8 poezi nga Blerta DERHEMI*
Një tufë poetike si dhuratë për të gjitha Nënat dhe Gratë në këtë 8 Mars.
JAM GRUA
Jam dashuria stolisur mbi kuaj të bardhë,
sythat e shpresës përkund
në djepin e ëndrrës ,
Jam luftëtare e heshtur,
dhimbjes i jap zë,
me foshnjën e njomë mëkuar në gji,
Botës i jap dritë me syrin e pagjumë,
Jam frymëmarrje e dehur netëve pa hënë,
zinxhirët e heshtjes kërkëllijnë
me dhimbjen e shekujt mbi shpinë,
Jam frymëmarrje e ngashëryer,
penelat vjeshtakë mi përskuqin mendimet,
Jam frymë e gjallë, zvarritur ndër dimra,
me zjarrin e jetës mbrujtur në gjak,
Jam fundi dhe fillimi,
Jam ikja dhe ardhja,
Jam rebelimi dhe durimi,
Jam mallkimi dhe bekimi,
Jam lufta dhe paqja,
Jam vdekja dhe jeta,
E, ç’gjëkënd tjetër të dua të jem!
Jam asgjëja dhe gjithçkaja!
Jam grua…
Gjyshes
Gishtrinjtë m’u shpuan,
tek qepja pëlhurën e mendimeve,
Erdh’ gjyshja me gishtezën e artë,
plagëve u vuri melhem,
Pa nxori nga zemra mëndafsh, gjilpërën fildish,
Diellin qëndisi përmbi sy,
me penjtë ngjyra shume të kujtimeve.
Nxor’ grepin e argjendë,
më thuri ninullë lule pranvere,
Mendimet e grisura arnoi me ëndrra,-me tha,
si qielli arnohet nga retë!
Shkoi gjyshja me krahë dallëndyshesh,
gishtrinjtë qëndisin nënkresën e trëndafiltë!
Lumturisht nënë
Mesnata hesht,
Mbi shtretër frymëmarrjet e vogla,
i gjegjen lodhjes mbi shpinë,
Sumbullat e mendimit,
mbërthejnë qepallat,
Doçkat e njoma,
dorëzohen në përqafim.
Ritmi i dy zemrave
më zbret në duar gjithësinë,
Lumturi pa pipëtimë!
Ajorës
E vogla ime,
Buzë mbrëmjes në të zbritur,
Erdhe!
Mes Udhës së Qumështit,
Me petka yjesh e flokë prej hëne,
Atë natë dimri më dhe dritë…
Me pluhur ylberi m’i mjekove dhimbjet,
Buzët e vogla, gonxhe porsa çelur,
Më kërkonin nektarin e jetës për të vjelë…
Syçkat diell ma përndritën botën,
Fjalet e mia, në lugina lotësh morën rrokullinë,
Duart e tua,
shportëza me farën e jetës e shpresës mbledhur,
Zgjateshin shiun për të terur…
Muza e lumturisë
Centimetrat katrorë të lëkurës, hartë mistike,
gishtërinjtë epshorë, kërkojnë rrugën e thesarit,
Troku i zemrave dehës,
çdo rrahje si gllënjkë rumi në buzët pirate,
Frymmarrjet çritmuar, furtunë ekuipazhit të mendimeve,
Rrufe në qiell të hapur,
zbrazet pavetëdija,
Qetësi…
Një çast më larg,
orvatur brigjeve ku prehet lumturia.
Shtëpiza
Nuk ngrita kurrë shtëpi me gur e mur,
Si kërmill tërheq mbi supe një shtëpizë,
tjegulla rendis, çati kujtimet,
ngrenë mure gjurmët ndër udhë!
Me vesë ushqej zjarrin në zemër,
vatër e ngrohtë, e shtrenjta pasuria ime!
Ekuacion
Ç’i ngatërruar ekuacion ky shekull i marrë,
Sa të panjohura!
S’ka teoremë që bashkë i mban…
Idetë të shkapërdara krejt, s’ka kosinus shpjegues,
c’kënd me realitetin kanë!
Mendimi im dergjet tangent në krah të henës, qelibar…
u zgjua Arkimed i lashtë,
Një pikë kërkon ku ta mbështesë,
të shenjtën shpresë, per pak ag’.
Ç’ekuacion i marrë ky shekull i ngatërruar idesh,
S’ka Arisotel të gjej të mesmen e artë.
Mbrëmjeve mendimi im varet të retë,
pingul mbi yllin lajmëtar…
Por ahhhh gravitacion i marrë,
mëngjesi zhbëhet krejt,
dite e re!
Jam sërish në realitetin ekuacion
Falja
Hëna shtrydhet si limon,
Pikë, pikë derdh notat në kitarë,
tingujt digjen në mendimin e ftohtë prej murgu,
pentagram i kaltër,
nënkresë për ëngjëll e djall,
me kupën qiellore rrufis shiun e athët hënor,
Pikë, pikë pastrohet shpirti mëkatar,
shpirti njerëzor,
ndizet në akuj zjarr hyjnor!
*Autorja Blerta Derhemi është diplomate karriere.
/Argumentm.al