REALPOLITIK FLASH NR. 87
1 – 16 MARS 2024
Mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur,
DR. JORGJI KOTE
1.Leyen dhe stabilokracia! Më 9 Mars, Grupimi më i madh politik i Partive të Djathta Europiane ( EPP) në Parlamentin Europian miratoi me shumicë votash Presidentin e Komisionit Europian, Ursua von der Leyen si kandidate kryesore në zgjedhjet europiane më 6 dhe 9 Qershor për një mandat të dytë pesëvjeçar. Me vlerësime pozitive për aftësitë dhe rezultatet e saj në krye të Komisionit në momente tejet të vështira për BE-në; njihen tashmë disa nisma epokale me rastin e krizës së koronës dhe agresionin rus ndaj Ukrainës.
Gjithsesi nuk kanë munguar gjatë kësaj periudhe as rezervat dhe kritikat lidhur me kandidaturen e saj. Rizgjedhja e saj jep mesazhin jo të ngrohtë dhe pse nga halli se BE-ja do të vijojë t’i kushtojë përprësi stabilitetit dhe gjeopolitikës, duke e spostuar në plan të dytë apo të tretë demokracinë dhe shtetin e të drejtës, pavarësisht nga fjalët dhe përbetimet e saj. Në fakt, sot në kushtet e sotme të rreziqeve dhe kërcënimeve të shumta nga brenda dhe jashtë BE-së, sidomos nga ekstremizmi i djathtë, sfidat social – ekonomike, Kina, Rusia, Irani, kriza në Lindjen e Mesme, është realisht e pamundur që dhe BE-ja “të mbajë dy kunguj nën një sqetull“ dmth interesat realpolitike nga njera anë dhe vlerat e parimet demokratike me të gjitha rrjedhojat e saj nga ana tjetër. Ca më tepër kur demokracia po pëson gërryerje dhe goditje dhe në vete “kështjellat“ e saj, në SHBA dhe në shumë vende europiane. Themi kështu, sepse siç dhe e ka treguar në këta 5 vjet dhe në Ballkanin Perendimor, Presidentja von der Leyen nuk e ka staturën, vizionin dhe karizmën që kërkon koha dhe momenti, duke vepruar më shumë sipas parimit ” tërhiq e mos e këput” duke e “mbajtur grurë“ edhe me autokratë, duke injoruar opozitën ngado, median e lirë dhe shoqërinë civile; ua ka lënë këtë ashtu si dhe Departamenti i Shtetit Raporteve rutinore të Progresit që ”as ulin dhe as ngrejnë”, madje zhvleftësohen përballë deklarimeve dhe lëvdatave të drejtuesve të tyre më të lartë që nuk dinë të paktën as ” t’u tërheqin veshin“ por vetëm duke u “bërë fresk“ autokratëve të Ballkanit, por jo vetëm !.
2.Polonia rikthehet në Euroatlantizëm! Më 13 Mars, Presidenti polak Andrzhi Duda dhe Kryeministri i ri Donald Tusk u pritën në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Biden. Ky i fundit vlerësoi rolin e madh dhe në rritje të Polonisë në proceset Euro-Atlantike e sidomos në dy vitet e fundit me mbështetjen e fuqishme të Ukrainës në luftën e saj heroike kundër Rusisë. Largimi i Partisë për Ligj dhe Drejtësi dhe ardhja në krye të qeverisë e europianistit të shquar, Donald Tusk, ish President i Këshillit Europian i ka dhënë impulse të reja të fuqishme rolit të ri gjeopolitik të Polonisë. Madje, sipas ekspertëve, në rastin e fitores së Ukrainës, Polonia dhe vende të tjera lindore, ato Balltike deri te Shqipëria do të kenë një rol qëndror në BE-në e ardhëshme dhe në sigurinë e tij. Kjo falë njohjes dhe përvojës së tyre më të madhe me rregjimin rus dhe autokracitë e tjera.
