Besimtarët katolitë në mbarë botën festojnë sot Pashkët, ditën e ringjalljes së Krishtit një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin fetar.
Kryeministri Rama e nisi këtë mëngjes me një urim të veçantë: “Për shumë vjet me zemër të mirë Pashkët!”
Po ashtu kreu i Shtetit Bajram Begaj uron besimtarët katolikë me rastin e Pashkëve. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ai uron për të gjithë, një të nesërme më të mirë.
“Për shumë mot Pashkën, të dashur besimtarë katolikë e ungjillorë!
Në këtë ditë të bekuar, le të gëzojmë e të festojmë të gjithë së bashku me besim dhe shpresë te Zoti për një të nesërme më të mirë. Gëzuar, dhe qoftë për të gjithë Pashkë e Shenjtë!”, shkruan Begaj.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla uron besimtarët katolikë për festën e Pashkës, kremtimi i më të madhes histori të shpresës.
“Dita e Pashkës, një festë e bukur e rrëzëllitëse për besimtarët katolikë. Me lindjen Krishti lindi për ne; me vuajtjet vuajti për ne, në agoni u kryqëzua për ne, me ringjalljen u ringjall për ne”, u shpreh ajo.
“Me mrekullinë e Ringjalljes, Jezusi i tregoi botës se ka gjithmonë një shpresë, një shpëtim. Pashka është kremtimi i një historie, më të madhes histori, të shpresës”, vijon Nikolla
“Jezusi krijoi shembullin e madh të dashurisë, shërbimit dhe kryqëzimit për të tjerët dhe gëzimi i Pashkës le të na frymëzojë drejt këtij misioni universal. Gëzuar Pashkën të gjithë besimtarëve katolikë dhe qytetarëve shqiptarë!”, përfundon Nikolla.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar besimtarët katolikë për festën e Pashkëve. Sipas tij, Kremtimi i Pashkëve shënon triumfin e të mirës mbi të keqen, të dritës mbi errësirën, të shpresës mbi dëshpërimin.
Në mesazhin e tij në rrjetet sociale, Basha uron që drita e shpresës dhe kurajos të ndezë në zemrat dhe mendjet e çdo familjeje shqiptare besimin se ditë më të mira na presin.
“Të dashur motra dhe vëllezër besimtarë katolikë dhe ungjillorë që kremtoni këtë ditë të shenjtë të Ringjalljes së Jezu Krishtit, unë dhe familja ime ju urojmë nga zemra, për shumë vjet Pashkët!”, shkruan Basha.
“Kremtimi i Pashkëve shënon triumfin e të mirës mbi të keqen, të dritës mbi errësirën, të shpresës mbi dëshpërimin. Në këto kohë të vështira, drita e shpresës dhe kurajos ndeztë në zemrat dhe mendjet e çdo familje shqiptare besimin se ditë më të mira na presin. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!”, përfundon urimin e tij Basha.
Në besimin katolik Pashkët paraprihen nga koha parapërgatitore e agjërimit që zgjat 40 ditë që quhet Kreshmë që fillon nga e “Mërkura e Përhime” dhe mbaron të dielën e Palmave, e diela e fundit para ditës së Pashkës.
Gjatë kohës së Kreshmës, përkujtohen ditët e kaluara në shkretëtirë të Krishtit në lutje e agjërim.
Besimtarët katolikë presin Të Dielën e Pashkës, e cila njihet ndryshe si Dita e Ringjalljes!