Besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në mbarë botën nisin nesër Muajin e Shenjtë të Ramazanit.
Për këtë, liderët politike të Shqipërisë kanë uruar besimtarët myslimanë.
Presidenti Bajram Begaj uron që durimi durimi, reflektimi, pastrimi shpirtëror ta bëjnë shoqërinë shqiptare më të devotshme, të udhëhequr nga e drejta, urtësia dhe mirësia.
Presidenti Bajram Begaj u uroi të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë agjërim të lehtë e të pranuar.
“Uroj që durimi, reflektimi, pastrimi shpirtëror dhe iftaret në familje, komunitet apo me të pamundurit, ta bëjnë shoqërinë shqiptare më të devotshme, të udhëhequr nga e drejta, urtësia dhe mirësia. Agjërim të lehtë e të pranuar për të gjithë! Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!”, thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit.
Kryeministri Edi Rama thotë në urimin e tij se sonte nis një kohë reflektimi, një ngjarje vjetore që ushqen shpirtin e unitetit dhe përkushtimit ndaj tjetrit pa dallim.
“Një kohë reflektimi, dhembshurie e rritjeje shpirtërore nis sonte për besimtarët muslimanë. Sjelltë ky muaj i tyre i shenjtë afrim në besim dhe ndriçim të brendshëm në rrugën e tyre dhe të të gjithëve bashkë, me paqe dhe bekime. Ushqeftë kjo ngjarje vjetore shpirtin e unitetit dhe përkushtimit ndaj tjetrit, pa dallim e përjashtim, duke pastruar e pasuruar mendjet e zemrat e këtij vendi që sot ka nevojë të rritet dhe ngjitet lart në krahët e të gjithëve Ramazan të paqtë e bujar”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.
Një urim për besimtarët një ditë para fillimit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit e ka përcjellë edhe kreu i PDLulzim Basha, përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Basha uron që për Shqipërinë dhe shqiptarët të sjellë më shumë besim e shpresë, më shumë paqe e harmoni, më shumë drejtësi e vëllazëri, më shumë dlirësi e humanizëm.
“Të dashur vëllezër e motra të besimit islam që nisni agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, nga zemra ju uroj agjërim të lehtë dhe të pranuar! Ju uroj të gjithëve më shumë besim e shpresë, më shumë paqe e harmoni, më shumë drejtësi e vëllazëri, më shumë dlirësi e humanizëm. Shërbeftë ky muaj i shenjtë për të na udhëhequr në rrugën e drejtë dhe përmes sakrificës e faljeve ndaj Zotit, për të ndërtuar një jetë më të mirë për popullin tonë, me më shumë mundësi dhe gëzime për çdo familje shqiptare. Uroj që sakrifica hyjnore e këtij muaji, të shndërrohet në dritë dhe mbarësi për të gjithë agjëruesit dhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen!”, tha Basha.
Gjithashtu Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla uroi sot besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të Muajit të Bekuar të Ramazanit.
“Uroj të gjithë besimtarët myslimanë dhe qytetarët shqiptarë: Shëndet e gëzime në familje! Nevoja dhe tradita për të dashur e mbështetur njëri-tjetrin tejkalon çdo besim e komunitet fetar dhe zbukuron jetët tona”, u shpreh Nikolla në mesazhin e saj.
Sipas saj, “mozaiku fetar është një pasuri kulturore e kombëtare e Shqipërisë dhe e shqiptarëve”.
“Sakrifica, vullneti dhe durimi që besimtarët dëshmojnë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, sjellin rritjen shpirtërore, na afrojnë me njëri-tjetrin dhe lehtësojnë përballimin e vështirësive. Agjërim të lehtë e të pranuar”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
/Argumentum.al