3.Tripalëshi i Vejmarit në Berlin: Është fjala për këtë Forum ( Weimar Dreieck) të krijuar në vitin 1991, ku janë Gjermania, Franca dhe Polonia. Synimi fillestar ishte ndihma dhe mbështetja për Poloninë në procesin e anëtarësimit në BE dhe NATO. Pastaj, Tripalëshi i Vajmarit ka luajtur rol të madh në forcimin e bashkëpunimit të këtyre tri vendeve. Pavarësisht nga oshilacionet në marrëdhëniet mes tyre, ai ka shërbyer për t’u mbledhur në formate të ndryshme e për të sheshuar mosmarrëveshjet të cilat siç dihet kane qenë serioze dhe kohët e fundit sidomos midis Francës dhe Gjermanisë. Kjo e fundit kundërshtoi sugjerimin e Macron mbi mundësinë e dërgimit të trupave dhe raketave të fuqishme “ Taurus” në Ukrainë. Gjithsesi, siç edhe pritej, në takimin e datës 15 Mars në Berlin, Scholz, Macron dhe Tusk rikonfirmuan miqësinë dhe bashkëpunimin e të tria vendeve, posaçërisht në mbështetje të Ukrainës. Ato krijuan koalicionin për Prokurimin dhe dërgimin e sasive të mëdha e të vazhdueshme të armëve dhe municionit për Ukrainën; hollësitë e tij do të jepen më 18 mars nga ministrat e tyre të mbrojtjes. Gjithashtu, të tre liderët shprehën vendosmërinë për të ndihmuar Ukrainën në fitore.
4.”Jo murit me kokë”, Albin! Kjo është porosia dashamirëse që mund t’i jepet Kryeministrit të nderuar të Kosovës Albin Kurti lidhur me qëndrimet e tij ndaj SHBA-së dhe BE-së. Njihen tashmë disa qëndrime të tij kokëforta të kohëve të fundit, të cilat kanë dëmtuar seriozisht kohezionin dhe partneritetin me të dy aleatët tanë më të mëdhenj historikë; duke çuar për fat të keq ” ujë në mullirin e hasmit”. Jemi sjhrehur në shkrime të mëparshme te ARGUMENTUM dhe gjetkë se për disa çështje Kosova dhe Kurti kanë të drejtë. Ashtu siç kemi kritikuar qasje të gabuara amerikane dhe europiane lidhur me dialogun Beograd – Prishtinë, diplomacinë qetësuese dhe qëndrimet përkëdhelëse të Perëndimit; ky i fundit ”i ”bën fresk” Beogradit, ndërsa Kosovën shpesh e trajton ” si të njerkës”. Dihet gjithashtu imazhi pozitiv i Kosovës dhe i Kryeministrit Kurtit lidhur me menaxhimin e përkryer të situatës mbas aktit terrorist të bandave serbe në Banjskë më 24 Shtator 2023. Mirëpo qëndrimet e tyre të mëvonshme, pavarësisht sofizmave ligjore dhe justifikimeve me kushtetueshmërinë e tyre janë humbje kohe, shansesh, kundraproduktive dhe nuk të çojnë askund. Kujdes, Prishtina nuk e ka luksin ”t’i bjerë murit gjeopolitik me kokë”! Nuk ka as këllqe, as kokë dhe as kohë! Po, le t’ia shprehë kritikat dhe rezervat SHBA-ve dhe BE-së, por në kanale dhe rrugë diplomatike, me korrektesi dhe në frymën pozitive të bashkëpunimit dhe të ardhmes. Duhet ta kuptojë se SHBA dhe BE si fuqi të mëdha kanë dhe bëjnë dhe politika dhe interesa të mëdha gjeopolitike. Kosova nuk ka pse t’u futet ” si pykë”. Përkundrazi, të jetë në sinkron me to dhe të bëjë maksimumin në ndihmë të realizimit të qëllimeve të tyre dhe shpërblimi nuk do të mungojë. Në të kundërtën, nëse do të vijojë kështu, t’i harrojë piksynimet gjeopolitike, anëtarësimin në KiE, BE, NATO, OSBE, Interpol, të harrojë njohjet dhe pasoja të tjera të rënda. Vendimi i fundit i mirëpritur lidhur me pronën e Manastirit të Deçanit do ndjekur sa më parë nga ai për dinarin dhe fillimi i punës për tekstin e asociimit. Ndryshe, do të ndodhë si ai që tha ”ku ishe, hiç gjëkundi”!
© 2024 Argumentum