Departamenti Amerikan i Shtetit tha të hënën se ka sanksionuar ish kryeprokuroren e Posaçme të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, kryetarin aktual të komunës së Karposhit në Maqedoninë e Veriut, Stevço Jakimovski dhe ish kryetarin e komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, për përfshirje në korrupsion.
Në një njoftim të Departamentit të Shtetit thuhet se “veprimet e tyre dëmtuan sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverive të tyre përkatëse”.
Në njoftim thuhet se ish kryeprokurorja e Posaçme e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, ndërsa ishte në detyrë, ishte e përfshirë në akte korruptive, duke shfrytëzuar ndikimin e saj politik dhe pushtetin zyrtar për përfitime personale.
“Ka informacione të besueshme që zonja Janeva ka kërkuar dhe ka marrë ryshfet për të ndikuar në një prokurori nën kompetencën e saj”, thuhet në njoftim.
Ndërsa kryetari i komunës së Karposhit, zoti Jakimovski, thuhet më tej, ishte përfshirë në akte korruptive, duke shfrytëzuar postin e tij zyrtar për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit. për të përfituar për veten dhe bashkëpunëtorët e tij.
Për ish kryetarin e komunës së Kaçanikut, zotin Zharku, thuhet se ishte i përfshirë në akte korruptive, duke shfrytëzuar postin e tij për të ndërhyrë në proceset e prokurimit për të lejuar në mënyrë të paligjshme ndërtimin në pronën komunës, për të përfituar për veten dhe bashkëpunëtorët e tij.
Sanksionet, thuhet në njoftim, dëshmojnë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur sundimin e ligjit dhe forcimin e institucioneve demokratike në të gjithë Ballkanin. Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të përdorë të gjithë autoritetin për të nxitur llogaridhënien për aktorët e korruptuar në rajon dhe në botë.
Të sanksionuarve dhe anëtarëve të ngushtë të familjeve të tyre u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Në qershor të vitit 2020 ish kryeprokurorja e Posaçme e Maqedonisë së Veriut Katica Janeva u dënua me 7 vjet heqje lirie për “shpërdorim të detyrës”.
Ndërkaq, ish kryetari i komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, u la i lirë në fillim të vitit 2023 nga akuzat për shpërdorimit të detyrës zyrtare, meqë lënda ishte vjetruar. Sipas aktakuzës që ishte ngritur ne vitin 2010, ai dyshohej se në vitin 2008 ndërsa ishte kryetar i komunës “në mënyrë të paligjshme kishte lejuar ndërtime në një pronë të komunës”.
Në vitin 2011 ai ishte dënuar me tre vjet heqje lirie për një vepër tjetër që përfshinte akuzat për “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Pas konfirmimit të vendimit ai ishte arratisur nga Kosova dhe për gati pesë vjet e gjysmë kishte qëndruar në Suedi. Në qershor të vitit 2018 ishte kthyer në Kosovë pasi një gjykatë në Ferizaj vendosi anulimin e ekzekutimit të dënimit, meqë lënda ishte vjetruar apo sic thuhet në Kosovë “ishte parashkruar”./voa