Një interviste ekskluzive për Business Magazine Albania me kryeredaktoren e Argumentum.al, Marjana Doda për pasionin dhe misionin si gazetare.
***
Ke 5 vite në një sipërmarrje mediatike. A mund të na thuash më shumë? Çfarë ju nxiti në fillim dhe çfarë ju motivon sot për ta çuar përpara këtë mision/profesion?
Së pari ju falënderoj për intervistën dhe për mundësinë për të shpalosur këtë rrugëtim tashmë prej një dekade në botën e medias.
Është e vërtetë, gazetaria për mua më shumë se sa profesion është nje mision. E cilësoj të tillë për rëndësinë e jashtazakonshme që ka, duke qenë shtylla kryesore e mbështetjes te e vërteta dhe e drejta për informacione me rëndësi publike dhe me përgjegjësi të fortë sociale. Misioni im është që kjo sipërmarrje mediatike të përfaqësojë standardet më të larta, të gazetarisë si etika, saktësia, paanësia, vërtetësia dhe pavarësia.
Kjo media lindi nga dashuria e madhe për gazetarinë dhe dëshirën për t’i ofruar lexuesit një media profesionale dhe të profilizuar. Njëkohësisht, kjo iniciativë mediatike erdhi gjithashtu pasi zhvillimet gjeopolitike ishin pak prezent në median shqiptare. Duke qenë se profili im gazetaresk është i fokusuar te politika e jashtme dhe zhvillimet ndërkombëtare, atëherë lindi dhe ideja për të ndërtuar një media kushtuar pikërisht diplomacisë, marrëdhënieve ndërrajonale dhe gjeopolitikës.
Falë përmbajtjes, formatit dhe bashkëpunëtorëve të njohur, mund të them se “Argumentum” përfaqëson një risi në aureolën e medias shqiptare, i orientuar në pasqyrimin sa më realist, analitik dhe të detajuar të realitetit në Shqipëri dhe jashtë saj.
Sot ka shumë media, të vogla dhe të mëdha por e juaja ruan me fanatizëm parimet e gazetarisë, cilat janë shtyllat e Argumentum dhe karrierës tuaj profesionale?
Në fakt, në këtë treg të madh mediatik ku luhet me rregulla dhe pa rregulla, ne zgjodhëm të ndjekim rrugën më të gjatë dhe më të vështirë, rrugën e një media profesionale, të paanshme dhe të pavarur dhe janë pikërisht këto shtyllat kryesore të Argumentum.
Por, nëse më lejon do ndalem te secila prej tyre;
-Pavarësia
Gazetarët duhet të jenë zëra të pavarur; nuk duhet të veprojmë, formalisht apo joformalisht, në emër të interesave të veçanta qoftë politike, të biznesit. Për fat keq, vitet e fundit në Shqipëri gazetarët, dhe disa media janë kthyer në zëdhënës të interesave personale të biznesit, partive politike dhe politikanëve, duke krijuar atë që unë e quaj gazetari militanteske, sigurisht e papranueshme për parimet e gazetarisë.
-Paanshmëria
Raportimi i paanshëm ndërton besim. Kjo vlen atëherë kur artikujt kanë të paktën dy anë të medaljes. Në fund të fundit, të gjithë zërat duhen dëgjuar dhe të gjitha këndvështrimet duhet respektuar. Është me rëndësi që të mos biem pre e autocensurës.
-Përgjegjshmëria/profesionalizmi
E theksova në krye të herës se gazetaria është një mision. Duhet të jemi të përgjegjshëm për atë që themi dhe shkruajmë, duke u siguruar që kjo nuk bën dëm. Duhet të jemi të vetëdijshëm për ndikimin e fjalëve në jetën e të tjerëve sidomos kur këtë nuk shoqërohen me fakte. Në emër të lirisë së të shprehurit mos të cënojmë dinjetin njerëzor të askujt.
