Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass tha se të paktën 40 vetë janë vrarë dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur në një sulm nga persona të armatosur të premten në një sallë koncertesh në Moskë. Salla e koncerteve është djegur gjatë sulmit nga disa persona të armatosur. Agjencia më e lartë ruse e sigurisë, Shërbimi Federal i Sigurisë, konfirmoi sulmin por nuk dha hollësi mbi autorët apo numrin e viktimave. Zyrtarët e kësaj agjencia thanë se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për trajtimin e situatës.
Ministria e Shëndetësisë e Rusisë tha se disa nga të lënduarit janë dërguar tashmë për trajtim në spitale.
Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se pesë persona të armatosur hynë në sallën e koncerteve “Crocus City Hall” afër Moskës dhe qëlluan me armë automatike në drejtim të turmës që po ndiqte koncertin e grupit muzikor “Picnic”.
Sulmi, që duket të jetë terrorist, vjen disa ditë pasi Presidenti Vladimir Putin çimentoi kontrollin e tij në vend, duke orkestruar një fitore të thellë në zgjedhjet presidenciale në Rusi.