Editorial
Është zyrtarizuar më 25 Mars në Tetovë (RMV) bashkëpunimi koalicionues për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në kuadër të Frontit Europian ndërmjet Bashkimit Demokratik për Integrim, Partisë Demokratike Shqiptare si dhe Partisë Demokratike Europiane,pra Menduh Thaçi dhe Arijanit Hoxha zgjerim ky i cili vjen dita ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe me Lëvizjen Populli.
Kryetari i Lëvizjes Populli, Rexhepi shtoi se gjurmët e këtij fronti do të mbahen mend gjatë në histori.
“Ky Front është model i suksesit, është jo veç ligë por super-ligë. Është i bukur zyrtarizimi i këtij fronti, sepse qytetarëve po përfitojnë të gjithë të mirat, standardet dhe mirësitë sociale. Me zgjedhjet presidenciale e vulosim thellë edhe fitoren e zgjedhjeve parlamentare. Është një nisëm e mirë që ne kemi thënë se Fronti Europian do të përbëhet prej shumë etnive, për të dëshmuar se një front i tillë që na sjellë të gjitha begatitë që gjeneratat që do të vijnë do jenë kryekëput të siguruara nga miqësia jonë me SHBA-të dhe BE-në sepse alternativë tjetër nuk kemi përpos Frontit Europian. Gjurmët tona do mbahet mend gjatë në histori. Uroj mbarësi dhe suksese për të gjithë, të vulosim fitoren me 24 prill e pastaj me 8 maj të kemi fitore dhe më të thellë”, theksoi Rexhepi.
Kryetari i PDE Hoxha vlerësoi nënshkrimin me dy me dy njerëz si Ahmeti dhe Thaçi që në rrugëtimin e tyre politik mbajnë mbi supe procese të rëndësishme për vendin.
“Në momente të mëdha historike njerëzit e vegjël gjejnë arsye për t’u ndarë, e njerëzit e mëdhenjë krijojnë mundësi për t’u bashkuar dhe prosperuar. Bashkërendimi jonë sot është i barazvlefshëm me rëndësinë e historinë që ka lidhje e Lezhës ku heroi jonë Gjerg Kastriot Skëndërbeu bashkoi të gjitha fistet shqiptare. Ashtu si atëherë ne sot po bashkohemi sepse kemi një qëllim më madhor, ky front do të sjellë heqjen e kufijve, dhe të bashkuar në BE do të jemi pjesë e civilizimit perëndimor që të parët tonë e kanë nënshkruar. Nënshkrimi për mua me dy me dy njerëz si z.Ahmeti dhe Thaçi ka vlerë, që në rrugëtimin e tyre politik mbajnë mbi supe procese të rëndësishme për vendin. Përderisa të tjerët presin fitore lëmoshë nga VMRO-ja, ne presim fitore nga shqiptarët, më mbështetje nga Kosova dhe Shqipëria”, tha Hoxha.
Madje në fjalimin e tij Arijanit Hoxha tha se bashkimi në Frontin Europian sot është e njejtë si thirrja për rreshtim në UÇK në vitin 2001.
Ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, tha se arsyeja kryesore se përse ata bashkohen është për shkak frikës së partitë tjera konkurrente do të bien nën ndikimin, siç tha ai, të armiqësive tonë, dhe do të mundohen që këtë betejë elektorale ta paraqesin si betejë mes nesh edhe atyre.
“Nuk është ashtu. Jo vetëm sondazhet por edhe fëmijët e vegjël e dinë se ata do të humbin bindshëm në këto zgjedhje vetëm prej BDI-së. Atëherë pse arsyeja kaq e fuqishme për tu bashkuar gjithë ne, mendoj unë mos quhem subjektiv, po liderët e një populli, sidomos ata që kanë përvojë duhet ta shohin rrezikun larg dhe ta paralajmërojnë popullin e tyre për tu bërë gati të ballafaqohen atë rrezik”, tha Thaçi.
Menduh Thaçi vijoi retoriken e Ali Ahmetit që flet për rrezik rus në këto zgjedhje. Ai tha se agresioni rus nëpërmjet dorës së zgjatur tash më në Serbi i instaluar po tenton të instalohet edhe në Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnjë, ndërsa ky bashkim është për ta parandaluar këtë rrezik. “Ky bashkim kërkon prej popullit tonë që të votohet me një numër prej 30 deputetëve që të pamundësojmë politikën ruse të institucionalizohet në Maqedoninë e Veriut”, tha Thaçi.
