Baza ushtarake Mihail Kogqlniceanu, pranë qytetit të Konstancës në Rumani, në brigjet e Detit të Zi, do të bëhet baza më e madhe e NATO-s në Evropë dhe do të kapërcejë bazën amerikane në Ramstein të Gjermanisë sa i përket përmasave.
Baza e re do t’i japë Rumanisë një rol të shtuar në arkitekturën e sigurisë së NATO-s dhe një pozicion force më të madhe në Detin e Zi, det që aktualisht dominohet ushtarakisht nga Rusia. Baza do të jetë në gjendje të mbajë 10 mijë ushtarakë dhe civilë nga koha kur punimet do të kenë përfunduar në vitin 2030.
NATO dhe SHBA do të zhvendosin një pjesë të logjistikës dhe të burimeve njerëzore nga Ramstein te baza Mihail Kogalniceanu.
Punimet e zgjerimit pritet të kushtojnë 2.7 miliardë dollarë dhe puna për rrugët e aksesit dhe rrjetit elektrik me kapacitet të lartë ka filluar sakaq. Autoritetet e Rumanisë kanë shpronësuar 2,400 hektarë për këtë qëllim duke paguar 5,500 euro për hektar.
“Do të ndërtohen shtëpi sociale për individët që shërbejnë apo familjet e tyre. Do të ketë shtëpi në formën e blloqeve të apartamenteve, shtëpi individuale, kopshte, çerdhe dhe shërbime shëndetësore, farmaci, shkolla, çdo gjë që nevojitet,” tha komandanti i bazës Nicolae Cretu.
Duke mbuluar një zonë prej gati 3 mijë hektarësh, baza do të jetë më e madha në Evropë. Ramstein në Gjermani zë aktualisht rreth 2 mijë hektarë territor.
Pista aktuale e aeroportit do të dyfishohet dhe do të shërbehet nga depozitat e karburantit dhe shumë hangarë për lloje të ndryshme avionësh luftarakë dhe dronësh. Plani i NATO-s përfshin ndërtimin e një piste të dytë për avionët.
Përveç infrastrukturës së re ushtarake, baza Kogalniceanu do të përfshijë infrastrukturë civile, si shkolla, kopshte, dyqane dhe një spital.
Gjenerali Virgil Balaceanu, president i Shoqatës së Oficerëve në Rezervë dhe ish-përfaqësues i Rumanisë në komandën e NATO-s në Bruksel, i tha Radio Rumanisë se Ukraina dhe lufta atje nuk janë larg Rumanisë.
Me një luftë në kufi, ai tha se Rumania duhet të përgatitet edhe për skenaret më pesimiste të mundshme dhe se forcimi i pozicionit mbrojtës dhe përgatitja për të diskurajuar një agresion janë çështje me rëndësi thelbësore.
Në vitet e fundit, Rumania ka investuar në mënyrë masive në sektorin e mbrojtjes. Për vitin 2024 ushtria do të ketë një buxhet prej mbi 20 miliardë eurosh, me një rritje 45 për qind në krahasim me vitin 2023. Paraja do të përdoret kryesisht për blerjen e armëve moderne.
Sipas të dhënave të bëra publike, përfshirë sasinë e parave të shpenzuara më 2023, Rumania planifikon të shpenzojë rreth 320 miliardë lei ose rreth 65 miliardë euro për investime ushtarake deri në vitin 2027.
/Reporter.al