Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Twitter ka reaguar për ecurinë e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duke theksuar rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e saj Zbatues, për të siguruar stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor.
“Ndërsa i afrohemi takimit të Këshillit të Evropës të 21 marsit, është thelbësore të kujtojmë se zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Aneksin e saj Zbatues, është i një rëndësie të madhe për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor”, shkruan Rama.
“Nuk mjafton thjesht që Marrëveshja të jetë ligjërisht e detyrueshme. Për të siguruar progres, Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Çdo vonesë për ta bërë këtë vetëm e forcon status quo-në”, vijon Rama.
“Dhe status quo-ja në lidhje me këtë çelës strategjik për fqinjësi paqësore, të begatë dhe evropiane në mes të Evropës nuk i shërben sigurisë së vetë Evropës”, përfundon Rama.
Sot është njëvjetori i marrëveshjes së nënshkruar në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.