Shohim rëndom në mediat tona vizive dhe ato online histori që mbahen gjallë, duke shkelur çdo kod dhe normë etike, ligjore e morale vetëm për klikime. Kjo është e papranueshme për mua.
Targeti i audiences tuaj është specifik dhe duket një terren me rëndësi, që në fakt nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga organizma apo media të tjera, siç është diplomacia dhe zhvillimet politike të Ballkanit. Pse lexuesi, organizatat, institucionet, apo politikanet duhet të kenë Argumentum në listën e web-eve që duhet të shfletojnë gjatë ditës?
Argumentum.al përpiqet të jetë një burim autoritar i gazetarisë me analiza dhe komente mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, politikën botërore dhe një gamë të gjerë çështjesh me rëndësi globale, duke sjellë materiale ekskluzive.
Ndaj të gjithë ata që dëshirojnë një media serioze dhe korrekte, një media informuese dhe analitike, këtu do të gjeni analiza, opinione nga ekspertë dhe autorë të njohur, intervista ekskluzive si dhe këndvështrime të ngjarjeve që ndodhin në hapësirën tonë ndër-rajonale. Për të gjitha ngjarjet ndër-rajonale; ato mbajnë emrat e ekspertëve të shquar politikë, diplomatëve dhe publicistëve.
Cilat janë momentet më të rëndësishme profesionale që kanë shënuar karrieren tuaj, apo edhe vendimin për të ngritur një media të pavarur.
Ndërsa kthehem pas në kohë, mund të them se unë jam rritur me praninë e medias se shkruar në shtëpinë time. Kjo falë mamasë sime, e cila në çdo rast që i kishte mundësi blinte gazeta dhe i lexonte. Kjo injektoi te unë dëshirën për të ditur se çfarë ndodh në Shqipëri që kur isha një fëmijë. Duhet të them gjithashtu se trazirat e vitit 1997, por dhe ardhja e refugjatëve nga Kosova në 1999 rrëmbyen vëmendjen e një fëmije 10-11 vjeç për t’u informuar më shumë, për të kuptuar më shumë, me dëshirën për të dhënë sadopak një kontribut.
Megjithate do doja të theksoja tre momente në periudha të ndryshme të jetës sime që kanë rrënjosur te unë pasionin për gazetarinë dhe që në fakt lidhet me zhvillime të rëndësishme gjeopolitike.
Sulmi e 11 shtatorit 2001 në Amerikë, është shtylla e parë që filloi të ndërtonte te unë pasionin për gazetarinë dhe politikën. Edhe pse fëmijë, vetëm 13 vjeçare ndërsa shikoja ato pamje në televizion kuptova se bota po ndryshonte, e bashkë me të edhe unë.
Në vitin 2005, ëndrra për gazetarinë u bë realitet në qytetin ku jetoja, në Durrës.
Në një gazetë rinore e botuar nga Organizata ICMC, (The International Catholic Migration Commission) “Botë Shpresash”, pata mundësinë të shpalosja pasionin për gazetarinë. Janë dhjetëra shkrime e intervista që flasin për problematikat e të rinjve, por jo vetëm të një komuniteti me të ardhur nga e gjithë Shqipëria dhe që ishin vendosur në Durrës. Sikundër dhe unë vete isha një nga këto të ardhurit në Durrës, pikërisht nga zona verilidnore e Shqipërisë, nga Puka.
Por, gazetaria pas disa vitesh i la vendin një angazhimi tjetër tejet të rëndësishëm për mua, siç ishte shoqeria civile. Për disa vite kam dhënë një kontribut si pjesë e shoqërisë civile, duke u dhënë zë problematikave të shumta me të cilën hasnin qytetarët e zonës së ish- kënetës në Durrës.
Për t’ju rikthyer dashurisë së parë, gazetarisë dhe medias së shkruar sërish në vitin 2014.
Ky është dhe momenti i dytë që shenjoi një rikthim përfundimtar në media.
E shoqëruar ky moment sërish nga një ngjarje ndërkombëtare siç janë sulmet terroriste në Europë.
