Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha sot se “nevoja për një 22 mars të dytë është një domosdoshmëri që na motivon për të rikthyer entuziazmin e fillimeve dhe na shtyn për një fitore të PD-së me të gjithë popullin shqiptar”.
“32 vite më parë, Partia Demokratike e Shqipërisë arriti fitoren më të madhe në historinë e pluralizmit shqiptar. Me SHBA-të në krah dhe me nevojën dhe dëshirën e popullit për t’u shkëputur nga e kaluara, ajo arriti të bëhet promotor i ndryshimit dhe mekanizëm i aspiratave të njerëzve”, theksoi Basha në një postim në rrjetet sociale.
Basha u shpreh se “përtej kësaj fitoreje, arritjet më të mëdha të viteve të pluralizmit mbajnë firmën e PD-së, por, njëkohësisht, vlen reflektimi se historia është aty për të na dëshmuar dhe për të na gjykuar për ato që nuk u bën mirë, për ato që u bën keq dhe për të tjera që do duheshin të bëheshin ndryshe”.
“Ndaj sot sfida më e madhe e Partisë Demokratike të Shqipërisë ngelet rikthimi i besimit dhe shpresës së fillimeve, ku idealizmi dhe entuziazmi i atyre viteve ka nevojë të rindizet edhe një herë. Kjo është beteja jonë dhe arsyeja për të cilën do punojmë dhe po punojmë përditë. Ëndrra e shqiptarëve për Liri dhe Demokraci ngelet më aktuale se kurrë. Vetëm një PD për njerëzit dhe me njerëzit mund ta bëjë ëndrrën e tyre realitet”, tha Basha.
Zgjedhjet e parakohshme të 22 marsit të vitit 1992, të dytat në vend si zgjedhje pluraliste, i dhanë fitoren më të madhe PD-së.