Sa i përket kësaj retorike të re politiko-elektorale të këtij koalicioni duhet thënë se Ahmet i gjendur në shënjester dhe i kritikuar vazhdimisht për nota dhe elemente nacionaliste në fushatat e tij përgjatë 20 viteve, kësaj radhe, ka marrë një peshë gjeopolitke mbi supe, duke përfshirë “influencën ruse”.
Këtë ai e justifikoi me përqindjen e madhe të qytetarëve rus që jetojnë në Maqdoninë e Veriut që kishin votuar në masë të lartë për Presidentin Putin në zgjedhjet e fundit presidenciale të Rusisë. Po fundja çfarë interesi ka Ali Ahmeti se kush fiton apo humb në Rusi?
Megjithatë nuk ka ende asnjë indicie reale për kërcënim të sigurisë nga Rusia apo ndërhyrje në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Maqedonisë së Veriut. Ndaj dhe ky slogan i Ahmetit është më shumë për tu përfshirë në vorbullen gjeopolitike, pasi tani në arenën ndërkombëtare Rusia është shteti malinj, por asgjë më shumë.
Pro Europës dhe kundër Rusisë është slogan me fjalë të mëdha dhe aspak angazhuese për vetë qytetarë të Maqedonisë së Veriut apo dhe për lektoratin shqiptarë që Ahmeti iu drejtohet në mënyrë të drejtpërdrejtë .
Asnjë program konkret për mirëqenien sociale-ekonomike në vend nuk është shpalosur nga BDI. Nuk po pretendojmë për partitë e tjera në këtë koalicion pasi ato kanë si synim vetëm karriget e tyre personale në parlamentin e Maqedonisë së Veriut.
Pas zyrtarizmit të koalicionit parazgjedhor me Menduh Thaçin, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se në të kaluarën kanë pasur akuza ndaj njëri tjetrit me Menduh Thaçin, por që bashkërisht kanë punuar kundër regjimit komunist.
“Unë nuk heq dorë nga e kaluara, nëse kam nostalgji, kam për lëvizjen ilegale dhe kjo më ka bërë atë fijen e fortë prej çeliku që unë mos e humb as durimin, as hidhërimin ndaj Menduh Thaçit, sepse i ka takuar taborit tim që bashkë kemi luftuar për ta përmbysur perandorinë e Jugosllavisë. Është e vërtet që ky më ka sharë, por kë të shante”, tha mes tjerash Ahmeti.
Por tani duket se ky bashkim i dytë mes tyre po bëhet për të “luftuar” vetë shqiptarët.
Ky koalicion në fakt është dëshpërues…që tregon se Ali Ahmeti dëshiron të fitoje me çdo kusht pa marrë fare parasysh se me kë do të hyje në koalicion.
Kur protagonistët e këtij koalicioni me parti /individ po bëhen të ditur çdo ditë, atëherë lind pyetja, a do të shkojë BDI sërish në koalicion me VMRO-DMPN-në nëse kjo e fundit fiton shumicën e votave?
Cila arsye madhore mund ti bëjë bashkë disa individe që ndër vite kanë sharë e akuzuar njëri-tjetrin?
Ndërsa Ali Ahmetin, Menduh Thaçi, Skender Rexhepi Zejd, Arjanit Hoxha i shohim teksa nënshkraujnë sëbashku një marrëveshje koaliconi, na kthen në vemëndje të thënat e të pathënat mes tyre, me akuza të forta deri në eliminim fizik sikundër Menduh Thaçi thoshte më parë për Ahmetin.
Ali Ahmeti për Menduh Thaçin: “Nuk ulem me horra”
Menduh Thaçi për Ali Ahmetin: “Unë asnjëherë s’bëj koalicion me Ali Ahmetin, sepse ka dashur t’më likuidoj fizikisht”
Zejd Rexhepi për Ali Ahmeti: “Komandant Kërmilli”
Arijanit Hoxha për BDI-në: “BDI-së nuk i besojmë, pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve”.
E megjithatë marrëveshjet politike ndër vite kanë treguar se nuk kanë moral por vetëm interes vetjak.
Në fakt Ali Ahmeti shquhet për këto kapërcime galopante herë majtas e herë djathtas, herë me miq e herë me “tradhëtarë ” mjafton që ai të ishte në epiqendër të pushtetit.
E kur flasim për “pazaret” elektorale të Ali Ahmetit, a mund ta dimë se çfarë u bë me platformën për gjelbërim, që Ali Ahmeti e shpalosi më 5 qershor 2021, kjo platformë e re politike që sipas tij do të ndiqte partia BDI ?!