Pati një rritje të incidenteve terroriste islamike në Evropë nga viti 2014 e në vijim që më shtyu të shkruaja për atë që njerëzimi po përjetonte.
Ishte gazeta e “Koha Jonë”, gazeta e parë e pavarur në Shqipëri më në krye botuesin z. Nikoll Lesi që hapi dyert e kësaj gazete, duke u dhënë hapësirë analizave të mia, të fokusuara kryesisht në politikën e jashtme për ngjarje në Rajon, Europë dhe Botë. Pata fatin të punoj në këtë redaksi me gazetarë me përvojë, duke përfituar një eksperiencë të vlefshme dhe të bukur, për të cilën sot shpreh gjithë mirënjohjen time.
Momenti i tretë vendimtar është viti 2019, ku themelova median online me fokus në çështjet shqiptare, ballkanike, rajonale dhe gjeostrategjike. Një media që mungonte në fakt në tregun mediatik në Shqipëri.
Në një botë globale përballë fenomeneve të ndryshme gjeopolitike, gjeoekonomike është e pamundur që ne të jemi indiferentë, pavarësisht se në cilin kontinent apo anë të botës të ndodhin.
Pasqyrimi i tyre në një formë apo tjetër do të reflektohet dhe në vendin tonë. Ndaj, asgjë nuk është më e largët në një botë të globalizuar.
Njëkohësisht, duke ditur që Shqipëria është një vend strategjik dhe një faktor kyç për sigurinë, paqen dhe prosperitetin e Ballkanit, dhe mbi të gjitha me një rëndësi të re gjeostrategjike, e pashë të udhës që kjo media të jetë e hapur për ato institucione kombëtare e ndërkombëtare për të përcjellë zërin e tyre te lexuesi shqiptarë, nëpërmjet intervistave ekskluzive nga ambasadorë, diplomatë, analistë, publicistë, nga vendi dhe rajoni.
Sot 5 vite nga themelimi i një media gjeopolitike dhe pothuajse një dekade nga angazhimi im i drejtpërdrejtë si gazetare, jam udhëhequr gjithmonë nga të qenurit e drejtë dhe objektive duke mos bërë asnjë kompromis që cenon këto dy parime. Në fakt ky është misioni im si gazetare dhe si drejtuese e kësaj media online. Një mision i vështirë, por jo i pamundur.
Cilat janë angazhimet tuaja aktuale në fushën e gazetarisë politiko-diplomatike
Përpos angazhimit të plotë si drejtuese dhe kryeredaktore e Argumentum.al, njëkohësisht jam e angazhuar si analiste për çështjet ndërkombëtare në një media ndërkombëtare.
Ndërsa dua të nënvizoj faktin se prej 3 vitesh, që nga muaji prill 2022, Argumentum.al vjen në versionin e një reviste të përmuajshme politiko-diplomatike, e cila mund të lexohet online. Duke u bërë kështu media e parë online që sjell një revistë gjeo-politike. Ky publikim mujor ofron një kombinim të qartë të lajmeve lokale, rajonale dhe botërore, si dhe opinione dhe analiza mbi ngjarjet e muajit.
Gjithashtu, Argumentum në vetëm 5- vite në tregun mediatik, në sajë të profesionalizmit dhe të paanshmërisë, ka arritur të bëhet media partnere e disa organizateve të rëndësishme europiane në Ballkan, konkretisht, prej vitit 2022, Argumentum është Partner Mediatik për Shqipërinë për “European Fund for the Balkans”.
Çfarë do t’i thotë Marjana Doda e sotme, vajzës adoleshente dhe ambicioze të rreth 20 viteve më parë në Durrës?
Çdo vajzë adoleshente e 20 viteve më parë në Shqipëri jam e bindur që është ndeshur me beteja të mëdha social-kulturore, pavarësisht se në cilin cep të Shqipërisë mund të jetonte. Por, kur je adoleshente dhe aq më tepër ambicioze, pra një vajzë që pretendon më të mirën për veten, kërkon të përmirësojë vetën dhe jetën e saj rreth e perqark, do të thotë të hyje në një luftë të ashpër dhe të pamëshirshme.
