruar, për shkak se Presidenti turk Erdogan i kërkon kryeministrit Rama pastrimin e KMSH nga organizata “FETO”.
Megjithatë, kjo xhami i përket Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, dhe është në territorin shqiptar, një vend Sovran dhe Demokratik i cili në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk duhet të bie pre e kufizimeve të askujt. Eshtë e papranueshme që në emër të fesë, për interesa personale, të krijohen përçarje dhe ndasi. Përkundrazi në emër të fesë duhet dhënë shëmbëlltyra tolerance, paqeje dhe bashkimi.
/Argumentum.al