A është Albin Kurti arsyeja madhore e këtij bashkimi mes Menduh Thaçit dhe Ali Ahmetit dhe a është Ramush Haradinaj “kumbari” i tyre politik?
Në daljet tyre televizive si Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti janë shprehur kundër mbështetjes së Kurtit në opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut megjithëse bashkimi i tyre në koalicion parazgjedhor duket se është bërë me ndërmjetësimin e Ramush Haradinaj q4e është në krye të nje parite opozitare në Kosove.
Kreu i PDSH-së Menduh Thaçi në një interviste të disa muajve më parë për Euronews Albania kundërshtoi hapur angazhimin e partisë Vetevendsoje në mbështetje të një kandidati pjesë e kësaj lëvizjeje në Maqedoninë e Veriut duke theksuar se kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti do të bëntë shumë gabim nëse do të ndërhynte tek zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, duke e akuzuar se nderhyrja e tij mund të deformojë rezultatin zgjedhor.
“Vetëvendosja e cila drejtohet nga Kurti, do të bënte shumë gabim nëse ndërhynte në emër të qeverisë së Kosovës, në mundësinë e përmirësimit apo deformimit të rezultatit zgjedhor në Maqedoni. Kjo do të ishte e gabuar për shkak se vlerësoj se ata janë pak të informuar për tendencën e fundit politike në Maqedoni, ku sondazhet tregojnë se zgjedhjet do i fitojë e djathta maqedonase, e cila është hapur kundër procesit integrues apo kundër kërkesës së BE për ndryshimet kushtetuese.
Kreu i PDSH-së tha se do të vijojë të përplaset me Ahmetin sa herë të ketë bindjen se po vepron gabim, por kurrë nuk do të kalojë në anën e armiqve të Ahmetit, që siç theksoi punojnë kundër shqiptarëve në RMV.
Gjithashtu Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrimin në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti i ftuar në emisionin “Top Story” tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po ndërhynë në punët e brendshme të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Por kritikat ndaj Kurtit kanë ardhur dhe nga politikanët në Kosovë duke e akuzuar se ndërhyrja e Kurtit i shërben Rusisë.
Kështu Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se “ndërhyrja” e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut është “shërbim i agjendës ruse dhe serbe”.
Ish-kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj tha se veprimi i Kurtit është rrezik dhe se kështu “prishet Ballkani”.
Unë nuk mendoj që ka të bëjë fare me shqiptarët e Maqedonisë, Albini s’po shkon me ndihmu një krah, as nuk mundet me dobësu Ali Ahmetin sepse ai është politikan serioz. Ai po shkon vetëm me ja hap dyert Serbisë në kërkesat jolegjitime ndaj nesh e pastaj me na u lëshu në shpinë krejt aleatët tanë. Edhe pasi të shkon Kurti kan me na thanë kryeministri juaj ka bo fushatë në shtete fqinje”, tha Haradinaj në fillim të këtij viti në një emision televiziv, citon gazetaexpress
“Është agjenda e tyre destabilizimi i Maqedonisë, ndërhyrja prej shtetit në shtet e kryeministrave në fushata ja legjitimon Vuçiqit me shku në Mal të Zi te serbët e vet, ti je ka e prish Ballkanin”, tha ai.
“Shërbim i agjendës ruse dhe serbe”, ripërsëriti ai.
Në fakt kjo akuzë e Haradinaj e thënë muaj më parë kundër Kurtit, është kthyer në sloganin e Ali Ahmetit për zgjedhjet parlamentare e presidenciale të RMV-së.
Jo vetëm kjo akuzë e drejtpërdrejtë ndaj Kurtit në mbrojtje të interesit të Ali Ahmetit, por dhe vetë ftesa e bërë nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës z.Ramush Haradinaj, Menduh Thaçit dhe Ali Ahmetit në manifestimin për shënimin e 26 vjetorit të Epopesë së Dukagjinit u duk si një ndërmjetësim që Ramush Haradinaj bëri në bashkimin e dy ish- armiqve politike.
Duket se Ali Ahmeti e ka gjetur “mashën” me të cilën tenton të godase Kurtin dhe kjo duke përkrahur liderin e partisë opozitare në Kosovë siç është Ramush Haradinaj.
Një hakmarrje e drejtpërdrejtë kundër Albin Kurtit duke treguar se ky koalicon nuk i shërben qytetarëve të Maqedonisë së Veriut por vetëm mbajtjes në pushtet të Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit, ky i fundit zgjohet nga gjumi letargjik vetëm në prag zgjedhjesh.
/Argumentum.al