Duke marrë parasysh faktin se nje vajzë si unë e ardhur nga Puka në Durrës në një komunitet i përbërë nga mentalitete dhe nivele kulturore të ndryshme, dhe me sfida të mëdha ekonomike shpeshherë përballej me pikëpyetje të ndryshme.
Jam e lumtur që besimi që kam patur të vetja së pari dhe besimi i familjes sime te unë kanë qenë shumë herë më i fortë se sa mentaliteti dhe paragjykimet që vinin si pasojë e një shoqërie ende të pakultivuar në atë kohë.
Mund të them me bindje se vitet e mia të adoleshencës kanë qenë thelbësore për të formuar personin që jam sot, ndaj Marjana sot, do t’i thoshte vetëm dy fjale Marjanës së 20 viteve më parë, që në fakt në mënyrë te pavetdijshme i kam praktikuar në jetë. Vetëm ti je arkitekte e fatit tënd! Bota shpesh do të të shtyjë në një drejtim që ata mendojnë se vlen për ty, por ti ndiq zemrën në mënyrë që të gjesh rrugen e jetës tënde”.
Çfarë do të bëjë ndryshe po të ktheheshe pas?
Ndodh shpesh që të shkuarën tonë e vlerësojmë në bazë të përvojës që kemi kaluar ndër vite, me zhgënjimet dhe sukseset dhe është shumë e lehtë që të marrim vendime sot për vetën tonë dje. Shumë e lehtë për ti diktuar se si do duheshim të vepronim në momente të caktuara, por kjo është e bukura e jetës …është një mister që ne e zbulojmë pak nga pak vetëm duke e jetuar atë.
Por, nëse bëj një rezyme të asaj periudhe kohore them se kam qenë mjaftueshëm e fortë për t’i bërë ballë jetës, ndonëse u jetua në një rrugë të pashtruar, me vështirësitë e saj, herë me gurë e me baltë, por ama gjithnjë në korsinë e drejtë.
Megjithatë, më vjen keq që e kam stërmunduar veten për të treguar vlerat e mia të ata njerëz që as nuk dinë se çfarë janë vlerat e vërteta dhe këtë do ta përmirësoja te vetja. Kjo sepse vetëm ata njerëz që kanë të njëjtën vlerë si ty do të dinë të të vlerësojnë dhe të të kuptojnë.
Dhe pikërisht duke u fokusuar te ata që janë “skeptikë” ndaj nesh, pa dashur harrojmë ata që vërtetë na vlerësojnë.
Kështu, përfitoj nga rasti për të falënderuar të gjithë ata njerëz që në një formë apo një tjetër kanë qenë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit tim, qofshin këta mësues, kolegë, drejtues, miq apo thjesht dashamirës të parimeve dhe vlerave njerëzore, që kanë zbuluar te unë gjithmonë më të mirën time dhe më kanë inkurajuar të shpërfaq ato vlera e parime që më përfaqësojnë.
Media sot është duke rendur pas klikimeve dhe shikueshmërisë, si është marrëdhënia juaj me këtë trend?
Mund të them se media sot është në një udhëkryq mes medias tradicionales dhe medias digjitale.
Nëse media tradicionale, qoftë vizive apo e shkruar ka qenë e konsoliduar përballë lexuesit e shikuesit, media digjitale është ende në krizë identiteti.
Lehtësia për të krijuar sot një web online, duke shkelur së pari çdo kriter ligjor, pasi shumica e mediave online janë të paregjistruara në institucionet përkatëse dhe së dyti duke shkelur çdo kod etik gazetaresk po e zhvlerëson fuqinë që ka media e cilësuar si pushteti i katërt.
Kjo në emër të klikimeve, që përkthehet në para pa marrë parasysh që po humbasin besueshmërinë.
