Shqipëria dhe Mali i Zi po punojnë për zgjerimin e urave të bashkëpunimit edhe në fushën e bujqësisë.
Një delegacion i kryesuar nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj po zhvillon një vizitë zyrtare në Podgoricë, ku u takua me ministrin e Bujqësisë, Vladimir Joković.
“Me homologun, Vladimir Joković, folëm për rritjen e pjesëmarrjes në panairet respektive të bujqësisë dhe organizimin e forumeve të biznesit, si një mundësi për krijimin e partneriteteve të reja mes bizneseve shqiptare dhe malazeze”, u shpreh ministrja Denaj në një postim në rrjetet sociale.
Ministrja bëri të ditur se do të lehtësohen procedurat e kontrolleve në kufi dhe njohjen e ndërsjellë të certifikatave fitosanitare dhe veterinare, për të shpejtuar lëvizjen e mallrave dhe rritur eksportet “Made in Albania” drejt Malit të Zi.
Ministrja Denaj po ashtu tha se gjatë takimit u trajtua edhe çështja e menaxhimit të peshkimit në liqenin e Shkodrës.
“Morëm angazhimin për më shumë bashkëpunim mes grupeve teknike dhe të pushtetit vendor, për ndalimin e peshkimit të paligjshëm”, deklaroi Denaj.