Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, u shpreh sot se “PS është e vetmja forcë politike në Shqipëri që ka alternativë dhe aftësi qeverisëse, por ka njëkohësisht edhe përgjegjësinë reale për ecurinë e procesit të anëtarësimit të vendit në BE”.
Në një prononcim për medie nga selia e PS-së pas një takimi me drejtuesit e qarqeve, Rama tha se vazhdon hapja e partisë për anëtarësime të reja.
“Ne bëjmë takime të rregullta, sepse jemi në një proces shumë të rëndësishëm dhe të thellë si asnjëherë më parë të rienergjizimit të qelizave bazë të organizmit të PS-së, që janë organizatat socialiste në të gjithë territorin”, tha Rama.
Kryeministri ripërsëriti objektivin për 50 mijë anëtarë të rinj deri në Kongresin e qershorit, ndërsa shprehu besimin se “me çfarë kemi parë dhe realizuar deri tani është një objektiv plotësisht i arritshëm”.
Po ashtu, Rama theksoi domosdoshmërinë e përcjelljes së mesazhit për të gjitha komunitetet dhe qytetarët shqiptarë, që është i domosdoshëm fuqizimi i PS-së.
Kryeministri theksoi se objektivi strategjik i PS është që Shqipëria 2030 të ngjitet në majë, pa mundësi kthimi prapa.