Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura me lëvizjen e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian, tha i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit me presidentin malazez, Jakov Millatoviq, dhe kryeministrin Millojko Spajiq.
“SHBA-ja mbështet rrugën evropiane të Malit të Zi dhe kjo qeveri veçse ka ndërmarrë hapa të mëdhenj. Shumica e udhëheqësve në Mal të Zi kanë shfaqur vizion të madh”, tha Escobar gjatë konferencës për media më 18 mars.
Duke komentuar rënien e mbështetjes për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe për ndikimin rus, Escobar tha se Mali i Zi ka mike të mirë SHBA-në, por po ashtu është një aleat brenda aleancës.
“Ndikimi malinj rus në rajon është shumë serioz. Pas pushtimit [rus] të Ukrainës, u bë e qartë sesa e rëndësishme është NATO-ja. Mali i Zi kontribuon si një partner i mirë, prandaj mund të pritet që të bëhet anëtari i ri i BE-së”, tha ai.
Raporti zyrtar vjetor i aleancës tregoi se 44 për qind e popullatës do të votonin që Mali i Zi të largohej nga NATO-ja, që është 20 për qind më shumë sesa dy vjet më parë.
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, tha se rënia e mbështetjes për aleancën është një gjë e së shkuarës.
“Kemi parë shifrat e këtij raporti, por këto shifra i përkasin së shkuarës”.
Qeveria e Spajiqit është formuar katër muaj më parë.
Spajiq tha se është i bindur që mbështetja e qytetarëve për NATO-n do të rritet sepse, sipas tij, qytetarët do të shohin vetëm përfitime nga anëtarësimi në aleancë, veçmas në fushën e ekonomisë.
“Investitorët e shohin se nëse ju jeni anëtar të NATO-s, ju jeni më i besueshëm dhe siguria fizike është e rëndësishme. Kur jeni anëtar i NATO-s ju ofrohet siguri. Ky është përfitim nga anëtarësimit”.
Duke sqaruar deklaratën e tij dhënë gjatë njëinterviste për Radion Evropa e Lirë kur ai tha se “gjëja më e rëndësishme tani për Malin e Zi, është që të mbështesë gjithçka që po bën kryeministri”, Escobar tha se ai u referua mbështetjes së asaj që Spajiq po bën për ta afruar shtetin e tij me BE-në.
“Unë nuk mbështes individualisht kryeministrin në atë që ai bën në politikën e brendshme, por në atë që bën për ta bërë Malin e Zi anëtarin më të ri të tregut të përbashkët evropian”, tha Escobar.
Duke komentuar mundësinë që partitë e ish-koalicionit pro-rus të Frontit Demokratik të hyjnë në Qeveri, Escobar tha se SHBA-ja kurrë nuk ka komentuar mbi raportet mes kryeministrit dhe partnerëve të tjerë politikë.
Por, ai shtoi se komuniteti ndërkombëtar e ka bërë të qartë se si partitë në Malin e Zi e pozicionojnë veten sipas vlerave të komunitetit euroatlantik”.
“Në këtë periudhë, tre anëtarë [autoritete në Mal të Zi] ndihmojnë në stabilitetin rajonal dhe një prej tyre nuk është aq konstruktive dhe bën deklarata për Kosovën dhe shkakton turbulenca. Ka po ashtu një ndikim që shqetëson Bosnje e Hercegovinën, që nuk ndihmon në përpjekjet e shtetet për BE dhe NATO. Komuniteti ndërkombëtar po vëzhgon retorikën e disa partive”, tha Escobar.
Në të kaluarën, Escobar ka shprehur shqetësim lidhur me atë nëse Fronti Demokratik, që tashmë i ofron mbështetje parlamentare Qeverisë së Spajiqit, do të hynte në Qeverinë e Malit të Zi.
Në intervistën që Escobar dha për REL-in më 15 mars u pyet nëse SHBA-ja do të rishqyrtojë marrëdhënien me Malin e Zi, nëse ish-koalicioni i Frontit Demokratik i bashkohet Qeverisë, zyrtari amerikan tha se është shumë herët të flitet për këtë çështje.
Në Qeverinë e Spajiqit, përveç ministrave nga partia e tij, Lëvizja Evropa Tani, ka edhe anëtarë nga Demokratët, Partia Popullore Socialiste pro-serbe dhe parti shqiptare.
Partitë e ish-koalicionit të Frontit Demokratik në Parlament i kanë dhënë mbështetje Qeverisë, si dhe Partia Demokratike Popullore. Dy udhëheqësit e këtyre partive kanë thënë se do të hyjnë në Qeveri në fund të vitit dhe kanë kërkuar që riformatimi i ekzekutivit të bëhet brenda muajsh. Pritet që këto dy parti të marrin katër poste ministrore, postin e zëvendëspresidentit, dhe katër ambasadorë: në Moskë, Beograd, Pekin dhe Athinë. /rel/