Vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë mbështetje të fortë, ndërsa ecin në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, tha sot kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock duke veçuar rreziqet që paraqet Moska për stabilitetin e rajonit.
Baerbock theksoi se BE nuk mund të përballojë ato që ajo i quajti “zona gri” të sigurisë.
“Ne nuk mund t’i lejojmë vetes zona gri kudo në Evropë dhe duhet të bëjmë gjithçka që mundemi së bashku për të mbyllur hapësirat që Rusia mund të përdorë për politikën e saj të destabilizimit, dezinformimit dhe infiltrimit”, tha ajo përpara se të nisej për në Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinë.
“Kjo përfshin mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në forcimin e institucioneve të tyre demokratike, përmirësimin e qëndrueshmërisë së tyre dhe ofrimin e perspektivave ekonomike”, shtoi Baerbock.
”Është bërë një domosdoshmëri gjeopolitike, veçanërisht përballë imperializmit brutal të Rusisë, që ne të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur gjashtë shtetet në rajon në rrugën e tyre për t’u bashkuar me bllokun”, tha Baerbock.
“Si BE, ne kemi detyrën e përbashkët për ta bërë veten të përshtatshëm për të ardhmen ndërsa vendosim më shumë karrige në tryezën evropiane”, tha ajo.
Baerbock do të zhvillojë bisedime në Podgoricë me kryeministrin Milojko Spajiç, ministrin e Jashtëm Filip Ivanoviç dhe presidentin Jakov Milatoviç.
Kryeministri Spajiç dhe presidenti Milatoviç e kanë udhëhequr Malin e Zi që nga viti 2023 dhe, si paraardhësit e tyre, ata janë pro evropianë.
Megjithatë, Spajiç mund të zgjidhej vetëm me mbështetjen e partive të vogla pro ruse dhe pro serbe.
Në Sarajevë, pritet që Baerbock të takohet me anëtarët e presidencës tripalëshe të BH si dhe me Christian Schmidt, përfaqësuesin e lartë të komunitetit ndërkombëtar, i cili mbikëqyr paqen në BH.