Në emër të rritjes së shpejtë në këtë botë digjitale, shpesh media ose websitet online janë kthyer në burime dezinformimi. Është më e lehtë të postosh gënjeshtra në internet, apo duke përdorur atë që e quaj si gazetari thashethemesh për të arritur një numër të madh klikimesh në vetëm pak minuta.
Për hir të së vërtetës edhe media vizive tradicionale është prekur nga ky fenomen duke bërë që sot gazetaria të jetë nën kërcënim. Jo vetëm nga problematikat e ndryshme që prekin gazetarët në Shqipëri si censura, presioni politik, pasiguria në punë dhe sulmet ndaj mbrojtjes së burimeve të gazetarëve. Por tashme për mua rreziku real dhe me i madh është humbja e besimit te lexuesi, dhe që vjen si pasojë e trendit të klikimeve që në mënyrë të padrejtë përcakton se cila media ka ndikim.
Është pikërisht kjo mani e frikshme për klikime, që përkthehen në para, që po e zhvesh nga fuqia dhe besueshmëria që mbart gazetaria në vetë.
Këtu ndahet dhe rruga ime me këtë trend.
Argumentum.al që në krye të herës ka investuar në përmbajtje dhe cilësi dhe vijon të jetë fanatike e parimeve të gazetarisë. Ndonëse një portal online, gazetarët, bashkëpunëtorët, analistët qe shkruajnë për Argumentum janë të prirur të sjellin fakte, argumente, analiza, duke vënë në fokus interesin e lexuesit. Ndaj vlerësoj atë targetgrup besnik që na ndjekin dhe që vijojnë të besojnë te puna jonë.
Cilat janë objektivat tuaja lidhur me Argumentum në një të ardhme 5 vjeçare?
Së pari më duhet ta them se 5 vitet e ardhshme duket se do të jenë sfiduese dhe përcaktuese për secilin prej nesh, kjo për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare të njohura dhe të panjohura përpara nesh. Si kurrë më parë, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, po përdoren shpesh termat për një formësim të ri gjeopolitik, ku padiskutim vendi ynë dhe Ballkani në tërësi do të jenë pjesë e zhvillime të rëndësishme.
Kësisoj Argumentum.al do të ketë një rol thelbësor në pasqyrimim, analizimin dhe ndjekjen hap pas hapi të këtyre zhvillimeve historike.
Besoj se portali do të ketë vëmendje dhe ndjekje të madhe, jo vetëm nga qytetarët e saj, por edhe nga ata nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi; si dhe më tej në diasporë, kudo ku jetojnë shqiptarët. Pikërisht ky është target grupi ynë.
Njëkohësisht falë paanshmërisë ne synojmë të bëhemi një pikë referimi për mediat në Evropë dhe në botë lidhur me ngjarjet politike, diplomatike të Gadishullit Ballkanik.
Argumentum.al do të jetë një dritare për zëra dhe pikëpamje të ndryshme, duke i ofruar kështu lexuesit anën tjetër të “medaljes”.
Aktualisht ne jemi duke ndërtuar bashkëpunime mediatike me mediat në rajonin tonë, duke përcjellë lajmet dhe ngjarjet kryesore nga (Maqedonia, Kosova, Mali i Zi) në shqip dhe anglisht. Jo vetëm lajmet e orës së fundit, por trajtimi i tyre nëpërmjet ekspertëve, analistëve. Gjithashtu Intervista ekskluzive të personazheve më të rëndësishëm, si dhe protagonistëve të ngjarjeve të caktuara në vend dhe rajon. Duke lidhur kështu të gjithë Ballkanin në një urë të vetme.
Ideja dhe qëllimi i Argumentum.al është që të jetë e pranishme në të gjithë rajonin.
Por, mbi të gjitha dhe më e rëndësishmja për mua, është që kjo media do të vijojë të jetë një media profesionale dhe që nuk do të zhgënjejë besimin e lexuesve dhe ndjekësvë tanë.